MUHAMMEDI ALEJHI SELAM

0
207
Shkruar nga Ali Hasen Abdul Hamid (Nga arabishtja: Enis Rama)
Allahu xhel-le shanuhu për të na njoftuar me atë çka kërkon prej neve dhe për të na sqaruar atë çka na bënë dobi në jetën tonë, dërgoi disa prej njerëzve, të cilët kishin cilësi fisnike dhe moral të lartë që t’i përcjellin urdhrat dhe dispozitat e Tij te të gjithë njerëzit, duke filluar prej të afërmve, shokëve, fqinjëve dhe të gjithë atyre që ishin përreth tyre.
E këta ishin ata që i zgjodhi Allahu i Lartësuar dhe i quajti të Dërguar dhe Lajmëtarë. I fundit prej këtyre të dërguarve dhe lajmëtarëve ishte i Dërguari i Allahut te krijesat e Tij, prijësi ynë Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, të cilin e dërgoi Allahu mëshirë për të gjitha botët, prej njerëzve dhe xhinëve.
Dërgimi i Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk ishte vetëm për popullin apo familjen e tij, por ishte për njerëzit në përgjithësi përgëzues dhe tërheqës i vërejtjes. Allahu i Lartësuar thotë:
“E ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha botërat.” (Enbija, 107).
Për ta pasur edhe më të qartë këtë që përmendëm, domosdo duhet të dimë pjesën nga jeta e këtij Pejgamberi fisnik sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
Emri i tij është Muhammed bin Abdullah bin Abdulmutalib bin Hisham, rrjedh nga fisi më i madh prej fiseve arabe, e ai është fisi Kurejsh. U lind në Mekë në siujdhesën arabe, e cila është qytet prej qyteteve të Mbretërisë së sotme Saudite.
U rrit jetim, babai i vdiq sa ishte ende në barkun e nënës. E edukoi nëna e tij Amineja, bija e Vehbit me edukatë, e cila ishte në pajtim me traditat arabe, të cilat shumicën prej tyre i trashëguan nga feja e babait të Pejgamberëve Ibrahimit alejhi selam. Pastaj i vdiq edhe nëna sa ishte 6 vjeçar e për përkujdesje e mori gjyshi i tij Abdulmutalibi, i cili ishte njëri prej udhëheqësve Kurejshit para shpalljes. Pas dy viteve i vdiq edhe gjyshi, e për kujdesje e mori mixha i tij Ebu Talibi.
Jeta e tij pas fëmijërisë ishte jetë e dalluar me çdo të mirë. Ishte trim, i sinqertë, kishte moral të mirë, sa që edhe populli i tij filluan ta quanin “i sinqerti, besniku”.
Në fëmijëri ishte bari i deleve, gjë e cila ia shtoi edhe më tepër dëlirësinë e zemrës, udhëzimin në të mirë dhe largimin nga e keqja.
Në rininë e tij punonte për Hatixhen, bijën e Huvejlidit, e cila ishte prej grave më të pasura dhe më të dalluara kurejshite. Pasiqë e dërgoi në Sham për tregti, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pati sukses dhe u kthye me fitim të madh.
Kur i mbushi 25 vjet mixha i tij e martoi me Hatixhen, e cila ishte më e vjetër se ai 15 vjet.
Në moshën 40 vjeçare Allahu xh.sh. e përgatittë për pejgamberllëk, kur filloi të sheh ëndrra të vërteta, dhe gjithë atë që e shihte në ëndërr të nesërmen i dilte realitet. Pastaj ia bëri të dashur vetminë, që të mund të logjikojë dhe të studiojë, ashtu që kalonte një muaj të plotë të çdo viti në një shpellë afër Mekës, e cila quhej “Hira”.
Pas një periudhe të shkurtër kohore Allahu xhel-le shanuhu ia dërgoi njërin prej melekëve të mëdhenj, melekun me emrin Xhibril i cili ia shpalli ajetin e parë, e ai është: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë).” (Alek, 1).
Nga kjo e kuptoi se Allahu xhel-le shanuhu e kishte zgjedhur që të jetë Pejgamber dhe i Dërguar i Tij te ky popull.
Kështu filloi i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem t’i thërrasë njerëzit që ishin përreth tij në këtë fe. Në fillim thirrja e tij ishte fshehurazi, duke pasur kujdes nga jobesimtarët, të cilët adhuronin idhuj dhe gurë. Prej të parëve, të cilët iu përgjigjen kësaj thirrjeje ishin: gruaja e tij Hatixheja, djali i mixhës së tij Aliu i biri i Ebu Talibit, shoku i tij Ebu Bekri dhe një pjesë e vogël e popullit të tij.
Allahu xhel-le shanuhu më vonë e urdhëroi që ta shfaq haptazi thirrjen e tij në Fenë Islame, e cila është fe e Allahut të Lartësuar dhe për të cilën Ai ishte i kënaqur që të jetë fe e fundit për të gjithë njerëzit.
Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thërriste në adhurimin e të Vetmit Allah dhe në thyerjen e idhujve, gjë e cila ishte në kundërshtim me fenë e gjyshërve dhe baballarëve të tyre, dhe për këtë ata filluan të bëjnë çmos ta pengojnë dhe të tallen me të vetëm që ta ndalin nga thirrja e tij, por ai edhe krahas gjithë kësaj duroi. Nga torturat dhe maltretimet e kurejshitëve e mbronte mixha i tij Ebu Talibi, i cili megjithëkëtë nuk e pranoi Islamin dhe vdiq si jobesimtar.
Islami filloi të përhapet shumë shpejtë, sa që atij iu bashkëngjitën edhe disa prej banorëve të Jethribit. Pasi u kthyen në vendin e tyre, Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem prapë i erdhën edhe një grup prej 12 vetëve, të cilët gjithashtu i besuan dhe kur deshën të kthehen Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u dha me vete një shok të tij, i cili do t’ua mësonte atyre parimet islame. Pas pak kohe u përhap Islami në Jethrib dhe një grup prej banorëve të Jethribit i erdhën Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe e thirrën që të shkojë tek ata duke iu besatuar atij se do ta mbrojnë dhe se do t’i ndihmojnë.
Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem iu përgjigj ftesës së tyre dhe i urdhëroi shokët e tij që të dalin nga Mekja, ku më vonë edhe ai iu bashkëngjitë atyre. Kurejshitëve posa u arriti lajmi për shpërnguljen e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dërguan disa njerëz që ta vrasin, por Allahu xhel-le shanuhu si çdoherë e shpëtoi nga ata.
Kur hyri në Jethrib, i cili më vonë u quajt Medinetu el-Munevvere, banorët e tij i bënë pritje madhështore. Menjëherë pas kësaj e ndërtuan xhaminë e njohur të tij “Xhamia e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem)”. Dhe filluan që të thërrasin në Islam e ta përhapin atë haptazi. Kurejshitët bënë përpjekje të mëdha që ta pengojnë thirrjen dhe përhapjen e tij, kështu që dëshiruan ta bëjnë këtë edhe me forcë. Përgatitën fuqi ushtarake që t’i mposhtin muslimanët, por megjithatë Allahu xhel-le shanuhu u ndihmoi të dashurve të Tij (besimtarëve).
Beteja e parë mes Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe Kurejshitëve u zhvillua në “Bedr” vend në afërsi të Medinës. Në këtë betejë Allahu xhel-le shanuhu u ndihmoi muslimanëve kundër jobesimtarëve. Kështu filluan betejat dhe përleshjet e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe jobesimtarëve. Ndodhën “Beteja e Uhudit”, “Beteja e Hendekut”, “Beteja e Hunejnit”, e të tjera. Pas çdo beteje fuqia e Islamit shtohej edhe më tepër.
Për përhapjen e Islamit edhe më gjerë Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dërgoi disa shokë të tij si misionarë te Kisrau, Kajseri, Nexhashiu e mbretër tjerë prej mbretërive të mëdha që t’i ftojnë në Fenë Islame.
Në vitin e nëntë të hixhretit muslimanët e çliruan “Mekën”, e cila ishte dëshmitarja e parë e fillimit të misionit islam, por banorët e saj e luftuan dhe u munduan që ta pengojnë Pejgamberin islam sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Ajo atëherë konsiderohej si vendi më i madh në të cilin tuboheshin idhujtarët Kurejshitë dhe të vendeve tjera.
Me çlirimin e Mekës filluan që t’i vijnë Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem delegacione të shumta arabe dhe filluan që të hyjnë njerëzit në fenë e Allahut grupe-grupe.
Allahu i Lartësuar thotë: “Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi (ngadhënjimi) dhe i pe njerëzit që po hyjnë turma-turma në fenë e Allahut. Ti pra, lartësoje Zotin tënd duke e falënderuar dhe kërko nga Ai falje. Ai vërtet pranon shumë pendimin, është Mëshirues i madh.” (Nasr, 1-3).
Ndërsa, në vitin e dhjetë hixhri e bëri haxhin lamtumirës, duke u ligjëruar në te të pranishmëve porositë e tij të fundit, e cila njëherit konsiderohet fjalimi më i gjatë i tij që kishte ligjëruar ndonjëherë mbi çështjet dhe rregullat e fesë.
Me 12 rebiul-evvel të vitit dymbëdhjetë sipas hixhretit, ndërroi jetë i Dërguari i Zotit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pas një sëmundje, e cila e goditi. U varros në shtëpinë e tij, por sot varri i tij gjendet në brendësi të xhamisë së tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
Nga jeta e tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem me fjalë dhe vepra, dituri dhe punë arriti deri te ne feja e Allahut të Madhëruar, Islami. Vetëm me nënshtrim ndaj Tij është udhëzimi dhe shpëtimi.
Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse i nënshtroheni atij, do të udhëzoheni.” (Nurë, 54).

/Besimtari.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here