Historia dhe barbarët

0
216

Shkruan: Nexhmedin Spahiu

Sigurisht jeni habitur kur keni parë në Perëndim objekte të vjetra qindra e mijëra vjeçare akoma në përdorim. Fakti që ato janë ruajtur deri tani na bënë të kuptojmë pse Perëndimi ka shkuar përpara.
Por edhe ata që kanë pasur rastin të shkojnë në Lindje hasin në objekte të tilla. Në Betlehem ti sheh po të njëjtën objekt ku ka lindur Jezu Krishti, që tani shërben si kishë. Objekte të vjetra qindra e mijëra vjeçare mund të shohësh anë e mbanë botës.

Famagusta – katedralja (xhamia) dhe druri 700 vjeçar
Në qytetin universitar të Famagustës në Qipro, vizitova katedralen e shndërruar në xhami. Vapa në qytet bënte 58 gradë celsius. Në këtë objekt shumëshekullor, ku nuk kishte aspak ventilatorë e aparate ftohëse, temperatura ishte 25 gradë celsius. Si ka mundësi? Mrekulli e arkitekturës. Kur osmanët pushtuan Famagustën nuk e shkatërruan këtë mrekulli, por vetëm hoqën kryqin dhe vunë minaren.
Më befasuesja ishte se në oborrin e kësaj xhamie ishte një dru i madh ku shkruante viti i mbjelljes 1299. Dru i vjetër 713 vjeçar. Një dru i tillë në Kosovë mund t’i rezistonte shekujve vetëm nëse do të rritej në ndonjë skutë ku këmba e shqiptarit nuk do të arrinte. Druri ishte mu në mes të qytetit dhe gjatë gjithë këtyre shekujve nuk kishte rastisur ndonjë barbar që ta priste atë.

Jerusalemi dhe Kosova
12 vite më parë në Jerusalem dikush shtroi pyetjen pse në këtë vend ku kishte luftëra të përhershme dhe ku ende vazhdojnë tensionet mes palestinezëve e izraelitëve ka kaq shumë objekte historike që i kanë rezistuar kohës?
Pse ta zëmë gjithë objektet me histori të lashtë që ka Kosova i ka mbuluar dheu? Asnjë nuk i ka rezistuar kohës!
Dhe përgjigja ishte së në këtë anë të botës, nëse nuk ka konsideratë ndaj njerëzve që i përkasin komunitetit tjetër fetar, etnik, kulturor apo politik, ka konsideratë për vlerat universale të artit, kulturës e teknologjisë, prandaj janë ruajtur. Në Kosovë duket se nuk ka pasur konsideratë as ndaj vlerave universale të artit, kulturës dhe teknologjisë dhe prandaj janë shkatërruar. Atë që kemi ndërtuar për një kohë e kemi rrënuar gjatë natës. Tamam si në legjendën e Rozafatit apo Urës së Shenjtë.

Sulmi barbar në RTV Mitrovica dhe koha e Rankoviqit
Ditë më parë, autoritetet komunale të Mitrovicës me policinë e Kosovës, pa urdhër gjykate, në mbrëmje thyen forcërisht dyert e Radio e Televizionit të Mitrovicës dhe demoluan barbarisht studiot e produksionit të Radio dhe TV Mitrovicës, morën pajisjet, inventarin, dokumentet, pikturat, skulpturat, arkivin. Pamje barbare që nuk kanë ngjarë as në kohën e Aleksandar Rankoviqit.
Sabri Novosella më tregoi se kur udbashët e Rankoviqit paskëshin ardhur para mëngjesit për të arrestuar vëllain e tij Selatinin, vëllai i madh Novosella paskësh kërkuar urdhëresën e gjykatës nga udbashët/policia serbe a asaj kohe. Ata paskëshin pritur disa orë deri pas mëngjesit derisa njëri nga ta ka sjellë urdhëresën e gjykatës dhe tek më pas kishin filluar bastisjet dhe arrestimin.

