URA E SIRATIT

0
423

Sa herë që njeriu dëgjon mbi dikë që ka vdekur, sa herë që dëgjojmë shpërthime të cilat lënë pas me dhjetëra të vrarë, sa herë që dëgjojnë për luftëra që nisen, sa herë që dëgjojnë për viktima aksidentesh etj… besimtarit i shkon mendja tek Bota Tjetër. Vallë si do të jetë gjendja jonë në atë Botë?

Duke qenë se më parë kemi trajtuar stacione të ndryshme nga jeta e Botës tjetër, në këtë temë do të flasim mbi stacionin e fundit të asaj jete, urën e Siratit. Pasi të jenë peshuar veprat e mira dhe të këqija, pasi të kenë fluturuar regjistrat e veprave dhe secili ta ketë marrë regjistrin e tij me të djathtën apo të majtën, pasi të kenë qëndruar në Mahsher (tubim) për pesëdhjetë mijë vite, njerëzimi do të përballet me një sfidë tjetër shumë të vështirë, madje mund të themi më të vështirën. Kjo sfidë  do të jetë kalimi mbi urën e Siratit.

Unë u bëj thirrje të gjithë lexuesve të këtyre rreshtave që teksa lexojnë ndodhitë e kësaj dite, të zhyten në fantazinë e tyre dhe ta imagjinojnë si do të jetë. Të imagjinoni veten tuaj kur të vijë radha për të kaluar urën dhe të imagjinoni kur të hidhni hapin e parë mbi urë. Vallë çfarë do të ndjesh në ato çaste?

Ura e Siratit është ajo që i ndan njerëzit nga xheneti. Për të hyrë në xhenet, duhet që secili të kalojë mbi këtë urë. Nëse dikush bie, do të thotë që nuk e meritonte xhenetin, pra do të bjerë në xhehnem.

Thotë Zoti në Kuran:“Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt.” (Merjem, 71)

Pyetja që shtrohet pas këtij ajeti është: Si është e mundur që ajeti është i përgjithshëm, d.m.th që si jo besimtarët ashtu edhe besimtarët do të hyjnë në xhenet?!”

Në fakt, jobesimtarët dhe gjynahqarët do e arrijnë xhehenemin duke rënë nga ura e Siratit. Kurse arritja e besimtarëve është duke kaluar mbi urën e Siratit. Mbi zjarrin e xhehenemit, do të vendoset një urë e madhe, e cila quhet Sirat. çdo njeri e ka detyrë që ta kalojë këtë urë. Njeriu që do ta kalojë urën e Siratit, do të gjendet përballë me derën e xhenetit. Askush nuk mund të hyjë në xhenet, pa kaluar më parë mbi urën e Siratit.

Thotë Profeti a.s në një hadith:”Do të vendoset ura e gjatë as sa është xhehenemi.”

Vallë sa e gjatë mund të jetë kjo urë? Sa kilometra duhet të përshkojmë që ta kalojmë? Askush nuk mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, pasi mbi këtë pikë nuk thuhet asgjë si në Kuran ashtu dhe në sunetin e Profetit a.s.

Në hadithet e Profetit a.s, flitet vetëm mbi lartësinë e kësaj ure. Një ditë, teksa Profeti a.s ishte ulur në mes të shokëve të tij, u dëgjua një përplasje e frikshme. Kur i pa shokët e tij të trembur, Profeti a.s u tha:”A e dini çfarë ishte kjo zhurmë?”

Shokët iu përgjigjën:”Jo o i dërguar i Allahut.”

Ai u tha:”Ky ishte një gurë që sapo përfundoi në fund të xhehenemit. Ai kishte shtatëdhjetë vite që binte dhe vetëm tani arriti në fund.”

Nëse kjo është thellësia, vallë sa është gjatësia e xhehenemit? Nëse për të rënë në fund të xhehenemit duhen shtatëdhjetë vite, vallë sa na duhen për të kaluar urën e Siratit?

 

Përshkrimi i urës së Siratit

Thotë Profeti a.s:”Ajo (ura e Siratit) është më e hollë se qimja e flokut dhe më e mprehtë se shpata.”

