Jusuf Thaçi, Myftiut Tërnava: Dorëheqja është cilësi e të guximshmëve dhe të ndershmëve!

0
247

Me gjithë sugjerimet e shumë miqve që për shkak të ndjeshmërisë së temës të mos shprehem publikisht, megjithatë nuk po më zë vendi-vend pa e thënë qëndrimin tim në lidhje me zhvillimet e sotme rreth arrestimit të disa imamëve e zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) dhe qëndrimit të BIK-ut në lidhje me këtë.

Andaj po i drejtohem publikisht kryetarit të BIK-ut, z. Naim Tërnava.

Z. Tërnava, sot u arrestuan më shumë se 10 imamë të xhamive (kryesore) e zyrtarë të BIK-ut, pra punëtorë dhe vartës tuaj. Qëndrimi zyrtar neutral i BIK-ut me fraza demagogjike “askush mbi ligjin” shpërfaqë njëjusuf hipokrizi të pështirë që nuk i ka hije një institucioni, që para së gjithash do të duhej të ishte institucion moral.

Jo ore zotëri, merrni kurajon dhe:

– Nëse besoni në pafajësinë e vartësve tuaj të arrestuar, atëherë dilni e mbroni publikisht dhe mobilizoni të gjitha burimet profesionale e financiare të BIK-ut për t’i mbrojtur ligjërisht të arrestuarit, pavarësisht presionit publik, medial e politik.
– Nëse besoni në fajësinë e vartësve tuaj të arrestuar, atëherë dilni e denonconi publikisht dhe jepni dorëheqje në shenjë të pranimit të paaftësisë tuaj për të parandaluar kryerjen e veprave ligjërisht të dënueshme nga vartësit tuaj.
– Nëse nuk keni qëndrim (nuk besoni as në fajësinë e as në pafajësinë e vartësve tuaj të arrestuar), atëherë jepni dorëheqje në shenjë të pranimit të papërgjegjshmërisë tuaj, si person që e udhëhiqni BIK-un për gati një dekadë e nuk i njihni ende vartësit tuaj.

Z. Tërnava, heshtja, neutraliteti e strukja janë cilësi e qyqarëve! Dorëheqja është cilësi e të guximshmëve dhe të ndershmëve!

P.S: Për shkak të ndjeshmërisë së temës dhe mundësisë së shtrembërimit të mesazhit tim, nuk do të lejoj komente emocionale në këtë postim, as pro as kundër askujt!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here