TË QENËT I HUAJ DHE TË HUAJT

0
294
“Islami nisi si diçka e huaj dhe do të bëhet prapë e huaj, prandaj jepuni myzhde (Tuba-n, një lloj peme në xhenet) të huajve.” (Hadith).
Kuptimi i “të qenët i huaj”
Shumë herë dhe në shumë situata njerëzit që pasojnë fenë e Allahut kanë ndjesinë se nuk e kanë vendin aty ku janë, se janë jashtë atij vendi, se nuk përshtaten, me fjalë të tjera se janë të huaj. Kjo ndjenjë mund të jetë e pranishme në një grumbullim jomuslimanësh, por fatkeqësisht, ndonjëherë është e pranishme edhe kur personi është mes muslimanësh. Një person sheh se vëllezërit dhe motrat e tij në fe bëjnë vepra që nuk i takojnë Islamit, ose marrin pjesë në bërjen e bid’ateve që shpesh çojnë në kufër, e megjithatë ai ndien se nuk ka aq fuqi e kurajo për t’i ndalur ata. Disa vëllezër e motra, veçanërisht kur nuk kanë shumë devotshmëri dhe dije islame, ndonjëherë thyhen para presionit të shokëve e të shoqeve dhe u bashkohen atyre në këto vepra duke e ditur se kjo nuk është ajo që Allahu do prej tyre. Megjithatë, duke u ndier të pashpresë, duke qenë se janë të vetëm në idetë e tyre dhe nuk i ndihmon kush për të bërë atë që është e drejtë, ata dorëzohen para presionit.
Këta vëllezër e motra, Allahu i mëshiroftë, duhet të ngushëllohen me ajetet e Kur’anit dhe me hadithet e shumta të Pejgamberit Muhammed, paqja qoftë mbi të, të cilat përshkruajnë ndjenjën e të qenët i huaj.

Pse janë quajtur “të huaj”?

Allahu thotë në Kur’an: “E përse të mos ketë pasur nga breznitë që ishin para jush, të zotët e mendjes e të nderit që t’i ndalonin çrregullimin e kaosin në tokë, përveç një pakice, të cilët i shpëtuam…” (Hudë, 116).
Ky ajet flet për ata pak njerëz në këtë tokë, “të huajt”, të cilët i ndalojnë njerëzit nga e keqja. Këta janë po ata njerëz për të cilët foli Pejgamberi alejhi selam kur tha: “Islami nisi si diçka e huaj dhe do të bëhet prapë e huaj, prandaj jepuni myzhde të huajve (arabisht, Tuba, një pemë në parajsë. Pra, Pejgambri alejhi selam po u jep këtyre të huajve lajmin e gëzuar se do të jenë në xhenet).” E pyetën Pejgamberin alejhi selam: “Kush janë këta të huaj, o i Dërguar i Allahut?” Ai u përgjigj: “Ata që i përmirësojnë njerëzit kur ata prishen.” (Transmeton Ebu Amër al-Dani, nga hadithi i Ibën Mes’udit. Është autentik sipas shejh Albanit. Një tjetër version thotë: “Ata që përmirësojnë Sunetin tim, i cili ishte prishur nga njerëzit pas meje”).
Në një tjetër rrëfim, duke iu përgjigjur së njëjtës pyetje, Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Ata janë një grup i vogël njerëzish në mesin e një popullsie të madhe e të keqe. Njerëzit që i kundërshtojnë janë më të shumtë se ata që i pasojnë.” (Transmeton Ibën Asakiri. Është autentik sipas shejh Albanit).
Këta njerëz të nderuar quhen të huaj, sepse janë një pakicë në mesin e njerëzimit. Pra, muslimanët janë të huaj në mesin e njerëzimit; besimtarët e vërtetë janë të huaj në mesin e muslimanëve dhe dijetarët janë të huaj në mesin e besimtarëve të vërtetë. Dhe pasuesit e Sunetit, ata që e distancojnë veten nga pasuesit e bid’ateve, janë po ashtu të huaj. Në të vërtetë, ata janë të huaj, sepse janë pakicë dhe jo sepse veprimet dhe besimi i tyre është i huaj. Kjo është kuptimi i asaj që thotë Allahu në suren En’amë: “Në qoftë se u bindesh shumicës (mohuese që janë) në tokë, ata do të të largojnë ty nga rruga e Allahut.” (En’amë, 116).
Allahu gjithashtu thotë: “Po ti edhe pse lakmon (për besimin e tyre), shumica e njerëzve nuk do të besojnë.” (Jusuf, 103).