Vallë si do e kalojmë këtë sprovë, ndërkohë që ura është më e hollë se qimja e flokut?

Pasi Profeti a.s u lexoi shokëve të tij ajetin:”Ata, që do të tubohen me fytyrat përmbys në Xhehenem, do të jenë në vendin më të keq dhe më të larguarit prej rrugës së vërtetë.”(Furkan, 34)

U tha:”Ditën e Kiametit, njerëzit do të tubohen duke ecur në këmbë, gjunjazi ose me fytyra përtokë.”

Dikush e pyeti:”E si do të ecin njerëzit me fytyrë o i dërguar i Allahut?!”

Profeti a.s u përgjigj:”Ai që i bëri të ecin me këmbë, do i bëjë të ecin dhe me fytyrë.”

Ai që na bëri të ecim në këmbë në këtë botë, do i bëjë besimtarët dhe njerëzit e ndershëm ta kalojnë urën e Siratit, edhe pse është më e hollë se qimja e flokut dhe më e mprehtë se shpata.

Direkt poshtë urës së Siratit, do të jetë xhehenemi, i errët dhe frikshëm. Thotë Zoti në Kuran, duke përshkruar xhehenemin:”gati për të shpërthyer me furi.” (Mulk, 7)

“Kur ai t’i vërë re prej së largu, ata do t’ia dëgjojnë vlimin dhe rënkimin.” (Furkan, 12)

“Ajo hedh shkëndija të mëdha sa një kala.” (Murselat, 32) Shkëndijat që ngjiten lart nga zjarri i xhehenemit, janë sa një kala.

Secili prej nesh do të kalojë mbi urën e Siratit e cila është e vendosur mbi zjarrin e xhehenemit, të cilin e përshkruajnë ajetet e mësipërme.

Jo vetëm që do të kalojmë, por secili do të mbajë mbi supe gjynahet që ka vepruar në këtë botë. Thotë Zoti në Kuran:”dhe do të bartin gjynahet e veta mbi shpinat e tyre. Eh, sa e shëmtuar është ajo barrë!” (En’am, 31)

Jo vetëm kaq, por kjo urë është e pajisur me çengelë dhe grepa, të cilat hidhen lart për të kapur çdo kënd që kalon në urë dhe për ta hedhur më pas në zjarr të xhehenemit.

Kur Abdullah ibnu Revaha dëgjonte ajetin:“Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai(Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt.” (Merjem, 71) shpërthente në të qara. Të pranishmit e pyesnin se përse qante dhe ai u përgjigjej:”E si të mos qaj kur Zoti më ka njoftuar se do të kaloj mbi atë urë dhe nuk më ka njoftuar se do e kaloj me sukses?!”

Një ditë, Profeti a.s kishte mbështetur kokën në prehrin e Aishes dhe po flinte. Aisheja po meditonte rreth Ditës së Kiametit dhe i shpërthyen lotë, të cilët ranë më faqet e Profetit a.s. Duke ndjerë lotët, Profeti a.s u zgjua dhe e pyteti:”Çfarë ke o Aishe? Përse po qan?”

Aisheja u përgjigj:”O i dërguar i Allahut! Më erdhi ndërmend Dita e Kiametit dhe pyesja nëse do i kujtojmë familjarët atë Ditë apo jo. A do e kujtojmë njerëz tonë të dashur Ditën e Kiametit?”

Profeti a.s iu përgjigj:”Po o Aishe, do i kujtojmë, përveç tre rasteve: Kur të peshohen veprat, kur të fluturojnë regjistrat e veprave dhe kur të kalojmë urën e Siratit.”

Gjatë kalimit të urës së Siratit, nuk të intereson gjë tjetër përveçse vetja jote. Mund ta dallosh nënën, babanë, bashkëshorten dhe fëmijët, por nuk tregon asnjë interes për ta. Mund ta dallosh vëllain mbi urë duke ulëritur, ndoshta edhe duke rënë, por nuk të shkon në mëndje t’i vish në ndihmë.

