OKB – FRANCA, AUSTRIA DHE NORVEGJIA ZYRTARISHT PRO NJË STATUSI TË RI PËR PALESTINEZËT

0
187

 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila 65 vjet më parë vendosi për ndarjen e territoreve palestineze midis Izraelit dhe Palestinës, nesër do të mblidhet për të votuar kandidaturën e Palestinës si “shtet joanëtar vëzhgues”. OKB – Franca, Austria dhe Norvegjia zyrtarisht pro një statusi të ri për palestinezët

Palestina paraqiti pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara kërkesën e saj zyrtare për të fituar statusin “shtet joanëtar vëzhgues i përhershëm në OKB”. Për miratimin e kërkesës palestineze nevojiten të paktën 97 vota “pro”, që është edhe shumica absolute e 193 vendeve anëtare të organizatës. Franca do të votojë këtë javë në mbështetje të dhënies të një statusi të ri historik Autoritetit Palestinez në OKB, atë të një shteti vëzhgues, njoftoi sot shefi i diplomacisë franceze, Loren Fabius. Duke përmendur qëndrimin konstant të Parisit në mbështetje të njohjes së një shteti palestinez që prej një fjalimi të Fransua Miterranit në vitin 1982, ministri francez i Punëve të Jashtme deklaroi para Asamblesë Kombëtare se Franca do të votojë ”pro”. Kjo nismë mbështetet edhe nga Hamasi, por kundërshtohet fuqishëm nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Viktoria Nulënd, duke aluduar për Francën në brifingun e përditshëm për shtyp, u shpreh me këto fjalë: “Mbi këtë çështje nuk kemi të njëjtin qëndrim me aleatin tonë më të vjetër.” Pasi sqaroi se mendojnë që një hap i tillë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të ishte i gabuar dhe se kjo gjë jo vetëm që nuk do t’i afronte palestinezët drejt zgjidhjes me dy shtete, që jetojnë në paqe pranë njëri-tjetrit, por do t’i ngatërronte edhe më shumë punët, Nulënd vijoi kështu: “Ne do ta kundërshtojmë këtë nismë, sepse jemi të idesë që ajo është një hap i gabuar, i cili do të vështirësojë akoma më tepër hapat e tjerë lidhur me zhvillimin e jetesës së palestinezëve dhe izraelitëve.” Ndërkaq Austria do të votojë në favor të projektit palestinez për të marrë statusin e vendit vëzhgues, por jo anëtar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, njoftoi sot Ministria austriake e Punëve të Jashtme. Vendimi u mor pas një takimi mes Kancelarit austriak, socialdemokratit Verner Fajman, zv/kancelarit dhe ministrit të Jashtëm, konservatorit Mihael Shpindeleger dhe Presidentit socialdemokrat, Hainc Fisher. ”Austria do të votojë pro kërkesës palestineze në OKB”, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme austriake. Edhe Norvegjia, ku është negociuar sot mbi Akordet e Oslos, do të votojë në favor të kërkesës palestineze për marrjen e statusit të ”shtetit vëzhgues jo anëtarë” për territoret Palestineze në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, njoftoi Ministria e Jashtme norvegjeze. “Norvegjia do të votojë pro dhënies së statusit të posaçëm për Territoret Palestineze, gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”, shkruante ministri Espen Barth Eide, në faqen e tij të rrjetit social, ”Twitter”. “Kjo projektrezolutë është e ekuilibruar dhe konstruktive”, theksonte ministri i Jashtëm norvegjez. Pritet që disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, në krye të së cilave renditen Anglia, Spanja dhe Gjermania, të abstenojnë në këtë votim. Megjithatë analistët e vlerësojnë të sigurt fitoren e Palestinës në këtë votim, pasi ajo njihet zyrtarisht nga 132 vende anëtare të OKB-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here