Mënyra e mbajtjes së shënimeve gjatë leximit të një libri

0
555

Kur kërkuesi i diturisë hyn në rradhët e lexuesve dhe i bashkangjitet grupit të tyre, duhet patjetër të shfrytëzojë leximin e tij dhe ta menaxhojë mirë atë, në mënyrë që të përfitojë prej tij atë që shpreson dhe të mos e çojë dëm lodhjen e tij. Dhe nuk ka metodë më të dobishme për këtë se sa shkrimi i dobive që has gjatë leximit të tij. Kështu ai duhet të shënojë dobitë e reja, citatet e veçanta, kërkimin shkencor të argumentuar, renditjen e gjetur të çështjeve, njohuritë e zgjedhura, urtësitë, kuptimet e holla të nxjerra prej argumenteve, çështjet e ngjashme dhe të ndryshme etj. Sepse çdonjëra prej këtyre përfitimeve zë një vend të veçantë në zemrën dhe mendjen e studentit serioz. Kësisoj grumbullimi i dobive është diçka dhe shpejtësia me të cilën nxirren ato dhe ruajtja e tyre është diçka tjetër. Pastaj mënyra se si përdoren ato dhe vendosja e tyre në vendin e duhur është diçka e tretë. E nëse mblidhen këto të treja atëherë kërkuesi i dijes e ka përsosur leximin dhe vjeljen e fryteve prej tij.
Imam Neueuij duke këshilluar studentin se si t’i ruajë njohuritë e çmuara dhe të rralla që gjen kur shfleton, apo dëgjon prej mësuesit të tij thotë: “Dhe të mos nënçmojë asnjë dobi që e has gjatë leximit apo e dëgjon, në çdo fushë të dijes, por le të shpejtojë ta shkruajë atë, pastaj t’i lexojë vazhdimisht shënimet e tij…”
Thotë gjithashtu: “Dhe të mos e vonojë shënimin e dobisë atëherë kur e has atë – qoftë edhe e vogël –, edhe nëse është i sigurtë se do ta gjejë pas një farë kohe, sepse vonimi i shënimit të tyre është e metë, dhe sepse më vonë ai do të gjejë diçka tjetër.”

Kjo është porosi e vyer nga ky imam, prandaj mbaje mend atë. Sepse sa prej dijetarëve kanë ndjerë keqardhje dhe janë bërë pishman për dobitë që u kanë ikur dhe nuk i kanë shënuar, pastaj s’i kanë gjetur dot më. Ose është mbështetur tek memoria e tij dhe ajo pastaj e ka tradhëtuar, sepse vërtetë memoria është shumë tradhëtare (të lë në baltë).

Ja ku është imam Ibnul Haxheri (hafizi i kohës së tij) që i kanë ikur disa dobi dhe ai shpreh keqardhje të madhe për këtë. Thotë nxënësi i tij Sekhauij në “El xheuahir ued durar”: “Sa i përket tefsirit, do të shikoje tek ai një prej mrekullive të Allahut të Lartësuar, dhe shprehte keqardhjen e tij për neglizhimin e shënimit të komenteve që i vinin atij në mendje, jo prej gjërave që përcillen nga dijetarët e tjerë… dhe nga fundi i jetës së tij disa prej studentëve të tij filluan t’ia shkruanin ato…”
E vërtetë është fjala: “Sa keqardhje (pishmanllëqe) ka në varreza”

Nëse shikon jetët e dijetarëve dhe kujdesin e madh që tregonin për shfrytëzimin e kohës së tyre dhe shënimin e dobive, do të gjeje gjëra të çuditshme.

Ja ku është imam Bukharij – Allahu e mëshiroftë – (çudia e kohës në memorizim), ngrihej natën disa herë për të shënuar dobitë. Thotë transmetuesi prej tij Firabrij: “Isha në shtëpinë e Muhammed ibn Ismailit një natë dhe ai ngrihej natën, ndizte kandilin dhe shkruante disa gjëra që i kujtoheshin. Këtë e bëri 18 herë!”

Imam Shafiu (v. 204) tregon për të shoku i tij Humejdij – kur ishte në Egjipt – se ai kishte dalë një natë dhe te shtëpia e Shafiut kishte parë kandilin të ndezur, u ngjt lartë dhe atje pa një fletore dhe bojën e shkrimit, i tha: “Ç’është kjo o Ebu Abdullah?! – Ai ia ktheu: Po meditoja rreth kuptimit të një hadithi – apo një çështje – dhe u frikësova se mos më ikte nga mendja, prandaj ndeza kandilin dhe e shkruajta atë!”

Dhe ka paraprirë tashmë historia e Ebul Uefa ibn Akil eh Hanbelij prandaj nuk po e përsërisim.
Ibnul Ebbar el Hafidh përmend tek “Mu’xhemu as’habis Sadefij” tek jetëshkrimi i dijetarit të madh Ebul Kasim ibn Uerd et Temimij (v. 540) se atij nuk i binte në dorë ndonjë libër veçse e shikonte nga fillimi në fund. Nëse haste gjatë leximit të tij në ndonjë dobi e shkruante në disa fletë të veçanta. Derisa grumbullonte kështu një temë të plotë.

Hafidh ibn Haxheri përmend tek jetëshkrimi i imam ez Zerkeshij (v. 794) autorit të librit “El bahrul muhit” dhe të tjerë veç tij se ai shkonte tek tregu i librave. Me të arritur atje fillonte e shlfetonte librat gjithë ditën në dyqanin e librave. Me vete mbate disa fletë ku shkruante gjërat që i pëlqenin, pastaj kthehej në shtëpi dhe ato citate i bënte pjesë të librave të tij.

Shumë dijetarë kanë shkruar libra të plotë me këto dobi të grumbulluara andej-këndej. I tillë është për shembull libri: “El funun” i Ibn Akilit i cili është nga librat më voluminozë që ekzistojnë. Po ashtu edhe: “El feuaid el aunijeh”, i Uezir ibn Hubejrah, “Sajdul khatir” (Gjuetia e mendimeve) etj veç tij të Ibnul Xheuzit, “Kajdul euabid” (400 vëllime) i Deghlulit, “Ujunul feuaid” i Ibnun Nexh-xhar (6 vëllime), “Bedaiul feuaid” dhe “El feuaid” të Ibnul Kajjimit, “Et tedhkirah” të Kindit (50 vëllime), “Mexhmeul feuaid ue menbeul feraid” i Mikrizit si kujtime të tijat që është afërsisht 100 vëllime, “Tedhkirah” i Sujutit në shkenca të ndryshme 50 vëllime, “Tedhkirah” i Safediut më shumë se 30 vëllime, disa prej tyre janë dorëshkrime. Dhe shumë të tjera.
Të mos mendojë njeri – për shkak të lavdërimit që i bëmë ruajtjes së diturisë nëpërmjet shënimeve – se ne i japim pak rëndësi memorizimit dhe e nënvlerësojmë atë. Jo kurrsesi. Në fakt nuk ka përplasje mes atyre të dyjave dhe falënderimi i takon Allahut të Lartësuar. Sidomos po të mbash parasysh se ata që i përmendëm më sipër për kujdesin e madh që tregonin ndaj shënimeve, ishin prej më memorizuesve (hafizave) më të mëdhenj!!

Dhe lavdërimi i takon Allahut me mirësinë e të Cilit përsosen punët e mira!

“Nxitësi për lexim”

Përktheu: Emin Bilali