“Në të vërtetë, një shumicë e njerëzve janë jashtë rrugës.” (Maide, 49).
“Ky (besim i drejtë) është dhuratë e madhe nga Allahu ndaj nesh dhe ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk ia dinë vlerën.” (Jusuf, 38).
Prandaj, Allahu, Krijuesi i Gjithëdijshëm, e di se shumica e njerëzve nuk kanë për ta pasuar të vërtetën. Përkundrazi, vetëm një grup i vogël njerëzish do të veçohen dhe do të besojnë si duhet në Zot, këta janë të huajt e njerëzimit.
Të huajt në besim dhe të huajt në karakter e në vepra janë në të vërtetë shumicë në mesin e njerëzve, pasi ata janë të huaj ndaj Islamit dhe ndaj ligjeve që ka shpallur Allahu i Madhëruar. Kështu ne shohim se ka disa kategori të të qenët i huaj, disa prej të cilave janë për t’u lavdëruar, disa për t’u dënuar dhe disa as për t’u lavdëruar e as për t’u dënuar. Më poshtë do t’i shohim këto kategori të ndryshme një nga një.

Kategoritë e ndryshme të të qenët i huaj

Duhet ta dini, Allahu ju mëshiroftë, se të qenët i huaj ndahet në tri kategori.
Kategoria e parë është ajo e “Njerëzve të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij”, paqja qoftë mbi të, të cilët i përmendëm më lart. Kjo kategori ose ky lloj meriton çdo lëvdatë, pasi është lavdëruar edhe nga Allahu dhe nga i Dërguari i Tij, paqja qoftë mbi të. Rrjedhimisht, ky lloj duhet kërkuar dhe njerëz të tillë duhen përkrahur, duke qenë se ata hasen në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në mesin e njerëzve të ndryshëm. Këta të huaj, pra, janë me të vërtetë “Njerëzit e Allahut” pasi nuk adhurojnë tjetër përveç Tij, nuk mbështeten tek asnjë rrugë përveçse tek ajo e Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, dhe nuk ftojnë ndryshe vetëm sipas mënyrës së të Dërguarit, paqja qoftë mbi të. Këta janë njerëzit që e braktisën njerëzimin kur kishin më së shumti nevojë për ta. Kështu, në Ditën e Gjykimit, kur të gjitha grupet e tjera do të shkojnë me ata që kanë adhuruar në këtë jetë, këta njerëz do të qëndrojnë pa lëvizur. Do t’u thuhet atyre: “A nuk do të shkoni siç shkuan edhe të tjerët?” Ata do të përgjigjen: “Ne i kemi braktisur njerëzit (në dynja) kur kishim më shumë nevojë për ta se sot dhe ne do të presim për Zotin tonë, Atë që kemi adhuruar në dynja.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
Pra, është e qartë se të qenët i huaj nuk shkakton asnjë pakënaqësi. Përkundrazi, është inkurajuese e lehtësuese për besimtarin, sepse ai e di se ndihmësit e tij janë Allahu, i Dërguari i Tij dhe ata që besojnë (kjo është referencë e ajetit 55 të sures Maide), edhe nëse i gjithë njerëzimi largohet dhe e braktis atë.
Këta të huaj përmenden edhe në një hadith të treguar nga Enes bin Maliku, në të cilin Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Është e mundur që nëse një person i çrregullt dhe i pluhurosur, që posedon fare pak gjëra (fjalë për fjalë “me dy shami koke”) dhe që nuk dallohet në mesin e njerëzve e lut Allahun, Allahu do t’ia plotësojë lutjen.” (Transmeton Tirmidhiu dhe Hakimi. Shejh Albani ka thënë se është autentik).
Hasan el-Basri (një tabiin shumë i njohur për devotshmërinë, asketizmin dhe dijen e tij) ka thënë: “Besimtari është një i huaj në këtë botë, ai nuk frikësohet kurrë nga turpërimi në të pasi nuk synon lavdinë e saj. Njerëzit janë në një situatë, ndërsa ai është në një situatë krejt tjetër. Njerëzit janë të kënaqur me të, e megjithatë ai është i shqetësuar (fjalë për fjalë “i lodhur”) me veten.”