Ndërkohë që kalon urën, do të shohësh njerëz që bien në zjarr, por do të shohësh edhe të tjerë që të parakalojnë. Ata të parakalojnë atë ditë, ashtu siç të parakalonin në dynja me adhurimin, namazin, lutjet dhe përkushtimin.

Kalimi mbi urën e Siratit, do të bëhet pasi të jetë shkatërruar gjithçka në qiej dhe në tokë. Atë ditë nuk ekzistojnë më shtatë qiejt, as edhe toka. Thotë Zoti në Kuranin famë lartë:”Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe

qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah.” (Ibrahim, 48)

Kur një nga sahatet e dëgjoi këtë ajet, e pyeti Profetin a.s:”Po ne ku do të ndodhemi atë Ditë o i dërguari i Zotit?!”

Profeti a.s u përgjigj:”Mbi urën e Siratit.”

Atë ditë, njerëzit do të jenë në njërin nga tre vendet: Mbi urën e Siratit, në xhenet ose në zjarr.

Kur njerëzit të hyjnë në xhenet ose në zjarr, do të merret vdekja dhe do të theret sipër urës së Siratit. Thotë Profeti a.s:”Do të sillet vdekja në formën e një dashi dhe do të theret mbi Sirat. Më pas do të thërrasë një zë:”O banorë të xhenetit, do të jetoni dhe nuk do të keni vdekje. O banorë të zjarri, do të jetoni dhe nuk do të keni vdekje.”

Kalimi i urës së Siratit është një realitet të cilin do e përjetojmë të gjithë. Një nga shokët e Profetit a.s, pa një ditë një të ri që ecte i shkujdesur, sikur nuk e bënte gajle për asgjë. Ai e ndaloi dhe e pyeti:”O bir! A e din se do të kalosh mbi urën e Siratit?!

Djaloshi u përgjigj:”Po, e di.”

Sahabi e pyeti:”A je i sigurt se do e kalosh urën e Siratit në qoshen tjetër?”

Djali u përgjigj:”Jo.”

Sahabi i tha:”Atëherë përse ndihesh kaq i sigurt?”

Një mysliman vajti tek një i ditur dhe i tha:”Kur do të ndihemi të sigurt?”

I dituri iu përgjigj:”Nuk do të ndihemi të sigurt, derisa ta lëmë pas Siratin.”

Ura e Siratit është pika më e rëndësishme e cila të ndan nga vuajtjet dhe nga lumturia e amshuar.

Në momentin kur të nisesh për të kaluar Siratin, do të dëgjosh zëra të mbytur që vijnë nga xhehenemi, ulërima dhe vuajtje. Do të shohësh edhe çengelët që fluturojnë në ajër për të kapur ata që kalojnë mbi Sirat. Në fillimin e urës, do të përballesh me dy vlera, besueshmërinë (amanetin) dhe lidhjet e gjakut.

Thotë Profeti a.s:”Në dy anët e Siratit do të vendoset amaneti dhe lidhjet e gjakut.”

Aty do të vendoset trajtimi i keq që i ke bërë gruas, edukata e dobët që u ke dhënë fëmijëve, indiferentizmi për çështjen islame etj… Ashtu siç do të vendosen të afërmit me të cilët nuk je sjellë mirë. Secila prej tyre do i thonë Zotit:”O Zot! Mos e lejo të kalojë derisa të na kthejë të drejtën e mohuar.”

Profeti Muhamed a.s do të qëndrojë tek ura dhe do të lutet për myslimanët duke thënë:”O Zot! Shpëtoji! O Zot! Shpëtoji!”

Provoje t’i imagjinosh çastet kur do të vendosësh këmbën e djathtë mbi urën e Siratit. Imagjino sikur ke vendosur këmbën e djathtë dhe bëhesh gati të hedhësh të majtën. A e ndjen sa e hollë është? A e ndjen mprehtësinë e saj? A i dëgjon zërat e banorëve të zjarrit, të cilët nuk e kaluan dot këtë urë? A e shikon filan shok/shoqe që sapo ra nga ura? A e dëgjon zërin e saj duke kërkuar ndihmë?

