NEVOJA E NJERIUT PËR BESIM ËSHTË NATYRALE DHE E MISHËRUAR NË VETË BOTËKUPTIMIN DHE IDENTITETIN

0
280
Shkruan: Dr.Fadil MalokuTeza e teorisë marksiste leniniste se: “feja është opium për popullin”, në të vërtetë është një vazhdimësi e një teorie jo vetëm antifetare, por edhe antihumane që njerëzimin e përcolli gati një shekull dhe se gjatë tërë kësaj periudhe riprodhoi vetëm dhimbje shpirtërore në vetëdijen e vendeve të Evropës Juglindore, Lindore, Kinës, Kubës, e sidomos Shqipërisë dhe (më pak) Kosovës ku edhe la gjurmët më të dhimbshme.
Mirëpo, meqë kjo problematikë nuk është objekt i interesimit tonë ne as që po ndalemi më tepër në të. Çështja në të cilën ne dëshirojmë të fokusohemi kësaj radhe është se: Çfarë roli, në të vërtetë apo çfarë ndikimi mund të ushtrojë feja në gjeneratat e reja të pasluftës në Kosovë. Është interesant se këtij diskursi, gjerë tani askush nga eminencat shkencore e as ato fetare deri ne këtë kohe nuk i kushtoi edhe gjithaq vëmendje të madhe, që qe mënjanuar një kohë të gjatë nga preokupimi i njerëzve. Filozofët fetar botëror islamist, gjate kulmimit të tyre ne historinë e atëhershme të civilizuar kishin hetuar shumë mirë se: koncepti i besimit është në esencë kuptimi i tërë sistemit monoteist. Sidomos, ngase thjesht për këtë kishin investuar mjaft.
Në këtë drejtim nuk është e tepërt të përmenden sistemi shkollor peripatik (të cilin më vonë do ta marrin me një zhdërvjelltësi të pahetueshme evropianët!), i cili nxori eminencat me të shquara pedagogjike islame në këtë kohë.
D.m.th. edukata islame si një bazë e fundamentuar për preokupim të vetin permanent e kishte: pasurimin e të riut me ide te shëndosha, të cilat nuk do të vijnë në kundërshtim asnjëherë me idetë globale të Islamit si fe dhe si koncept i të jetuarit të njeriut në këtë botë. Çfarë në esencë prejudikon koncepti i besimit fetar, shtrohet pyetja? Temë kjo që rrallë herë, apo pothuajse asnjëherë, nuk është shtruar në diskursin tonë edukativ, mirëpo falë të Madhërishmit Krijues përherë ka qenë temë diskutimi në mos në sistemet shkollore, atëherë bile nëpër kisha e xhamia.
T’i kthehemi pra temës së lartpërmendur: Çfarë i ofron besimi fetar njeriut të sotëm bashkëkohor, në gjithë rruzullin tokësor?
Oferta e sistemit të besimit fetar (e kam fjalën për diskursin islam), do të thosha në Kosovën e pasluftës do të mund të ndihmonte shumë në edukimin e të rinjve tanë. Me vetë faktin që shqiptarët, rastësisht apo jo rastësisht, i përkasin shumicës së këtij konfesioni, që nuk kisha dashur të ndalem në shkaqet dhe arsyet e mbetjes së tyre në këtë fe, ngase thjesht ekziston mundësia e politizimit të tepruar, politizim që pastaj nuk na jep përgjigjen e duhur rreth temës se fokusuar. Pra, cila është oferta e diskursit fetar në shtimin e besimit të të rinjve tanë, në këtë moment? Dhe se dyti a ushtrohet farë digresioni në mes asaj se çfarë ofrohet dhe çfarë realizohet në këtë drejtim?
