FRM kundër Serbisë pro Osmanlinve !

0
588

Forumi i të Rinjve Mysliman, i cili ka ftuar kosovarët që nesër ta festojnë me lutje drejtuar Allahut – siç thonë ata – çlirimin e Kosovës, pikërisht në kohën kur serbët ia mësyjnë Gazimestanit. Lutjet thonë se duhet t’i drejtohen edhe Turqisë, në mënyrë që ajo të investojë sa më shumë në vendin tonë.

Derisa serbët e Kosovës për çdo vit mblidhen në Gazimestan për të festuar Betejën e Kosovës, ka dalë dikush tjetër që e ka ftuar popullim kosovarë që 28 qershorin ta kenë festë të tyre.

Është Forumi i të Rinjve Mysliman në Kosovë (FRM) që nëpërmjet një ftese për media, ka vendosur që t’i thërras shqiptarët që atë ditë ta festojnë ditën e çlirimit të atdheut nga serbët, e jo të kundërtën siç bën populli serb në Kosovë për çdo vit.

Duke i uruar popullit ditën e çlirimit të Kosovës, FRM ka apeluar që nesër të gjithë kosovarët t’i luten Allahut që ta bekojë Kosovën me shqiptarë e islamë, pikërisht në kohën kur serbët nisen drejt Gazimestanit, me lutje të tregojnë se bijtë e sulltanit janë ende gjallë.

“28 qershori është një ditë feste por edhe dhimbje. Festa është çlirimi dhe hapja e Kosovës ndaj Islamit dhe shqiptarisë, dhimbja është pabesia e Milloshit të Serbisë”, thuhet në ftesën e forumit mysliman, sipas të cilit çlirimi i Kosovës nga aleanca shqiptaro-turke e udhëhequr nga sulltan “Murati I”, dhe rënia shehid e sulltanit nga serbi Millosh Kopili është një ditë e shënuar në historinë e popullit të Kosovës.

Sipas FRM’së ashtu si në vitin 1999 kur u çliruam nga trupat e NATO’s, edhe në vitin 1389 populli i Kosovës ishte pjesë e aleancës së madhe botërore të udhëhequr nga Turqia nëpërmjet të cilës ajo e çliroi vendin tonë nga zgjedha serbe e Car Llazarit, Millosh Kopilit, Ivan Kastriotit, Çernojeviqëve etj.

“Forumi i të Rinjve Myslimanë të Kosovës i apelon popullit kosovar që sot 624 vite pas fitores së Kosovës dhe shehidllëkut të sulltan Muratit, në datë 28 qershor t’i luten Allahut që ta bekojë Kosovën me shqiptarë dhe Islam ashtu siç e bekoi për 500 vitet e Perandorisë Osmane”.

E përveç Kosovës, ky forum i sugjeron kosovarëve që lutje të bëjnë edhe për Turqinë.

“Dhe të kërkojmë që ajo të rris prezencën dhe investimet në vendin tonë dhe ta kthejë Kosovën në një qendër të begatë të Komonuelthit Osman të popujve myslimanë që shtrihen nga Deti i Zi e deri në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Nëpërmjet kësaj komunikate, FRM i apelon myslimanëve të Kosovës që kur serbët të mblidhen nesër në Gazimestan për të përkujtuar Car Llazarin që luftoi për Krishterimit, të gjithë kosovarët me tekbiret e tyre t’i tregojnë serbëve që bijtë e sulltan Muratit janë ende gjallë në Kosovë për të mbrojtur Islamin, dhe se Car Llazari dhe kopilët e tij nuk kanë më vend në Kosovë. FRM ia uron festën e çlirimit të Kosovës edhe të gjithë atyre njerëzish që i urrejnë osmanët dhe myslimanët shqiptarë, duke mos kursyer emrat e asnjë deputeti e publicisti kosovar.

E derisa ky forum ka ftuar kosovarët që krahas lutjeve për fitore t’i thirrjeve të shtetit turk për të investuar në vendin tonë, serbët veç janë bërë gati që të premten të nisen drejt Gazimestanit.

Për të shënuar këtë ditë, nga Serbia vijnë mijëra serbë të cilët mbajnë fjalime të zjarrta pranë monumentit të Gazimestanit si dhe kryejnë rite fetare.

Sikurse çdo vit edhe këtë herë ardhjen në Kosovë e kanë paralajmëruar shumë serb.

Për këtë arsye, Policia e Kosovës ka përgatitur një plan operativ të quajtur “Vidovdan 2013”.

Baki Kelani, zëdhënës i policisë së Kosovës thotë se qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është përgatitja e masave të nevojshme të sigurisë.

“Krejt kjo në mënyrë që ky manifestim të zhvillohet në suaza të normales të rendit dhe qetësisë publike. Po ashtu ky urdhër parasheh garantimin e lirisë së lëvizjes e të gjithë qytetarëve, duke përfshirë edhe pjesëmarrësit në tubim”, tha Kelani.

Me këtë festë, serbët festojnë Betejën e Kosovës më shumë se 600 vjet më parë, e cila në fakt ka qenë një humbje për ta.