Umeti mysliman do të jetë umeti i parë që do të kalojë urën e Siratit. Këtë e thotë Profeti a.s në një hadith:”Unë dhe umeti im do të jemi të parët që do të kalojmë urën e Siratit.”

Në fillim, do të jetë errësirë e madhe, saqë nuk dallon asgjë, por menjëherë do të ndizet një dritë. Kjo dritë, do i ndizet çdokujt që kalon Siratin dhe do të ndriçojë sipas forcës së besimit të tij në dynja. Drita e disave do të jetë e madhe sa një mal. E disa të tjerëve do të jetë sa një pemë, disave sa është hija e tyre, disa të tjerëve sa bastuni, disave sa gishti i madh i këmbës, herë ndizet dhe herë u fiket. Atyre do u thuhet:”Ecni mbi Sirat sipas dritës që keni.”

Po drita jote o vëlla dhe oj motër sa do të jetë atë Ditë? A e keni menduar ndonjëherë se me çfarë drite do të kaloni Siratin? A ke menduar se mund të të fiket kjo dritë në çastet më kritike, sepse ke pasur besim të dobët në këtë botë?

Thotë Profeti a.s:”Ka njerëz që do e kalojnë urën e Siratit sa hap e mbyll sytë. Të tjerë do e kalojnë si era dhe të tjerë si shkreptima.”

Dikush e pyeti:”E si do e kalojë si shkreptima o i dërguar i Allahut?!”

Profeti a.s u përgjigj:”A nuk e keni parë shkreptimën që shfaqet dhe zhduket menjëherë? Ashtu do e kalojnë urën e Siratit këta njerëz.”

Ka të tjerë që do e kalojnë urën me shpejtësinë e një zogu, të tjerë me shpejtësinë e një kalorësi, të tjerë do e kalojnë këmbadoras, të tjerë do e kalojnë duke u zvarritur, të tjerë do të rrëshqasin dhe do të kapen për Sirati dhe ashtu do të kalojë gjer në fund. Ka të tjerë që do e kalojnë pjesën më të madhe të urës dhe me t’u afruar pranë derës së xhenetit, do të bjerë, sepse kanë qenë hipokritë.

“Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt.” (Merjem, 71)

Ata që do kenë fatin ta kalojnë shpejt, menjëherë do të gjendet para derës së xhenetit. Kurse ata që do e kalojnë ngadalë, sepse me avashllëk e patën marrë dhe çështjen e fesë në dynja, do të vuajnë. Herë do të rrëzohen, do të ngrihen, do shpohen nga çengelët, do u merren këmbët, do të kërkojnë ndihmë, do të jenë të frikësuar, mbi supe mbajnë gjynahet etj… Në ato çaste atyre u kalon e gjithë jeta para syve. Gjithë dëshpërim kritikojnë veten dhe thonë: Ah sikur të isha falur, ah sikur ta kisha veshur hixhabin, ah sikur të kisha lexuar Kuran…

Thotë Zoti duke përgëzuar besimtarët:“Ditën që do të shohësh besimtarët dhe besimtaret, me dritën e tyre që shkëlqen para dhe në të djathtë të tyre (e do t’u thuhet):“Lajm i mirë sot për ju: kopshtet e Xhenetit nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të banoni përgjithmonë. Kjo është fitorja më e madhe!” (Hadid, 12)

Kurse mynafikët dhe hipokritët, duke parë besimtarët që e kalojnë urën në dritë, u thonë:”

“Atë Ditë, hipokritët dhe hipokritet do t’u thonë besimtarëve:“Na prisni edhe ne që të marrim nga drita juaj”! Por atyre do t’u thuhet: “Kthehuni prapa e kërkoni tjetër dritë!”(Hadid, 13)

Nëse kërkoni dritë, duhet të ktheheni sërish në dynja, atje është burimi i dritës së besimit.

Përse e vonon namazin e sabahut o vëlla? Përse e vonon të pajtuarit me vëllain, kushëririn, dajën etj…? Përse e shtyn adhurimin e Zotit? Përse e shtyn veshjen e shamisë o motër? Përse e shtyn kthimin tek Zoti?

