Hoxhë Ahmed Kalaja: Pse besimi në Zot është shëndet! (intervista ekskluzive)

0
253

 

FLET PËR GAZETËN “SUPER SHËNDETI”, HOXHË AHMED KALAJA, QË DREJTON XHAMINË “DINE HOXHA”: A ËSHTË E DREJTË QË LUTJET TË BËHEN NË GJUHËN ARABE DHE JO NË SHQIP?

1. “Zoti e krijoi femrën e parë prej brinjës se burrit. Nuk e krijoi prej këmbës së tij, për ta shtypur ai me këmbë. As prej kokës së tij, që ajo të jetë mbi të, por prej brinjës afër zemrës, për të qenë i dashuruar ai me të”
2. “Humbja e virgjërisë para martese, prodhon vetëm… lot dhe vuajtje. Nëse të do me të vërtetë dikush, ai kërkon të kalojë jetën me ty dhe jo vetëm një çast, si një eksperiment seksual i rradhës”

Intervistoi: Silvana Balliu

Ekskluzive: Gazeta “Super shëndeti”

Feja Islame ka popullsinë më të lartë të besimtarëve në Shqipëri, por vitet e fundit është përfolur për një ulje të këtij numri.

A janë larguar besimtarët?

Po imazhi i muslimanëve i dëmtur në botë, sa ka ndikuar tek muslimanët shqiptarë.

A ka një lidhje logjike mes terrorizmit dhe fesë Islame?

o femra muslimane a është e diskriminuar në Islam dhe pse nuk lejohet humbja e virgjërisë, jashtë martese?

Po bamirësia, që është një pikë e fortë e kësaj feje, sa zemërgjerë janë shqiptarët?

Për t’u dhënë përgjigjie pyetjeve të mësipërme dhe shumë të tjera rreth së njëjtës temë, vjen në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Super Shëndeti”, Hoxhë Ahmed Kalaja, që drejton xhaminë, “Dine Hoxha”, në kryeqytet.

Hoxhë Ahmed (nuk po ju drejtohem me Zoti, pasi Ai është Një dhe i vetëm), a mund të na thoni, si është numri i muslimanëve në Shqipëri? Herë pas here ka zëra se muslimanët kanë ardhur, duke u tkurrur, ndërkohë që shikojmë që xhamitë, ku ju mblidhni besimtarët janë gjithnjë e më të pamjaftueshme për numrin e besimtarëve? A keni shifra në lidhje me këtë gjë?

Në rradhë të parë ju falenderoj për mundësinë e realizimit të kësaj interviste. Në lidhje me pyetjen tuaj të parë rreth numrit të besimtareve muslimanë në Shqipëri dëshiroj t’ju them se, nëse do t’i referohemi censusit të fundit të 2011-ës, ku përqindja e popullsisë muslimane ishte rreth 60% e popullsisë. Prej saj ka një vakum të madh praktikantësh, të cilët mendoj se duhet të ndërgjegjësohen që të bëhen pjesë e vërtetë e besimit islam praktikisht. Kjo si shtysë që besimi të reflektojë në jetën e tyre nga njëra anë, por nga ana tjetër dhe si një kontribut shoqëror për ringjalljen e asaj tradite që padrejtësisht na u mohua në kohën e komunizmit për shumë vite me rradhë. Nuk kemi shifra të sakta për numrin e besimtarëve në përgjithësi, sepse ato nuk janë konstante, por ndryshojnë. Disa emigrojnë jashtë Shqipërisë për kushte më të mira jetese. Por, ajo që vihet re, është se ka një rini që kërkon çdo ditë të gjejë rrugën e saj të paqes dhe mirësisë me ZOTIN. Fatmirësisht, numri i besimtarëve në xhamitë shqiptare mbipopullohet, sidomos në ditën e xhuma (premte), ditë kjo obligative për prezencën e besimtarëve në xhami si një kongres javor shpirtëror dhe social, jo vetëm për të adhuruar ZOTIN, por edhe për të rritur njohjet me njëri-tjetrin, duke thyer pak a shumë atë jetën monotone individualiste, që na ofron realiteti i sotëm si dhe post-modernizmi që në na gjeti çyryk si popull në shumë fusha.

Sa janë shqiptarët bamirës, sa sevap bëjnë ata. Një pjesë e shoqërisë i kanë përmbushur le të themi nevojat e jetës dhe të përditshmërisë. Si është ky raport dhe si duhet të ofrohen ata që duan të bëjnë sevap, përmes xhamisë?