Nga karakteristikat që i Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, u përshkroi të huajve është kapja pas Sunetit të të Dërguarit, paqja qoftë mbi të, edhe nëse njerëzit e kanë braktisur atë. Ata, të huajt, i refuzojnë të gjitha bid’atet që shpikin njerëzit, edhe nëse praktikimi i bid’ateve është gjë e zakonshme në mesin e tyre. Ata gjithashtu kapen pas tevhidit, edhe nëse njerëzit e prishin atë me shirk. Ata nuk pasojnë askë tjetër përveç Allahut dhe të Dërguarit të Tij, paqja qoftë mbi të; kjo do të thotë se ata nuk pasojnë ndonjë shejh, ndonjë tarikat, ndonjë medhheb të caktuar ose një grup të caktuar njerëzish. Ata i përkushtohen vetëm Allahut, me adhurimin e tyre të sinqertë ndaj Tij dhe vetëm Atij, e pastaj vetëm Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, duke pasuar rrugën që trasoi ai. Këta janë njerëzit që mbajnë në dorë prushin e nxehtë (referencë e hadithit që do jepet më poshtë), edhe pse shumica e njerëzimit -madje të gjithë- i fajësojnë për këtë. Ky është kuptimi i thënies së Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, duke aluduar në faktin se ata kapen pas Sunetit të tij edhe nëse njerëzit e kanë prishur atë.
Allahu, të Cilit i takon gjithë falënderimi, e dërgoi Pejgamberin e Tij, paqja qoftë mbi të, kur njerëzimi ndiqte fe të ndryshme; disa njerëz adhuronin lumenjtë dhe pemët, disa të tjerë adhuronin idhujt, ndërkohë që kishte edhe të krishterë, çifutë dhe zoroastrianë (adhurues të zjarrit). Islami, kur u shfaq për herë të parë mes njerëzve, ishte i huaj për ta. Nëse njëri prej tyre pranonte Islamin dhe i përgjigjej thirrjes së Allahut dhe të Dërguarit të Tij, paqja qoftë mbi të, ai izolohej dhe shmangej nga familja dhe fisi i tij dhe jetonte si i huaj në mesin e njerëzve të vet. Më vonë, Islami u përhap gjithandej. Muslimanët u bënë gjithnjë e më të fortë, aq sa të huaj u bënë ata që nuk pranuan mësimet e Pejgamberit Muhammed, paqja qoftë mbi të.
Por, fatkeqësisht shejtani e mashtroi njerëzimin sërish. Njerëzit ndoqën rrugët e etërve të tyre, të cilët e kishin pranuar Islamin dhe e kishin braktisur atë sërish, derisa, më në fund, Islami u bë sërish i huaj, pikërisht ashtu si kishte filluar dhe siç kishte parathënë Pejgamberi Muhammed, paqja qoftë mbi. Në të vërtetë Islami i vërtetë -ai që ka pasuar Pejgamberi Muhammed, paqja qoftë mbi të, dhe shokët e tij (kjo është referencë e përgjigjes që dha i Dërguari i Allahut, Muhammedi paqja qoftë mbi të, kur u pyet se cilat ishin karakteristikat e “Grupit të Shpëtuar”)- është bërë për njerëzit edhe më i huaj se atëherë kur u shfaq për herë të parë, edhe pse shenjat e tij të jashtme janë të njohura dhe të përhapura kudo. (Kështu shkruante Ibën Kajimi në shekullin e tetë të hixhretit. Imagjinoni situatën tonë sot. Allahu na ruajt!)
Si të mos jetë kështu kur këta të huaj janë vetëm njëri grup nga shtatëdhjetë e dy të tjerët që Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, i përmendi në një hadith autentik, se ky Umet do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe (të cilat do të shkojnë të gjitha në zjarr, përveç Grupit të Shpëtuar) dhe secili prej grupeve pason dëshirat dhe pasionet e veta si zot. Këto janë grupet që i bazojnë mësimet e tyre në dyshime dhe bid’ate, qëllimi i vetëm i të cilëve është plotësimi dhe kënaqja e dëshirave. Pra, ai grup qëllimi i vetëm i të cilit është arritja e kënaqësisë së Allahut nëpërmjet pasimit të rrugës së të Dërguarit të Tij, paqja qoftë mbi të, do të jetë grupi i huaj në mesin e grupeve të tjera.
