Koret e bukës e shpërtuan nga zjarri i xhehenemit

0
237

Biografët kanë shënuar një ngjarje shumë interesante për të marrë mësim që i ndodhi Ahmet b. Miskinit (dijetar i shekullit të tretë hixhri).

Isha i sprovuar me varfëri të madhe në vitin 219 h. Kisha mbetur pa asgjë, dhe kisha bashkëshorten me një djalë të vogël. Uria thjesht na shkatërronte. Vendosa fuqishëm që ta shes shtëpinë dhe të shpërngulem. Dola, mos e shoh dikë që do t’ia shisja shtëpinë. Rrugës takova Ebu Nasrin dhe i tregova për qëllimin tim të shitjes së shtëpisë. Ai, atëherë mi dha dy kore bukë në mes tyre me diç të ëmbël dhe tha:

– Ja, ushqe familjen tënde. U nisa për në shtëpi, por rrugës e pashë një grua me një fëmijë të vogël për dore i cili qante. Ajo e shikoi bukën në dorën time dhe tha:

– O njeri, ky fëmijë është jetim, tejet i uritur dhe nuk mund ta durojë urinë dhe qan, të lutem ushqeje, Allahu të mëshiroftë! Fëmija më shikonte me një shikim që kurrë nuk mund ta harroj. Mu duk sikur xhenneti zbriti në tokë dhe i afrohet vet atij që e ushqen këtë fëmijë dhe nënën e tij. Ia dhashë asaj dy koret e bukës nga dora ime dhe i thashë:

– Merre këtë dhe ushqe fëmijën tënd. Pasha Allahun, unë nuk kam asgjë, ndërsa në shtëpinë time e kam atë që ka nevojë për këtë më shumë se ju! Gruaja lëshoi një pikë loti, ndërsa në fytyrën e fëmijës u pa buzëqeshja. Vazhdova rrugën i pikëlluar, i molisur, duke menduar për shitjen e shtëpisë, kur në atë moment erdhi Ebu Nasri, dukej se po fluturonte nga gëzimi dhe tha:

– Ti po sillesh nëpër rrugë e në shtëpi të erdhi nafakë e madhe!
– Subhanallah! Nga kjo, o Ebu Nasr?
– Erdhi një njeri nga Horosani dhe pyeti për babanë tënd ose për dikë nga familja e tij, e me vete kishte sjellë barrë të mallit të ndryshëm. E pyeta çfarë dëshiron. Ky ishte një tregtar nga Basra të cilit babai yt para 30 vjetëve i kishte dhënë të holla për qarkullim tregtar.

Mirëpo, aty nuk kishte pasur sukses në tregti dhe kishte kaluar në Horosan. Aty pati sukses dhe u bë pasanik jashtëzakonisht i madh. U kthye në Basër për t’ia kthyer të hollat dhe fitimin babait tënd gjatë këtyre 30 vjetëve dhe të kërkojë hallall.

Falënderova Allahun e Madhërishëm për begatitë e Tij, pastaj e gjeta atë grua të varfër dhe fëmijën e saj, u dhashë të holla të caktuara dhe u caktova të ardhura mujore rregullisht. Vazhdova të bëj tregti me mallin e trashëguar, duke pasur kujdes për hakun e të varfërve dhe duke dhënë, por ai, me dëshirën e Allahut, vazhdimisht rritej. U bëra i lumtur dhe krenar me veten që arrita sukses që me veprat e mira t’i plotësoj faqet e librit që melekët i shkruanin, dhe shpresoja se jam bërë rob i sinqertë i Allahut.

Një natë duke fjetur, ëndërrova sesi erdha në Ditën e Gjykimit. Njerëzit ishin të tmerruar dhe ecnin të hutuar. Në shpinat e tyre bartnin veprat e tyre të këqija si një material. Shpinat e disave ishin shumë më të gjera dhe më të mëdha për të bartur të gjitha veprat e tyre.

Disa mëkatarë bartnin aq peshë të madhe në shpinat e tyre sa një qytet. Pastaj u vendosën peshoret për t’u peshuar veprat. Unë erdha para peshores dhe filluan të peshohen veprat e mia. Veprat e mia të këqija u vendosën në një tas e në tjetrin regjistrat e veprave të mira.

Për befasinë time, mbipeshuan veprat e këqija. Pastaj, filluan të shtojnë një nga një vepër të mirë timen. Mirëpo, në secilën vepër të mirë timen ishte fshehur epshi, siç është hipokrizia, kryelartësia, kënaqësia e lavdërimit të njerëzve, kështu që asnjë prej tyre nuk mu pranua. Isha i sigurt se jam shkatërruar. Dëgjova një zë i cili tha:

– A ka mbetur edhe diç?
– Ka mbetur edhe kjo. Shikova çka ka mbetur dhe pashë ato dy koret e bukës që ia kisha dhënë asaj gruaje dhe fëmijës së saj jetim.

Atëherë isha edhe më i sigurt në shkatërrimin tim, sepse isha i vetëdijshëm se kam dhënë shumë më tepër se kjo. Kam dhënë ndonjëherë edhe njëqind flori menjëherë, por nuk më është pranuar. I vendosën ato dy kore të bukës në tasin e veprave të mira dhe ato filluan të lëshohen dhe të mbipeshojnë pakëz.

Pastaj i vendosën lotët e asaj gruaje të varfër që i pata dhënë përparësi mbi familjen time, duke i dhënë dy kore bukë. Tasi atëherë filloi edhe më shumë të lëshohej derisa nuk bërtitën:

– Është i shpëtuar!

Në mesin tonë sot ka shumë nevojtarë. Secili prej nesh të tillëve mund t’u ofrojë së paku një kore të bukës. Nuk duhet konsideruar as një vepër të vogël të parëndësishme.
Asnjëherë nuk e dimë se cila vepër e jona është e pranuar te Allahu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here