Dhe, ndërmjet tyre, do të vendoset një mur me portë: brenda saj ka mëshirë, kurse jashtë saj ka dënim. “A nuk kemi qenë me ju?” – do të thërrasin ata. – “Po, – do t’u përgjigjen, – por ju e çuat veten në tundim, pritët, dyshuat dhe u mashtruat nga vetë dëshirat tuaja të kota, derisa arriti urdhri i Allahut, e djalli ju mashtroi për Allahun!” (Hadid, 13-14)

Një e veçantë është se ajeti gjashtë i sures Fatiha është:”Udhëzona në rrugën e drejtë!” ku në arabisht, rruga e drejtë shprehet me fjalët “Sirat mustekim”. Pra, ashtu si ura ku do të kalojmë para se të hyjmë në xhenet quhet Sirat, ashtu dhe rruga që duhet të ndjekë njeriu në këtë botë quhet Sirat. Kjo, pasi është e njëjta rrugë dhe urë. Ajo e botës tjetër, nuk është veçse vazhdim i asaj të kësaj bote. Sikur Zoti na thotë: Nëse ecën ashtu siç dua Unë në Siratin e dynjasë, do të bëj të ecësh si të duash në Siratin e botës tjetër. Gjithçka që do të veprosh gjatë Siratit të dynjasë, do e gjesh të konkretizuar në Siratin e botës tjetër. Që nga dita që lind dhe vjen në këtë botë dhe gjer në ditën kur të hysh në xhenet, ti o njeri ecën mbi një rrugë, Sirat, të vetëm. Në momentin që vdes, ti ke shkelur mbi rrugën e botës tjetër, e cila të çon në xhenet ose në zjarr. Grisja e perdes së  turpit mes teje dhe Zotit, është çarje dhe grisje e trupit nga çengelët dhe kanxhat mbi urën e Siratit. A e ndjen sa të ngadaltë janë hapat e tu mbi Sirat? Është e njëjta shpejtësi me të cilën ti nxitoje për të zbatuar urdhrat e Zotit në dynja. Fillimi i Siratit të kësaj bote, është ndjekja e profetit Muhamed a.s. Kurse fillimi i Siratit të botës tjetër, është takimi me Profetin a.s, i cili lutet për të gjithë. Fundi i Siratit të kësaj bote është varri, i cili për besimtarit shndërrohet në një nga kopshtet e xhenetit. Kurse fundi i Siratit të botës tjetër është dera e xhenetit. Të devijosh rrugën nga Sirati i kësaj bote, do të thotë:”Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar.” (Taha, 124) Kurse devijimi i Siratit të botës tjetër, është rënia përfundimtare në zjarrin e xhehenemit. Fitnet dhe sprovat e kësaj bote, janë çengelët dhe grepat e botës tjetër. Drita e veprave të mira në këtë botë, do të të ndriçojë udhën dhe në botën tjetër, sidomos gjatë kalimit të Siratit.

Je ti o njeri ai që e cakton shpejtësinë me të cilën do të kalosh urën e Siratit. Je ti ai që e zgjedh nëse do e kalosh, apo do të biesh. Je ti ai që e zgjedh nëse do të arrish tek dera e xhenetit, apo do të biesh nga Sirati në zjarr.

Sepse sureja Fatiha përmban ajetin:”Udhëzona në rrugën e drejtë!” është përzgjedhur për ta lexuar në çdo namaz dhe në çdo rekat. Boshti i sures Fatiha, është pikërisht ajeti i lartpërmendur.

Ajetet e para të sures Fatiha, lëvdojnë, madhërojnë dhe lartësojnë Zotin. Ato shërbejnë si hyrje për t’i kërkuar Zotit më pas, që të na udhëzojë në rrugë të drejtë.“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të GjithëmëshirshmitF, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (Fatiha, 1-5)

Kurse ajetet që vijnë më pas, shtjellojnë llojin e rrugës (Siratit) të drejtë.

