Një lutje e vogël për ty, laja duart nënës tënde!

0
535

Ai u diplomua me notë të lartë, ishte i kënaqur me suksesin e arritur dhe ishte i sigurtë se po e priste një karrierë e bukur.
Një nga kompanitë më të mëdha në vendin e tij kishte shpallur konkurs për plotësimin e disa vendeve të caktuara. Menjëherë e paraqiti dokumentacionin e nevojshëm dhe e kaloi intervistën e parë. Intervista përfundimtare nga e cila varej nëse do të pranohet, ishte biseda me drejtorin gjeneral të asaj kompanie. Derisa po qëndronte para drejtorit dhe ky po i shikonte dokumentet e tij, e ngriti shikimin në drejtim të tij dhe filloi ta pyeste:
Drejtori: “A keni pasur bursë gjatë studimeve tuaja?”
Djaloshi: “Jo, kurrfarë burse nuk kam pasur.”
Drejtori: “A i ka paguar babai yt shpenzimet për studimet tuaja?”
Djaloshi: “Jo, babai im vdiq kur unë isha vetëm një vjeç, nëna ime më shkolloi gjatë gjithë kohës.”
Drejtori: “Ku është e punësuar nëna jote, ku punon ajo?”
Djaloshi: “Ajo, në fakt, nuk është e punësuar në ndonjë kompani, ajo në shtëpi i lanë dhe hekuros rrobat e njerëzve të tjerë.“
Pastaj drejtori i kërkoi që t’ia tregojë duart e tij! Kur ia tregoi, ato ishin dy duar të bardha dhe të buta.
Drejtori e pyeti: “A i ke ndihmuar ndonjëherë nënës tënde për larjen e rrobave?”
Djaloshi: “Jo, ajo nuk më lejonte, vazhdimisht më thoshte të mësoja dhe ta përsërisja mësimin.”
Drejtori: “Mirë, shiko, E KAM PËR TY NJË KËRKESË TË VOGËL, TË LUTEM SHKO NË SHTËPI DHE LAJI DUART E NËNËS TËNDE!“
Djaloshi fillimisht u hutua, por kur është fjala për punë, atëherë nuk ka habi dhe shaka. Shkoi në shtëpi dhe ia shpjegoi nënës kërkesën e drejtorit duke iu lutur asaj që t’ia lante duart. Kur nëna dëgjoi për punë, u gëzua shumë, por në të njëjtën kohë u çudit për këtë kërkesë, megjithatë, pranoi që djali i saj t’ia lante duart e saj.
Djaloshi hodhi ujë në tenxhere dhe filloi t’ia lante duart. Derisa po i lante filloi të qajë. Vetëm tani, për herë të parë në jetën e tij, pa se në çfarë gjendje janë duart e nënës së tij. Ato ishin të plasaritura, lëkura ishte e vrazhdë dhe e ashpër, në to ishin plagët e vjetra, duart e saj ishin të ënjtura dhe të fryra … ai po qante si fëmijë. Vetëm tani, për herë të parë, djaloshi e kuptoi se ato dy duart ishin të cilat e kishin ushqyer dhe shkolluar, dhe se çdo gjë që kishte në jetë, e kishte nga ato dy duart …
Kur e mbaroi larjen, ai e puthi nënën në ballë, e pastaj i lau me duart e tij të gjitha rrobat dhe i hekurosi. Atë natë ata qëndruan për një kohë të gjatë dhe biseduan.
Të nesërmen, kur me lot në sy erdhi te drejtori, dhe kur i tregoi atij se çka i kishte ndodhur, si dhe që ai pjesën tjetër të rrobave i kishte larë vet, drejtori e pyeti se çka kishte mësuar nga e gjithë kjo, ndërsa ai u përgjigj:
“Kam mësuar si në vijim:
1) E kuptova kuptimin e vërtetë të fjalës “mirënjohje”;
2) Po të mos ishte nëna ime, sot nuk do të isha ky që jam;
3) Kuptova se sa të vështira janë disa punë për t’i bërë;
4) E kuptova rëndësinë e familjes.
Drejtori qeshi dhe tha: “Unë e kam kërkuar një punëtor të këtill, i cili do të dijë ta vlerësojë punën dhe përpjekjet e tij dhe do t’i ndihmojë të tjerët”.

Përshtati: Miftar Ajdini