Tema këto që diskursi aktual fetar ne Kosovë, do të duhej t’u kushtonte një rendësi të dorës së parë, e them kështu duke pasur parasysh tregun e ofertës pseudofetare që është duke u ushtruar dhe vërshuar në stilin e plaçkave tajlandeze (ku çdo gjë të ofrohet para hundëve, kurse e jotja është të seleksionosh kërkesat dhe shijet tua!?). Sistemet fetare, e kam fjalën për ato të mëdhatë sidomos, për opinionin tim nuk kanë edhe aq nevojë të dalin në konkurrencë me sistemet pseudofetare e të garojnë me idetë e tyre, ngaqë ato janë sisteme dhe diskurse që janë dëshmuar kaherë në aulat fetare, shkencore, e më pak politike. Joshitja e sistemeve të këtilla tek të rinjtë tanë sikur është bërë një opsesion, të cilin duhet eliminuar. Eliminimi, nuk duhet të shkaktojë skandale ndërfetare, ai duhet ushtruar përmes sistemit të njëmendtë të vlerave që i ofrojnë fetë botërore. Dosido, në kushtet dhe rrethanat e një privimi total të të rinjve tanë shqiptarë, pra TË NJË ANARKIE TË VËRTETË FETARE, ku bëhet garë për të dominuar opinionin shqiptar me gjithfarë mjetesh makiaveliste nga ana e organizatave kinse joqeveritare perëndimore, do të thosha është e pandershme të vrapohet pas ndërgjegjësimit kolektiv të kosovarëve. Ngase thjesht, shqiptarët e Kosovës, i kanë konservuar disa vlera madhore, të cilat ua kanë lakmi do të thosha edhe kombet më të mëdha. Një ndër ato vlera madhore është edhe toleranca ndërfetare që ata e konservuan me shekuj. Nuk ka të ngjarë në historinë e popujve që një komb kaq i vogël për nga numri, të kultivojë kaq gjatë një tolerancë aq të theksuar fetare se sa ata! Kjo është diçka fascinuese! Për mua një ndër përgjigjet e mundshme rreth kësaj tolerance të theksuar shqiptare, është edhe ajo se ata tragjikisht në historinë e tyre të qenësimit u ndanë: politikisht, fetarisht, e që është më e rëndësishme u ndanë edhe territorialisht në pesë shtete.
Diskursi i ndërgjegjësimit të të rinjve tanë, e kam fjalën kryesisht për ata të rinj që tani kanë filluar të pllakosën me standardet e”demokracisë”, siç janë ato të: drogës, kriminalitetit, prostitucionit, etj. është një detyrë imediate e shoqërisë shqiptare. Për këtë shkak nuk duhet ngurruar asnjë investim në këtë drejtim, ngase këtë e ka dëshmuar edhe e kaluara se nëse institucionet (të cilat momentalisht nuk i kemi!) shtetërore nuk kujdesen për frymën e edukimit të të rinjve , pseudovlerat që inkorporohen tani përmes lloj lloj imponimesh dhe kushtëzimesh nga devijantët jo vetëm perëndimorë por edhe ata tanë që e kanë shijuar “kulaçin” e botës së çoroditur, do të mund të ç’orientohej edhe struktura e shoqërisë shqiptare.
Tek shqiptarët, që kanë pasur, rastësisht apo jo rastësisht, rastin të kenë strukturë të ngjeshur familjare, diskursi i deformiteteve (droga, kriminaliteti, prostitucioni, etj.) shumë vështirë kanë depërtuar. Në traditën e shqiptarëve asnjëherë nuk ka qenë stereotipi i kidnapimit të fëmijëve për qëllim të përfitimit material, ashtu siç po ngjet bie fjala gjatë këtyre viteve të pasluftës. Kjo dukuri e shëmtuar, së bashku me ato të reketimit, kriminalitetit të organizuar, e çka është edhe më tragjike rrjetës së prostitucionit, është pasojë e kontakteve me kulturat që po ashtu i luftojnë me sistem: politik, juridik, policor, etj.. Tragjika e ambientimit të këtyre shëmtive, jo vetëm për traditën tonë, por edhe për mbarë njerëzimin dhe për të gjitha kohërat, është gjithmonë një sinjal i mjaftueshëm signifikues se diçka nuk është në rregull me sistemin e mbrojtjes sonë intelektuale, fetare, politike, juridike, etj..
