UDHËTARI DHE VRASËSI

UDHËTARI DHE VRASËSI

Është treguar në historinë islame për një njeri të mirë, i cili ishte nisur për në Qabe. Derisa po udhëtonte e ndaloi një njeri dhe i tha: “Nëse do të shkosh në Qabe, eja pas meje se do të ta tregoj unë një rrugë e cila është më e shkurtër”.

Ky njeri derisa udhëtonin së bashku filloi që ta fuste në disa rrugë të cilat për udhetarin ishin te panjohura dhe te dyshimta, atëherë udhëtari i tha: “O njeri ku po më çon kështu. Jam nisur për në shtëpinë e Zotit, për në Qabe. A e di mirë rrugën”. E ky ia ktheu: “Eja pas meje se unë di disa rrugë të shkurta”. Kështu vazhdoi derisa e çoi në një luginë të frikshme, atje ku nuk kishte këmbë njeriu.

Atëherë kthehet nga udhëtari dhe i thotë: “Sot do të vdesësh, sepse unë do të të vras”.

Udhëtari i tha: “Kij frikë Zotin! Unë jam nisur për në Qabe, prandaj më ler të shkoj”.

Por vrasësi i tha: “Shiko unë kam vendosur që të të vras, për shkak se je nisur për në Qabe do të jap mundësinë që të thuash dëshirën e fundit”.

Udhëtari i thotë: “Merre pasurinë time e më ler të shkoj në Qabe”. Kurse vrasësi ia ktheu: “Pasurinë do të ta marr, por edhe kokën do të ta heq”. Atëherë udhëtari duke e pa vendosmërinë e këtij njeriu dhe pamundësinë që të bënte diçka i tha: “Më jep kohë dy minuta, sa të fal dy rekate namaz e nuk dua gjë tjetër prej teje”.

Udhëtari filloi namazin, por i harroi të gjitha. Madje harroi edhe suren Fatiha, që e lexonte me dhjetëra herë në ditë.

Vetëm një ajet i kujtohej: “Kush është ai që i përgjigjet hallexhiut kur ai ka hall, kush është ai që ia largon të keqen njeriut, kush është ai që ju bën juve mëkëmbës në tokë, a ka Zot tjetër veç Allahut. Sa pak që kujtoheni o njerëz”. (Neml: 62).

Me këtë ajet i fali dy rekate dhe pasi mbaroi namazin, iu drejtua Zotit me këtë lutje: “O Allah, o i Dashur, o i Afërt. O Ti që je Zoti i Arshit të madh, o Ti që bën çfarë dëshiron, më ndihmo, më ndihmo, më ndihmo”.

Pa e mbaruar akoma lutjen, papritur ndegjohet një vërshëllimë e një kalorësi të bardhë i cili me shpatën e tij ja heq kokën njeriut që donte ta vriste udhëtarin. Udhëtari i habitur nga kjo dhe i frikësuar ngadal e pyet këtë kalorës i cili shkëlqente nga bardhësia e tij: “Kush je ti që vjen e më ndihmon”. Kalorësi përgjigjet: “Unë jam meleku i qiellit të katërt. Kur ti u lute me këto fjalë, gjëmuan qiejt dhe engjëj e tre qiejve kërkuan që të vinin dhe të të ndihmonin ty.

Ndërsa unë i thashë Allahut (xh.sh): “O Zot ma jep mua këtë nder, të shkoj e ta ndihmoj unë këtë njeri” dhe Zoti ma dha mua këtë nder. Kam ardhur nga qielli i katërt për të të ndihmuar ty”.

Kur njeriu dorëzohet totalisht përpara Zotit, shkunden qiejt dhe melekët vijnë me vrap për t`i ardhur në ndihmë njeriut. Zoti na bëftë nga ata njerëz, që gjithmonë e ndjejnë nevojën ndaj Tij.