Arkivi 13 vjeçar i radio dhe televizionit dhe pajisjet e ndjeshme – në kamion për bartjen e rërës
Kur pashë filmimet e TV Mitrovicës se si në kamionë që bartin rërë e çimento bartej arkiva 13 vjeçare e Radio Televizionit të Mitrovicës, mu kujtua përse Kosova s’ka histori të prekshme. S’ka, sepse në Kosovë ka shumë barbarë dhe kështu duhet të ketë pasur edhe në të kaluarën. Atë që është krijuar me vite, dekada e shekuj i është vënë flaka brenda natës.
Të operosh si një televizion në Mitrovicë në 13 vitet më të vështira të saj (të shpresojmë që ato që do të vijnë do të jenë më të mira) njëkohësisht ti je regjistrues i prekshëm i historisë.
Të përkujtoj vetëm disa nga gjërat që kanë regjistruar disqet e Radio Mitrovicës dhe kamerat e TV Mitrovicës dhe që nuk i kishte askush tjetër.
Masakra e 2 shkurtit 2000 ku u vranë 13, u plagosën dhjetëra e u përzunë mijëra shqiptarë nga veriu i Mitrovicës. Bashkëpunimi i RTV Mitrovicës me policinë e UNMIK-ut e KFOR-in u pat vlerësuar publikisht nga Policia e UNMIK-ut e KFOR-i, se ka shpëtuar dhjetëra e qindra jetë njerëzish.
Në ngjarjet e Marsit të vitit 2004 kameramanët e gazetarët e RTV Mitrovica regjistruan mu në mes të plumbave, granatave dhe bombave tymuese. Skenat që përshkruan botën nga TV Reuter ishin të huazuara pikërisht nga TV Mitrovica.
Përmenda vetëm këto 2 raste, por janë 13 vite regjistrime të panumërta që dëshmojnë një histori të rëndësishme të prekshme të kësaj treve. Ky arkiv nuk është vetëm pronë e RTV Mitrovicës, por edhe pronë e Kosovës .
Disa ditë para se të ndodhte sulmi barbar mbi Radio Televizionin e Mitrovicës, bisedova me profesor Fazli Hajrizin për mundësinë që një pjesë të arkivit së Radio Televizionit të Mitrovicës t’ia dorëzojmë arkivit të shtetit, pasi ballafaqoheshim me mungesë hapësire. Prof.Fazliu u ankua se kushtet në arkivin e shtetit në Mitrovicë ishin katastrofike dhe më tha më mirë ruajeni ju se aty është më e sigurt.
Por çfarë është e sigurt në Kosovë? Asgjë dhe askund. Barbarët janë të shumtë dhe kudo. Ata futen në lokalet e një televizioni si në një lokal teneqesh dhe shkatërrojnë barbarisht studiot e produksionit dhe arkivin e ruajtur me shumë kujdes e sakrificë.

Polici bizantinist – komandanti Avni Zabeli
Ajo që është krijuar për 13 vjet shkatërrohet brenda natës nga njerëz bizantinistë e të djallëzuar. Kur mora shkresën nga kryetari i Mitrovicës (i zgjedhur me vota të vjedhura), që lokalet e RTV Mitrovicës i pretendonte për pronë komunale dhe kërkonte largim brenda 3 ditësh!, veç kisha ftesën nga ministri i jashtëm qipriot dhe isha në dilemë të anulojë udhëtimin.
Thirra në telefon komandantin e stacionit policor në Mitrovicë, Avni Zabelin, dhe i thash se pres që policia të mos involvohet në kontestin mes Komunës dhe RTV Mitrovicës, sepse policisë i takon të jetë e paanshme në këtë kontest. Është gjykata institucion kompetent që duhet të vendosë se kush ka të drejtë: RTV Mitrovica apo Komuna. Nëse gjykata vendos në favor të komunës ne do të largohemi pa pasur nevojë intervenimi policor. Komandanti më bindi se e njeh ligjin, se e respekton atë dhe se në asnjë mënyrë nuk do të involvohet policia pa urdhër gjykate. Mos e mbaj këtë dert lirisht udhëto ku ke për shkuar- më tha komandanti i policisë.

Historia e trenit të Rezallës
Sapo u vendosa në hotel në Nikozia më lajmëruan se policia paskësh hyrë forcërisht në lokalet e RTV Mitrovica. E thirra në telefon komandantin Zabeli dhe i thash që dje me premtove se nuk do të intervenojë policia pa urdhër gjykate dhe tani çfarë po ndodhë? Por reagimi i tij ishte në stilin “ta ngulëm”.
Fshati nga vjen ky polic, Rezalla e Drenicës, njihet për trenin e famshëm të Rezallës. Një fshatar i Rezallës kish parë trenin në Mitrovicë dhe kish menduar se do ta bënte një të tillë në Rezallë. Kish marrë një stufë drurësh i kish venë zjarrin dhe kish lidhur qerret e qeve një pas një. Kishin hipur fshatarët dhe ishin leshuar kodrës teposhtë derisa ishin bërë copë-copë. I kompleksuar nga fama e fshatit të tij për nivelin e intelektit, ky komandant policie, tërë zgjuarsinë e tij e dëshmoi në shkatërrimin e RTV Mitrovicës, në shkatërrimin e dokumentimit faktik të një historie 13 vjeçare. Punë barbarësh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here