Unë do të thosha, se këto shëmti nuk janë pasojë e ndonjë armiku tonë konspirativ (ashtu, siç pretendojnë të thonë disa grupime fetare, intelektuale, politike, etj.), por pasojë e gjendjes historike në të cilën kosovarët e besa e shqiptarët e Shqipërisë (pas hapjes euforike ndaj çdo gjëje të jashtme) i përjetuan gjatë fundmileniumit të kaluar. Kjo “mrekulli”, ndodh edhe tek popujt tjerë, të cilët i përjetojnë po ashtu dhimbjet e tranzicionit, mirëpo dallimi qëndron në atë se p.sh.: polaku, hungarezi, slloveni, kroati, etj. me sistem u kundërvihen këtyre deformiteteve. Virusi, i këtyre gjërave nuk duhet të na mashtrojë që krahas demokracisë (mozallah!) edhe si kushtëzim të importojmë edhe këto vlera. Thënë më shkurt, kjo assesi nuk bënë të ndodhë!?
Strategjia e dukurisë së akomodimit tek shqiptarët është një fenomen që gjithnjë i ka përcjellë ata gjatë historisë së tyre të bujshme. Ky lloj diagnostifikimi, do të thosha me kompetencë të plotë do të mund të arsyetohej në cilëndo pjesë të historisë sonë që ta marrësh për objekt të fokusimit. Merre p.sh. periudhën e Ilirisë, çdo historian (kuptohet i mirëfilltë, jo kësi të komunizmit!) do të pohojë se me ardhjen e pushtuesve romak, ilirët (ani pse për këtë periudhë ka pak të dhëna faktike) shumë shpejt me aty këtu ndonjë kundërshtim, iu përshtatën rrethanave të pushtimit: merre pastaj ardhjen e turqve në Ballkan (të cilët përdorën një metodë shumë të sofistikuar të animimit të popujve (atë të islamizmit, që shqiptarët i shpëtojë nga konvertimi /me dhunë/ në orthodoksizëm), e cila shqiptarët i shpëtoji në momentet e fundit nga bizantizmi i Car Dushanit: merre pastaj periudhën prej 1912 e këndej (përkundër kuptohet kryengritjeve të pareshtura, por të vetmuara dhe të gabuara në kohë dhe hapësirë!) do hetosh se si ata ditën të mbijetojnë në mënyrë fenomenale pikërisht në saje të instinktit të akomodimit me pushtuesit sllav: merre tash ardhjen e perëndimorëve dhe analizo vetëm p.sh. imponimin që na bëhet në mësimin e gjuhës angleze pothuajse në të gjitha shkollat shtëpitë, zyret, rrugët, etj. do të kuptosh dhe do të nxjerrësh një konkludim shumë banal: Kush jemi ne!? Çfarë populli jemi, kur kush të vjen na e imponon sistemin e vet: politik, juridik, ekonomik , e fatlumnisht jo edhe atë fetar, megjithëse edhe këtu punohet me sistem nga disa NGO-ja perëndimore /kam shkruar pak a shumë për këtë problem/ pa pra?
Pastaj, a mund të shpjegohet e tërë kjo katrahurë e kësisojt kolektive me një fakt që historianët kanë punë të merren me të (e si duket i pritojnë kësaj pune t’i hyjnë), e ajo është toleranca që historikisht e kemi dëshmuar. Në esencë, çka nënkuptojmë me tolerancë? Kjo shqiptare, për opinionin tim nuk është tolerancë e mirëfilltë! Unë do të thosha gabimisht e kemi pagëzuar, si tolerancë! Kjo më tepër i ngjanë inferioritetit që e kemi dëshmuar historikisht! Pse dikush do të pyet?
Shkaqet janë të shumta, por më madhori dhe më kryesori është ai: se nuk kemi pasur asnjëherë kulm mbi krye (pardon shtet tonin), i cili do të na mbronte e njëkohësisht edhe do të na forconte bindjen se tolerancën e ushtrojnë vetëm popujt që kanë forcë, kanë energji kolektive, kanë kulturë, kanë durim, kanë sistem, shkurt pra kanë SHTET të tyre.