“Në rrugën (sirat) e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” (Fatiha, 7)

Në këtë rrugë, do të gjesh shoqërinë e mirë dhe besimtarët e devotshëm. Treguesit e kësaj rruge të drejtë, janë ata mbi të cilët Zoti ka derdhur mirësitë e Tij dhe ata janë profetët, shokët e Profetit a.s dhe njerëzit e mirë. Ato që të devijojnë nga kjo rrugë, janë dy gjëra: Epshet dhe dyshimet. Përfaqësuesit e këtyre dy faktorëve devijues, përmenden në fjalët e fundit të Fatihasë. Të parët, janë ata që kanë shkaktuar zemërimin e Zotit dhe të dytët janë të humburit. Ata që shkaktuan zemërimin e Zotit, janë ata që ndoqën epshet e tyre, kurse ata që janë të humbur, janë ata që ndoqën ideologji të gabuara.

çengelët që do të fiksohen në dy anët e urës së Siratit, do të jenë sipas gjynaheve të vepruara prej tij në dynja. Një nga këto çengelë do të jetë për gënjeshtrat. Ai do të këtë si objektiv të gjithë gënjeshtarët dhe sipas gënjeshtrave, do të jenë dhe dëmet që u shkaktojnë. Një çengel tjetër, ndoshta edhe i madh dhe i mprehtë, do të jetë për të gjithë ato vajza që kanë tradhtuar besimin e familjes dhe janë shoqëruar me djem, duke u ndotur me gjynahe të rënda. Një çengel i frikshëm dhe që do e hedhë dikë nga ura e Siratit, do të jetë distancimi nga adhurimi i Zotit pas muajit të Ramazanit.

 

Përshkrimi i Siratit të kësaj bote

Një nga cilësitë më kryesore të kësaj rruge (sirat), cilësi të cilën e përmend dhe Zoti në suren Fatiha, është “e drejtë”. Kjo rrugë (sirat) e piketuar nga vetë Zoti i madhëruar, nuk mund të jetë e shtrembër. Duke qenë e drejtë, ajo është edhe e kollajtë për t’u përshkuar dhe është rruga më e shkurtër dhe e vetmja që të çon në destinacion. Ateizmi, komunizmi, fashizmi dhe të gjithë rrymat ideologjike të tjera, veç sa të largojnë nga destinacioni i duhur.

E tillë është edhe ura e Siratit të botës tjetër. Për besimtarët, ajo është krejt e lehtë për t’u përshkuar. Ata do e kalojnë sa hap e mbyll sytë. Me kalimin e kësaj ure, besimtari do të gjendet përballë derës së xhenetit.

Në një hadith, Profeti a.s përshkruan rrugën (sirat) e kësaj bote me imtësi dhe detaje. Këtë ai e bëri duke e pikturuar idenë e tij mbi rërë. Me këtë, Profeti a.s është i pari që përdor mjete pamore për të përçuar sa më mirë idenë e tij.

Tregon një nga shokët e tij:”Teksa qëndronim të ulur rreth Profetit a.s, ai vizatoi një vijë të drejtë në rërë dhe tha:”Kjo është rruga e Zotit.” Më pas, në dy anët e vijës së drejtë, ai bëri disa vija të shtrembra dhe tha:”Këto janë rrugë, në krye të secilës ndodhet një shejtan që i fton kalimtarët për në xhehenem.” Më pas ai recitoi ajetin:”Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” (En’am, 153)

I dashur lexues! Unë të këshilloj që të mos e harrosh Siratin e botës tjetër, me qëllim që të mos e harrosh destinacionin përfundimtar dhe të mos humbasësh në rrugët e epsheve dhe dyshimeve.

Për të na ndihmuar të shohim Siratin e botës tjetër nga Sirati i kësaj bote Profeti a.s thotë në një hadith:”Zoti ka sjellë si shembull një rrugë (sirat) të drejtë. Në dy anët e rrugës, ndodhen dy mure. Në çdo mur, ndodhen dyer të hapura, të mbuluara me perde të bukura. Në krye të rrugës së drejtë, ndodhet një ftues që i fton njerëzit t’i përmbahen vetëm rrugës së drejtë. Ai u thotë njerëzve:”O njerëz! Ndiqni këtë rrugë dhe mos devijoni!” Në mes të rrugës, ndodhet një ftues tjetër që u thotë njerëzve:”Të mjerët ju! Mos i hapni perdet! Nëse do i hapni, do të hyni brenda dhe do të humbisni!”

