MAQEDONI – PARTITË SHQIPTARE REAGOJNË PAS INCIDENTIT NË SHKUP

MAQEDONI – PARTITË SHQIPTARE REAGOJNË PAS INCIDENTIT NË SHKUP

Partitë shqiptare në Maqedoni reaguan ndaj incidenteve në Shkup, kur disa huliganë maqedonas kanë sulmuar një të moshuar shqiptare.


Partitë shqiptare në Maqedoni reaguan ndaj incidenteve në Shkup, kur disa huliganë maqedonas kanë sulmuar një të moshuar shqiptare, ndërsa në ndeshjen e futbollit mes dy ekipeve të Tetovës, ”Shkëndisë” dhe ”Teteksit”, e luajtur në Shkup, janë dëgjuar parulla antishqiptare.

Partia Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti qeveritare, shprehu brengosje lidhur me incidentet.

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti ka apeluar te organet e rendit për të identifikuar autorët.

“Jemi thellësisht të brengosur për nivelin e urrejtjes e cila duket se rrezikon të shndërrohet në sjellje të rregullt të tifozerisë etnike maqedonase. Bëjmë edhe njëherë thirrje që përfundimisht kjo sjellje të korrigjohet, por ajo që është akoma më me rëndësi, kërkojmë dhe apelojmë te organet e rendit që të identifikojnë autorët e këtyre rrahjeve dhe t’i sjellin ata para organeve të rendit duke mos u nisur nga asnjë lloj qasje selektive apo duke mos kërkuar asnjë lloj masa më të buta ndaj autorëve të këtyre incidenteve”, tha Mehmeti.

Ndërsa nga PDSH, deputeti Orhan Ibrahimi, ka deklaruar se incidentet e djeshme dëshmojnë se ndaj shqiptarëve vazhdon dhuna.

“Shqiptarët vazhdojnë të rrihen, ndaj shqiptarëve vazhdon të ushtrohet dhunë, e projektuar nga qeveria”, tha Ibrahimi.

Deputeti Izet Zeqiri nga RDK-ja theksoi se dënon incidentet dhe bëri thirrje tek autoritetet e rendit që të marrin masa për zbulimin e autorëve.

“RDK dënon ashpër incidentet e rënda ndëretnike që kanë ndodhur gjatë dhe pas ndeshjes ”Teteks” – ”Shkëndija”, dënojmë thirrjet antishqiptare dhe djegien e flamurit shqiptar, gjithashtu dënojmë aktin e dhunës së huliganëve me thika që lënduan dy të moshuar dhe një 15-vjeçare me kombësi shqiptare duke iu shkaktuar lëndime trupore. RDK i bën thirrje Ministrisë së Brendshme që të marrë masa për zbulimin e autorëve”, deklaroi Zeqiri.