Vetëm ata popuj (kombe në të vërtetë, se koncepti popull prejudikon një nivel më të ulët të zhvillimit të komuniteteve!) që kanë arritur ta posedojnë (power system) fuqinë e sistemit: politik, juridik, ekonomik, kulturor, etj., i cili patjetër identifikohet me fuqinë madhore të shtetit, vetëm ata kanë mundur të bëhen tolerantë. Shqiptarët, bile këta të Kosovës kurrë në qenësimin e tyre historik nuk kanë pasur kulm (lexo: shtet) të vetin mbi krye! Ai që thotë se jemi komb tolerant, ai e vetëm e mashtron veten dhe të tjerët përreth tij. Intelektuali i mirëfilltë nuk guxon të bie në gracka të këtilla të pseudoshkencëtarëve dhe pseudopatriotëve. Sepse thjesht: Nuk është ashtu.
Pra, i tërë ky ekskursion i shkurtër i notimit hapësinor nëpër traditën tonë e ka për qëllim që gjeneratat e reja t’i mveshen punës dhe misionit të shenjët të pakryer (dikush, me laps dikush me pushkë, e gjithqysh dikush me lutje ndaj Krijuesit të Madhërishëm) për krijimin e zotësisë që të jemi zot në shtëpinë tonë. Ngase, të mos mashtrohemi, ashtu siç po mashtrohen disa të painformuar se gjoja historia (fetare sidomos!) e shqiptarëve të Kosovës fillon prej vitit 2000 e këndej! Historia e shqiptarëve është e lashtë sa edhe lashtësia e Ballkanit. Edhe këtë të vërtetë, ç’është edhe më interesant, nuk e kanë vërtetuar ata vetë, por të tjerët, që është një statisfaksion moral për të gjithë neve kullët e Zotit xh.sh..
Dhe të përfundojmë, me një konstatim dhe një fakt të përgjithshëm, se: Feja është e vjetër sa edhe vetë gjinia njerëzore dhe se gjatë tërë historisë së qenësimit të tij në këtë botë, nuk ka pasur asnjë popull apo shoqëri që nuk ka besuar në Krijuesin e vet. Ngase, thjesht njeriut përveç ushqimit trupor (që është bazë dhe fundament i ekzistencës së tij materiale) ka nevojë edhe për atë shpirtëror që e mobilizon atë për të bërat dhe të pabërat në këtë botë.
Thënë më thjesht, feja e luan rolin e katalizatorit dhe mobilizuesit, atë të vetëdijesimit dhe përkujtimit se kush është ai, prej nga vjen dhe ku shkon (pyetje që këto ai/njeriu/ një kohë të gjatë mundohej t’i hulumtojë në filozofi, por pa asnjë sukses!?), në mënyrë që në këtë botë të zbatojë rregullat apo moralin e prejudikuar të Krijuesit përmes: Tevratit, Zeburit, Inxhilit dhe Kur’anit. Feja, pra energjinë e njeriut, përkatësisht të riut tonë të sotëm të dalë pas katrahurës së luftës, ka për qëllim ta shërojë dhe ta përgatisë për betejat dhe pengesat e paqes. Në këtë drejtim të rinjtë tanë, duhet të jenë të vetëdijshëm se ajo që e kanë ata në shoqërinë e re, ku në emër të një “lirie dhe demokracie” nuk guxon t’i lëshohet pasioneve të cilat Krijuesi i ynë i Madhërueshëm më së miri na udhëzon se çfarë në esencë ne duhet të bëjmë. Sa më të mobilizuar të jemi në këtë drejtim, aq më të pastër do të jemi në këtë dhe botën tjetër. Zaten, ky është edhe një ndër imperativat e fesë. Dhashtë ZOTI dhe i marrim seriozisht, të gjitha këto sugjerime. Amin!
Fadil Maloku

Shënim: Autori është profesor i Globalizimit dhe Civilizimeve në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës
/besimtari.com/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here