Të mësojmë fenë tonë – GUSLI (larja e trupit)

0
596

Larja e trupit bëhet e detyrueshme për disa shkaqe, të cilat janë: Bëhet e detyrueshme në rast të daljes së spermës (si te meshkujt ashtu edhe te femrat), qoftë si pasojë e bashkimit seksual apo ëndërrimit. Gjithashtu, gusli (larja e tërësishme) bëhet i detyrueshëm pas marëdhënieve seksuale midis bashkëshortëve, si për meshkuj ashtu edhe për femra, pa marrë parasysh se a del sperma apo jo.

Gusli është i detyrueshëm edhe pas përfundimit të menstruacioneve apo lehonisë. Gjithashtu, edhe nëse një pabesimtar apo pabesimtare e pranon Islamin është i/e obliguar që të marrë gusël.

Mënyra e marrjes së guslit

Për marrjen e guslit është e mjaftueshme: Të bëhet nijet me zemër për marrjen e guslit, të shpëlahet goja dhe hunda sëbashku tri herë, të lahet i tërë trupi duke mos lënë asnjë vend pa depërtuar uji. Ka disa sunnete dhe mustehabate të guslit për të cilat, nëse i bën, do të shpërblehesh tek Allahu (subhanehu ue teala) dhe gusli do të jetë më i plotësuar. Marrja e guslit, duke përfshirë farzet, sunnetet dhe mustehabatet e tij, është si vijon:  të bëhet nijet me zemër, për marrjen e guslit, të përmendet Allahu duke thënë: Bismil-lah (jashtë banjës), të lahen duart tri herë, të shpëlahet goja dhe hunda tri herë, të lahet koka me grushta plot, të lahen organet gjenitale, të merret abdest, pastaj bëhet larja e tërë trupit duke filluar nga pjesa e djathtë në të majtë.

Vërejtje: Duhet pasur kujdes që uji të depërtojë në të gjitha pjesët e trupit, e veçanërisht duhet pasur kujdes në larjen e kërthizës. Gjithashtu, nëse ndonjë vend të trupit e kemi me allçi (gjips) apo fashë, atëherë është e mjaftueshme t’i japim mes’h allçisë apo fashës.

Xhamite e Tiranes