Myftiu që injoroi diktatorin Hoxha, vdiq nga torturat e komunistëve

0
192

Pasi refuzoi lartësimin e komunizmit përballë Enver Hoxhës, arrestohet në vitin 1947 dhe torturohet për disa muaj deri sa vdiq….

Ishte koha kur edhe Zoti shpallej armik! Historia e Myftiut të Durrësit Mustafa Varoshi dhe përballja e tij me diktaturën në vitet e para të komunizmit. Pasi refuzoi lartësimin e komunizmit përballë Enver Hoxhës, arrestohet në vitin 1947 dhe torturohet për disa muaj deri sa vdiq. Mesazhi që dha edhe në qeli ku qëndronte me klerikun tjetër të njohur katolik Atë Vinçens Prenushi.

Në Durrës, edhe pse kanë kaluar vite, ende flitet për të. Myftiu Mustafa Varoshi sfidoi diktaturën duke mos iu nënshtruar çmendurisë së saj dhe pranoi të dhunohej fizkisht, aq sa i morën jetën në qeli, por nuk u dorëzua asnjëherë shpirtërisht, duke mposhtur sistemin dhe në një rast edhe sy më sy diktatorin Enver Hoxha. Edukatën morale, fetare e atdhetare Mustafa Varoshi fillimisht e mori nga i ati, i cili ishte njëri i nderuar dhe myderiz në qytetin e Durrësit. Pasi mbaroi Medresenë e Tiranës, i vazhdoi studimet e larta në Arabinë Saudite. I pajisur me kulturë të gjerë fetare dhe laike, ai kthehet në vendlindje. Në vitin 1924, në moshën 27 vjeçare, emërohet imam në xhaminë Varosh të Durrësit, duke u bërë shpejt i njohur si një predikues bindës dhe i vlerësuar në komunitet. Ishte koha kur klerikët krahas besimit, predikonin harmoninë fetare dhe atdhetarinë. Njohja e tetë gjuhëve të huaja, kultura e fituar jo vetëm teologjike por edhe laike, bënë që Mustafa Varoshi më 1942, së bashku me Muhamed Xhumin të ftoheshinn në Bolonja, ku zhvilloi edhe një takim me konsullin kishtar të qytetit. Jo rastësisht ftesa ishte për këtë klerik të njohur. Të moshuarit ruajnë të gjalla në kujtesë ato shëtitje që bënin në rrugët e qytetit apo në vizitat që shkëmbenin të tre klerikët e nderuar të qytetit: Myftiu Mustafa Varoshi, Papa Erazem Jorgos dhe Atë Jul Bonati.

Pas viteve të luftës, një betejë po aq e madhe i priste intelektualët dhe klerikët, ajo ishte diktatura komuniste. Myftiu ishte ndër hartuesit e peticionit drejtuar qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, për familjen e Ali Saraçit e të dy shokëve të tij, ku mblidhte firmat e qytetarëve durrsakë të shtresave të ndryshme, por peticioni nuk u mor parasysh e të tre të rinjtë u pushkatuan. Myftiu foli në xhami, duke dënuar “aktin e shëmtuar të marrjes së vendimit nga ana e gjykatës ushtarake dhe dënimin e të pafajshmëve”. Duke njohur autoritetin që gëzonte në popull, jo vetëm në Durrës, por në një zonë të gjerë të Shqipërisë se Mesme, Enver Hoxha e thirri në Tiranë Mustafa Varoshin dhe u përpoq ta vinte në shërbim të qëllimeve të diktaturës. Myftiu nuk u tërhoq aspak, duke hëdhur poshtë me përbuzje çdo propozim që lartësonte diktaturën dhe shtypte liritë e njeriut. Në shtator 1947 e arrestuan dhe e mbyllën në birucën e bodrumit të Degës së Punëve të Brendshme të qytetit. Hetuesit kishin vetëm një detyrë për të “gjunjëzuar” klerikun Mustafa Varoshi, të sajonin sa më shumë akuza. Njëra prej tyre ishte edhe se qe agjuent i gjermanëve. Duke njohur mirë gjuhën gjermane, Varoshii kishte shkuar në komandën gjermane në Durrës, duke u kërkuar që të mos hidhej në erë një ura në Shijak, pasi ishte në dëm të banorëve. Shumë tortura kaloi Varoshi, aq sa i shpërfytëruar pamjen kur doli në gjyq dhe në hakërrim i komunikuan se ishte dënuar me 20 vjet burg. Në kujtimet e tij, Mustafa Xhumri, (ish i burgosur së bashku me Myftiun) shkruan se: “Figura e këtij kleriku na pezmatonte të gjithë neve, që vuanim egërsisht në birucat e këtij burgu dhe na dukej çnjerëzore qenia e tij e më vonë edhe e klerikut tjetër të qytetit tonë të fesë katolike, atë Vinçenc Prenushi, të cilët me sa më kujtohet, kishin miqësi të lidhur prej kohësh midis tyre dhe një respekt për t’u admiruar”. Pas turturash të shumta, kushteve të rënda në qeli, Mustafa Varoshi vdiq në burg në moshën 51 vjeçare, më 7 mars 1948, duke lënë pas shembullin e harmonisë fetare dhe forcës për të mos iu nënshtruar sitemit gjakatar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here