Mimberi i profetit alejhi selam

Mimberi i profetit alejhi selam

Ebu Hazim bin Dinar ka thënë: Disa burra shkuan te Sehl bin Sadi es-Saidijji dhe po diskutonin për minberin -e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se nga çfarë materiali ka qenë. Ata pyetën Sehl-in, ndërsa ai tha: “Pasha Allahun! Unë e di se nga cili material është ndërtuar (minberi). Unë e kam parë që momentin e parë që u vendos (në xhami) dhe ditën e parë mbi të cilin i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u ul në të.

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e dëgoi te filania -dhe Sehli e përmendi me emër-: “Thuaji djalit tënd zdrukthtar të më bëjë diçka prej drunjve ku të ulem kur t’u flas njerëzve.” Ajo i tha djalit të saj dhe ai e bëri atë prej drunjve të pyllit nga pjesa e sipërme e Medines (nga ana e Shamit). Pastaj e solli dhe ia dërguan të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe u vendos këtu. Pastaj e kam parë të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të falet mbi të (minber). Mori tekbir (tha Allahu ekber) duke qenë sipër në minber. Pastaj ra në ruku duke qenë mbi të, pastaj tërhoq (eci) mbrapa dhe ra në sexhde në tokë (përbri shkallës së parë të minberit) e pastaj u kthye. Pasi mbaroi namazin ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u drejtua nga njerëzit dhe tha: “O ju njerëz! Unë e bëra këtë gjë me qëllim që të më ndiqni (shihni) dhe të mësoni formën e namazit tim.” Hadith autentik. E ka nxjerr Buhariu (917)

Shejh Abdulmuhsin el-Abbadi (Allahu e ruajttë!): Në disa hadithe transmetohet se minberi i Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka qenë me tri shkallë. E në disa hadithe të tjera tregohet se ai ka qenë me dy shkallë. Pas bashkimit mes tyre (haditheve) përftohet se minberi i tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka qenë me tri shkallë. Ndërsa ai që thotë se ka qenë me dy shkallë, ai nuk e ka llogaritur (numëruar) shkallën mbi të cilën ulesh. “Sherh Sunenu Ebi Daud” (6/213-214)

Dobitë e hadithit:

1. Sqarimi se minberi ka qenë i ndërtuar prej drurit.

2. Sqarimi i lejimit të lëvizjes sipër minberit dhe zbritjes prej tij për të mësuar njerëzit.

3. Nxitja e imamëve të xhamisë që t’ua mësojnë njerëzve namazin duke e praktikuar dhe mos të mjaftohen vetëm me mësimin e tij nga ana teorike.

Përktheu: Unejs Sheme
Udha e Besimtarëve