Më pas, Profeti a.s thotë duke komentuar hadithin:”Sirati i lartpërmendur, është rruga e Zotit. Dy muret anësorë janë ndalesat e Zotit. Dyert janë dyert e haramit. Perdet e bukura mbi dyer, janë dekoracionet e shejtanit mbi dyer. Nëse do të hyni në ato dyer, do të bini në xhehenem. Ftuesi që ndodhet në krye të rrugës është Kurani famëlart. Ftuesi që ndodhet në mes të rrugës, është ndërgjegjja e pastër që Zoti e ka vendosur tek çdo njeri.”

Perdet që mbulojnë dyert janë shumë të bukura dhe tërheqëse. Në njërën nga këto dyer, shkruhet “Imoralitet” (zina). Kurse perdja që e mbulon është me ngjyrë të kuqe dhe mbi të shkruhet “dashuri”. Me ta hapur perden, do të hysh në këtë derë dhe e ke shumë të vështirë të dalësh sërish prej saj. Unë të bëj thirrje ty o vëlla dhe oj motër, të mos e hapni këtë perde. Nëse do të hysh në këtë derë, do e kesh të vështirë të kalosh urën e Siratit në botën tjetër.

Mbi një derë tjetër, unë shoh të shkruar “Alkooli është i ndytë”. Por mbi perden me ngjyrë të verdhë dhe tërheqëse është shkruar “Bëhu burrë dhe provoje një herë”. Mbi një derë tjetër shoh të shkruar “Lakuriqësia”, por që mbi perden me ngjyra të ndryshme është shkruar “Moda”. Mbi një derë tjetër shoh të shkruar “Islami nuk vlen për çdo kohë dhe vend” por mbi perden e pa ngjyrosur shkruhet “Liria e mendimit”. Mbi një derë tjetër shoh të shkruar “Pasuri e pandershme”, por mbi perden me ngjyrë të zezë shkruhet “Pehlivanllëk”. Mbi një derë shoh të shkruar “Rrënim i vendeve myslimane”, por mbi perde shoh të shkruar “Urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja”. 

Unë i druhem se po hyre në njërën nga këto dyer, apo më shumë se një, nuk do të dini të dilni sërish prej saj. Për të mënjanuar këtë, unë u këshilloj të shoqëroheni me njerëz të mirë. Edhe nëse rrëshqet, shokët e mirë të nxjerrin sërish dhe të ndriçojnë rrugën. Unë i druhem se ka të rinj që thonë: Unë nuk veproj haram, thjesht dua të qëndroj në shoqërinë e shokëve të cilët mund të pinë, drogohen etj…, thjesht po shoh perden.

Vëlla dhe motër e dashur! Edhe nëse rrëshqisni dhe e hapni njërën nga këto perde, mos ia lejoni vetes të zhyten aq thellë sa e keni të pamundur të ngriheni sërish. Nëse rrëshqet dhe vepron diçka të ndaluar, pendohu dhe kërkoji Zotit falje.

Unë i druhem që një nga të rinjtë myslimanë, ndoshta edhe një nga lexuesit e këtyre rreshtave, të vdesë jashtë rrugës (sirat) së drejtë. Nëse vdes jashtë rrugës së drejtë, rënia jote nga ura e Siratit në xhehenem, është e sigurt.

Unë i druhem fenomenit që shoh tek shumë të rinj, të cilët premtojnë se do të përkushtohen në fe, herë falen dhe herë e braktisin krejtësisht, herë e veshin hixhabin dhe herë e heqin, herë pendohen dhe herë të tjera nuk pyesin se çfarë gjynahu po veprojnë. Gjendja e tyre, do të jetë e tillë edhe ditën kur të kalojnë mbi urën e Siratit.

