A lejohet bodybuilding dhe nëse jo, çfarë të bëj me pajisjet dhe cilat janë sportet e lejuara për muslimanin?

0
609

Pyetja:

A lejohet bodybuilding dhe nëse jo, çfarë të bëj me pajisjet dhe cilat janë sportet e lejuara për muslimanin?

Përgjigjja:

Alejkum selam ue rrahmetullahi ue berekatuhu!

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Lejohet për meshkuj të ushtrojnë bodybuilding apo siç e quajnë disa fitnes. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Besimtari i fortë (i fuqishëm) është më i mirë sesa një besimtar i dobët, edhe pse prej të dyve ka hajr (dobi).”

Mirëpo është kusht që njeriu ta ruajë veten nga mendjemadhësia sepse është një sport sikurse edhe sportet e tjera luftarake të cilat ia rrisin njeriut mendjen dhe fillojnë të mendojë se është njeriu më i fuqishëm dhe më i mirë nga të tjerët. Ka shumë raste kur disa që e ushtrojnë këtë sport rrinë 2-3 orë në pasqyrë duke shikuar muskujt e tyre.

Nëse njeriu edhe pas ushtrimeve është modest, atëherë lejohet të ushtrojë, ndërsa nëse këto ushtrime bëhen shkak që ai të bëhet mendjemadh, atëherë nuk lejohet sepse Pejgamebri s.a.v.s. për mendjemadhësinë ka thënë: “Me tre Allahu nuk do të flasë në Ditën e Gjykimit, nuk do t’ua falë e as nuk do t’i mbrojë me rahmetin e Tij. Për ta është caktuar dënim i rëndë e i dhembshëm. Ata janë: plaku që bën zina, sunduesi që gënjen dhe i varfëri që është mendjemadh.” (Transmeton Muslimi)

Eroll Nesimi