Si e larguan nga puna milingonën

0
508

Si çdo ditë në mëngjes, milingona u nis të bëjë punën e saj gjithë energji dhe optimizëm. Ajo ia dilte mbanë të realizojë shumë gjëra gjatë ditës. Një ditë, luani e vuri re milingonën teksa e kryente punën me sinqeritet dhe përkushtim, pa pasur nevojë që dikush t’i qëndrojë tek koka.

Me vete, mbreti i pyllit mendoi: “Nëse kjo milingonë punon kaq shumë dhe plot entuziazëm pa pasur njeri tek koka, imagjino sikur t’i caktoj dikë ta kontrollojë.”

Menjëherë ai punësoi një buburrec, të cilin e ngarkoi me përgjegjësinë e supervizorit të milingonës. Që ditën e parë të punës, buburreci vendosi një rregullore sipas të cilës rregullohej orari i paraqitjes në punë, qendrimi dhe largimi. Ai mori dhe merimangën si sekretare personale të tij, e cila do të merrej me arshivën dhe kontrollin e bisedave telefonike, por dhe përdorimin e internetit.

Kur luanit i mbërriten raportet e para të mënyrës si po organizohej puna, u ngazëllye nga gjithçka që ishte arritur. Ai i kërkoi buburrecit që të thellohet më shumë me shkresurinat, t’i pasurojë me të dhëna dhe t’i paraqesë në mbledhjen e bordit administrativ. Buburreci bleu një printer lazer dhe një laptop të shpejtë. Ai caktoi mizën si përgjegjëse për sektorin e informacionit.

Milingonës që po i dilte shpirti duke punuar, filluan të mos i pëlqejnë fort këto ndryshime administrative, mbledhjet e shpeshta dhe burokratizmat që thjesht i merrnin kohën.

Pas disa kohesh, luani vuri re se diçka nuk shkon në performancën e stafit, prandaj vendosi të ndryshojë ca gjëra. Si ekspert të çështjeve administrative, ai emëroi karkalecin, i cili si hap të parë, ndryshoi të gjithë mobiljet dhe shtresën, për të ofruar kushte optimale për stafin. Ai mori dhe një asistent personal, për ta ndihmuar në vendosjen e strategjive dhe përgatitjen e buxhetit.

Luani, pasi i hodhi një sy kostos së përgjithshme të shpenzimeve, vendosi të ulë shpenzimet. Për ta bërë këtë, ai caktoi bufin si këshilltar në financa. Bufit, iu deshën tre muaj për studimin e situatës financiare. Në fund, ai përgatiti një propozim për t’ia paraqitur luanit, sipas të cilit duhej reduktuar paksa numri i punonjësve.

Menjëherë, luani vendosi që milingona të largohej nga puna, me arsye: Performancë e dobët dhe produktivitet i ulët.