Unë i këshilloj të gjithë myslimanët që të vdesin duke qenë në rrugë të drejtë dhe të mos vdesin duke hapur perdet apo duke hyrë tek dyert e haramit. Mos ia lejo vetes të vdesësh duke u zhytur thellë e më thellë në haram.

Kur Zoti e dëboi shejtanin nga mëshira e Tij, ai i tha:“Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë.” (Araf, 16)

Pra, misioni i shejtanit është që të çojë në rrugët e shtrembëta anësore, ose thënë shkurt drejt haramit. Për këtë, ai përdor perdet e zbukuruara dhe joshëse. Janë këto perde (aparenca) ato që të mashtrojnë. Janë fjalët e bukura të një djali, premtimet e tij për martesë, xhirot etj… ato që e mashtrojnë një vajzë për t’u bërë pre e epsheve të tij. Rruga e drejtë për një vajzë të tillë është martesa dhe jo lidhjet jashtëmartesore. Rruga e drejtë për dikë që kërkon të fitojë pasuri, është fitimi i saj në rrugë të ndershme dhe hallall. Rruga e drejtë për një femër që kërkon të ruajë nderin e saj, e ka emrin hixhab. Rruga e drejtë për një besimtar mysliman, e ka emrin namaz dhe adhurim. Gurët kilometrikë të kësaj rruge të drejtë, mbesin gjithmonë shokët e mirë.

 

Përgëzime profetike

Thotë Profeti a.s:“Përgëzoji ata që ecin në errësirë për në xhami, me dritë të plotë ditën e kiametit.“

Ata besimtarë që e falin sabahun në xhami, do të kenë dritë të plotë kur të kalojnë mbi urën e Siratit.

Thotë Profeti a.s për ata që u kanë vdekur fëmijë të vegjël:”Do ta kalojnë urën e Siratit dhe nuk do të bien në zjarr, një baba ose një nënë, të cilëve u kanë vdekur tre fëmijë.”

Një grua, kur e dëgjoi këtë hadith, e pyeti:”O i dërguar i Allahut! Po nëse ka një prind të cilit i kanë vdekur vetëm dy fëmijë?”

Profeti a.s u përgjigj:”Edhe dy.”

Ajo e pyeti sërish:”Po sikur të kenë vetëm një fëmijë të vdekur?”

Profeti a.s u përgjigj:”Edhe një.”

Një faktor tjetër që ndihmon në kalimin e kësaj ure është edhe ndihma që i ofron një personi në nevojë. Thotë Profeti a.s:”Kush i zgjidh një hall vëllait të tij, Zoti do ia forcojë këmbët Ditën e kiametit mbi Sirat.”

Të jesh i besueshëm (me amanet) dhe të shkosh mirë me farefisin, janë dy faktorë ndihmues për të kaluar urën e Siratit, Ditën e Kiametit.

Një faktor tjetër që ndihmon për kalimin e urës së Siratit është pendimi. Thotë Zoti në Kuran:“O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”. (Tahrim, 8)

Nëse dikush kërkon të ecë në rrugën e drejtë dhe të duhur, le t’i përmbahet porosive të Kuranit dhe porosive të profetit Muhamed a.s. Thotë Zoti në Kuranin famëlart:“Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë.” (Shura, 52)

Kurani dhe tradita e Profetit a.s janë udhëzuesit më të mirë drejt rrugës së drejtë. Për të respektuar sa më shumë normat dhe porositë hyjnore, shoqërohu me njerëz të mirë dhe besimtarë.

E ke ti o vëlla dhe oj motër në dorë që të mos biesh nga ura e Siratit në botën tjetër. Ndriçojeni urën e Siratit me namaz në xhami, sidomos namazin e mëngjesit.

Detyra që na del në fund të kësaj teme, është që të kapim për dore një person nga ata që i duam dhe t’i themi:”Le ta kalojmë bashkërisht me sukses rrugën e drejtë në këtë botë, me qëllim që ta kalojmë po me sukses urën e Siratit në Botën Tjetër.”

Le ta duam njëri-tjetrin pa kushte ashtu siç na porosit Zoti dhe Profeti a.s, pasi ajo është mënyra e vetme që na garanton suksesin në këtë botë.

lexo

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here