“Ne ju kemi bërë juve një ummet mesatar”

0
239

Logjika dhe feja lslame kërkon të jesh i matur e i drejtë, pa qëndrime të skajshme që të dëmtojnë. E kush dëshiron të jetë i lumtur dhe të ketë hare le t’i frenojë fuqishëm emocionet. Ji i mesëm në kënaqësi, në zemërim, në disponim dhe në pikëllim. Të zmadhosh problemin e ta bartësh atë në marrëdhëniet e tua me të tjerët, në ngjarjet e jetës, do të thotë të bëhesh i padrejtë ndaj vetes e të tregosh mizori. Ah, sa e bukur është e mesmja, nëse e zgjedh ama! Feja jote islame zbriti dhe e përmban këtë maturi. Ajo të udhëzon gjithmonë drejt së mesmes, të qëndrosh në barazpeshë dhe kontroll e të ambjentohesh në vend dhe kohë. Ah, sikur ta dish se njeriu më i raskapitur është ai që i nënshtrohet epshit të vet dhe i dorëzohet ndjenjave dhe luhatjeve të tija. Njeriu i epshit rëndohet me telashet dhe në zemrën e tij ndizen beteja të egra të urrejtjeve, kurtheve e mashtrimeve ngase ai jeton ëndrra dhe iluzione, saqë ndonjë i tillë përfytyron se të gjithë janë kundër tij dhe se të tjerët thurrin komplot për asgjësimin e tij, mbushet me cytje dhe vesvese se bota i rri në pritë dhe mu për këtë ai jeton nën re të zeza nga frika, brenga e mërzia. Thashethemet dhe gënjeshtrat janë rreptësisht të ndaluara në fe.
“Çdo zhurmë e konsiderojnë se është kundër tyre’ (Kur’an 63:4).
Lëreni të qetë zemrën tuaj, e mos ia lëvizni këmbët që ta rrëzoni, se shpeshherë ndodh që të frikoheni përpara një rasti, por ai nuk ndodh fare. Ndonjëherë ajo që të ngjau ka patur peshën më të rëndë dhe më të vështirë në botën e përfytyrimeve, se sa kur e përjetove realisht. Është e vështirë të jetosh në botën e paradokseve dhe iluzioneve. O ti që përdor trurin dhe që di të mbrohesh! Jepja çdokujt atë që i takon me masë, përdor drejtësinë me sinqeritet dhe mos u bëj shpirtlig, e as mos ndiq fjalët e liga që të humbësh në valët e jetës. Dëgjoje peshoren e dashurisë dhe urrejtjes në hadith.
“Duaje të dashurin tënd me masë, se ndoshta do të jetë i urryeri yt ndonjë ditë, dhe urreje të urryerin tënd me një masë se ndoshta ndonjë ditë do të jetë i dashuri yt.”
“Pritet që Allahu të vendosë miqësi ndërmjet jush dhe atyre që kishit armiqësi; Allahu është i fuqishëm, Allahu fal mëkatet, është Mëshirues” (Kur’an 60:7).
Vërtet, shumë prej thashethemeve dhe frikërave nuk janë të vërteta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here