Kjo është arsyeja përse muslimanët e vërtetë -ata që kapen fort pas Sunetit- do të kenë shpërblimin e pesëdhjetë sahabëve. Kur Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, u pyet rreth ajetit: “O ju që besuat, ruajeni veten tuaj! Ai që ka humbur, nuk ju dëmton ju kur jeni në rrugë të drejtë.” (Maide, 105),
tha: “E, në të vërtetë, urdhëroni të mirën dhe ndaloni të keqen derisa të shihni se tregohet bindje ndaj koprracisë dhe pasohen dëshirat, se kjo botë preferohet (në vend të tjetrës) dhe se çdo person mashtrohet nga opinionet e veta. Atëherë kujdesuni për veten dhe braktisini njerëzit e zakonshëm. Sepse në të vërtetë pas jush do të vijnë ditë durimi, kur durimi do të jetë si të mbahet prushi i nxehtë me dorë. Ai që do të jetë në gjendje të bëjë këtë do të ketë shpërblimin e pesëdhjetë njerëzve që veprojnë si ai.” Ata e pyetën: “O i Dërguar i Allahut, shpërblimin e pesëdhjetë prej tyre?” Ai u përgjigj: “Shpërblimin e pesëdhjetë prej jush.” (Shënon Tirmidhiu dhe Ebu Davudi me zinxhir të dobët, por ka dëshmi mbështetëse. Shejh Albani e quan sahih. Shih Sahiha, #957).
Ky shpërblim i jepet për shkak të të qenët i huaj në mesin e njerëzve. Pra, nëse ai besimtar të cilit Allahu i ka dhënë urtësi e dije dëshiron të shkelë nëpër këtë rrugë, që është rruga e Allahut, atëherë ai duhet të përgatitet për t’ia dorëzuar veten një jete prej të huaji në mesin e njerëzve të tij, ashtu siç u trajtuan nga njerëzit edhe ata që ishin para tij dhe kishin pranuar Islamin. Sepse në të vërtetë ai do të jetë një i huaj sa i përket besimit të tij, pasi njerëzit e tij i kanë korruptuar besimet e tyre. Ai do të jetë i huaj në fenë e tij për shkak të asaj që njerëzit i kanë bërë fesë së tyre. Ai do të jetë një i huaj në mënyrën e faljes së namazit, sepse njerëzit nuk kanë njohuri për mënyrën e faljes së namazit nga Pejgamberi, paqja qoftë mbi të. Ai do të jetë një i huaj në urdhërimin e së mirës dhe në ndalimin e së keqes, sepse njerëzit e kanë marrë të keqen për të mirë dhe e kanë braktisur të mirën si të keqe. Shkurtimisht, ai atëherë do të jetë një i huaj në të gjitha çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër, duke bërë thirrje në rrugën e Allahut dhe duke përballuar të këqijat e atyre që janë kundër tij.
Sa i përket tipit të dytë të të qenët i huaj, atëherë dije, o lexues, se ky tip është i dënueshëm, sepse njerëzit e këtij tipi janë mëkatarët e këqinj, injorantët dhe arrogantët e njerëzimit. Ata janë të huaj për shkak të refuzimit të tyre për të ndjekur rrugën e drejtë të Allahut. Ata janë të huaj për shkak të mospërputhjes me Fenë Islame dhe si të tillë do të mbeten të huaj edhe nëse janë të shumtë në numër, të fuqishëm dhe të pranishëm kudo. Këta janë të huajt ndaj Allahut. E lusim Allahun që të mos bëhemi prej tyre!
Kategoria e tretë e të qenët të huaj është, në thelb, as e lavdërueshme e as e dënueshme. Ajo është si çështja e një udhëtari që udhëton në një vend të huaj, si një person që jeton në një vend për një periudhë të shkurtër kohore, duke e ditur se ka për t’u larguar nga aty. Një aspekt i kësaj kategorie është se të gjithë ne, e kuptojmë këtë apo jo, jemi të huaj në këtë botë, sepse të gjithë kemi për t’u larguar prej saj për të shkuar në vendbanimin tonë në ahiret. Ky është kuptimi i hadithit të Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, kur i tha Abdullah bin Umerit: “Jeto në këtë botë si të ishe i huaj ose udhëtar.” Në këtë mënyrë, kjo kategori potencialisht mund të bëhet e lavdërueshme nëse e kuptojmë domethënien e kësaj thënieje të të Dërguarit të Allahut, paqja qoftë mbi të. Lutemi që Allahu të na bekojë që të jemi muslimanë, të ditur dhe të devotshëm, që të na falë mëkatet tona dhe të na mëshirojë!
I madhëruar qoftë Zoti yt, Zoti i Fuqisë! Ai është larg asaj që ata i përshkruajnë dhe paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarit e Tij. Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
Shkruar nga Imam Ibnul Kajim el-Xhevzi
/Besimtari.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here