A e dini cila është dita juaj më e lumtur dhe më e rëndësishme në jetë?

0
194

A është ndoshta dita e martesës, apo dita e maturës, apo dita kur keni diplomuar në fakultet, apo dita kur jeni punësuar?

Njeriu i cili e ka larguar nga rruga një degë e cila i pengonte kalimtarët, ai nuk e ka ditur se ajo do të jetë dita më e rëndësishme dhe më e lumtur e jetës së tij, sepse Allahu e ka falënderuar për këtë vepër të mirë dhe ia ka falur mëkatet.

Gruaja prostitute, nuk ka pritur se dita, kur e ka ngopur me ujë një qen, i cili po mbaronte nga etja, do të jetë dita e saj më e rëndësishme dhe më e lumtur e jetës, sepse Allahu e fali për këtë vepër të mirë.

Dita më e rëndësishme në jetën e Jusufit (a.s.), ka qenë dita kur është gjetur ballë për ballë me gruan e bukur të sundimtarit, e cila u përpoq ta shtynte të bënte mëkat, duke i thënë: “Eja!”, kurse ai i tha asaj: “Zoti na ruajt!” Për këtë, Allahu e shpërbleu me shpërblimin më të bukur dhe e bëri të afërm për Vete, duke e konfirmuar sinqeritetin dhe devotshmërinë e tij në ajetin kuranor: “…Kështu ka qenë kjo, për ta ruajtur Na atë nga mëkati dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ka qenë nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 24)

Dita më e rëndësishme dhe më e lumtur në jetën e sahabëve, të cilët morën pjesë në betejën e Bedrit, ka qenë dita, kur u është thënë: “Bëni gjithçka që dëshironi, jeni të falur.”

Dita e jetës për sahabiun fisnik Talha (r.a.), ka qenë dita e betejës së Uhudit, kur me trupin e tij e ka mbrojtur Pejgamberin (savs) dhe ka marrë shumë plagë, meqë rast Pejgamberi (savs), i ka thënë: “O Talha, ti e ke të garantuar xhenetin.” Kurse Ebu Bekri (r.a.) ka thënë: “Dita e betejës së Uhudit ishte dita e Talha-s.”

Njeriu përjeton ditën më të madhe dhe regjistrohet në radhën e të lumturve për shkak të ndonjë situate të veçantë dhe ndonjë veprimi, për të cilin Allahu i Plotfuqishëm ia jep mundësinë dhe ia nënshtron shkaqet, të cilat e çojnë deri te ai qëllim.

Cila është dita jonë e jetës?

A e kemi kuptuar, apo ende nuk e dimë se cila është ajo ditë?

Ndoshta ajo është dita kur neve fshehurazi na kanë rrjedhë lotët nga devotshmëria.

Ose dita kur, në emër të Allahut, e kemi kundërshtuar thirrjen e pasionit, duke pasur mundësi që ta kryejmë një mëkat.

Ose kur kemi sjellë gëzim në zemrën e një muslimani.

Ose kur e kemi ledhatuar kokën e një jetimi.

Ose kur ia kemi puthur dorën nënës sonë.

Ose kur e kemi takuar një vëlla musliman me buzëqeshje në fytyrën tonë.

Ose kur kemi dëshmuar me drejtësi dhe ia kemi thënë të vërtetën në fytyrë zullumqarit, edhepse na kanë kërcënuar me dënime dhe sanksione.

Ose kur, në emër të Allahut, i kemi ndihmuar një njeriu të dëmtuar.

Ose kur e kemi mbuluar turpin e dikujt tjetër.

Ne këtë nuk e dimë, prandaj nuk duhet t’i humbim shpresat dhe nuk duhet ta nënvlerësojmë asnjë vepër të mirë, edhe nëse në sytë tanë duket e vogël dhe e parëndësishme.

Përkthim: Miftar Ajdini

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here