Shqiptarët janë popull shumë bujar. Kanë një traditë shumë të bukur shekullore të bujarisë së tyre. Deri dje bujaria e tyre konsistonte në dhurata dhe më me vlerë, sesa sot. Për shembull, shumë familje tiranase kanë dhuruar pasuri të patundshme për të shërbyer ato si objekte fetare apo sociale, që në terminologjinë fetare quhen VAKUFE. Sasia e tyre është aq e madhe, nëse do t’i ktheheshin Komunitetit Musliman, si pronar i tyre dhe do të menaxhoheshin. Kështu, nuk do të kishin nevojë për fonde nga Lindja as nga Perëndimi, po do të ishim krejtësisht të pavarur. Në arkivin e shtetit njihen regjistrat e këtyre pronave, ku secila xhami kishte nën administrim dyqane, ullishta apo të tjera prona në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Tirana ku banoj, gjithashtu shquhej për të tilla prona. Sot bamirësia konsiston pak më ndryshe, sesa dje. Njerëzit dhurojnë ushqime për të varfërit, kujdesen për t’i blerë atyre orendi, mundohen t’u rregullojnë shtëpi etj, etj, forma nga më të ndryshme. Kur ishin përmbytjet, vetëm xhamia jonë mblodhi disa tonë ushqime dhe ndihma për të përmbyturit në zona të ndryshme. Ka një sensibilizim të fortë fetar, por dhe qytetar në këtë aspekt. Vetë Islami e motivon këtë dhe në festat e tij si; ajo e Fitër Bajramit, ku secili jep sadaktu fitrin (masë ushqimore për të varfërit) si sensibilizim social, që dhe ata të gëzojnë në këtë ditë si gjithë të tjerët. Po ashtu, edhe në festën e Kurban Bajramit ndahet një pjesë e mishit dhe u jepet sadaka të afërmve apo komshinjve. Zekati, gjithashtu është përqindja e pasurisë, kur ajo arrin masën dhe kohën e saj prej një të pasuri dhe kjo i jepet të varfërve, por edhe të tjerëve, nevojtarëve, me qëllim rregullimin e jetës së të gjithëve, për të formuar një shoqëri të shëndoshë dhe të lumtur. Falë ZOTIT, KMSH, por edhe xhamitë kanë një strukturë efikase për mbledhjen e ndihmave dhe dhurimin e tyre në mënyrë transparente dhe besnike. Kushdo është i mirëpritur për kontributin e tij.

Ne jemi mësuar që një Hoxhë duhet të ketë një moshë të madhe, le të themi, ndërsa ju jeni i ri dhe prej vitesh tashmë jeni në krye të xhamisë “Dine Hoxha”, në Tiranë. A ka qenë pengesë mosha apo përgatitja juaj dhe shkolla juaj, ju ka bërë një person të denjë dhe askush nuk ka pretendime për këtë gjë?

Në lidhje me moshen time, ajo jo vetëm që nuk ka qenë pengesë, por përkundrazi ka qenë një moshë energjike që normalisht jo vetëm që më ka shtyrë dhe nxitur për të qenë shumë aktiv në veprimtarinë time fetare, por nga ana tjetër ka shërbyer si shkak i formimit të eksperiencës sime gjatë viteve, duke marrë një formë më të përkryer dhe më të konsoliduar. Jam përpjekur dhe përpiqem të jem vetvetja dhe të performoj sa më mirë misionin, që kam marrë përsipër në shërbim të ZOTIT, që nuk realizohet po nuk i shërbyem edhe njerëzve; duke qenë besimi esenca e frymëzimit për t’i qenë më pranë njerëzve.

Ju keni në anën tuaj shumë besimtarë që ju duan. Si keni mundur të jeni një Hoxhë kaq popullor?

Siç ua thashë dhe më parë, duke qenë vetvetja, duke qenë sa më i çiltër dhe i dashur apo pranë tyre në çdo situatë; në të mira e në të këqija; në gëzime dhe në hidhërime; në suksese apo dështime duke kontribuuar me fjalët, këshillat dhe sugjerimet gjithmonë për të mirën dhe të dobishmen. Duke iu gjendur atyre pranë çdo herë si një vëlla, shok, mik. Duke u munduar me mish e me shpirt, që të formoj një bashkësi besimtarësh virtuoze dhe shembullore.

Kur’ani, pra libri i shenjtë i muslimanëve është në gjuhën arabe dhe sure-të, kur bëhet falja thuhen në këtë gjuhë. A nuk do të quhej falja, nëse sure-ja do të thuhej nga besimtari gjatë lutjes në gjuhën shqipe?

Ka disa keqkuptime të njerëzve jashtë xhamisë në lidhje me faljen Islame meqë kryhet në gjuhën arabe, për këtë arsye është mirë të sqaroj se: Së pari: Gjuha arabe është gjuha me të cilën u zbrit Kur’ani nga ZOTI tek profeti Muhamed a.s me anë të ëngjëllit Xhibril (Gabriel) si shpallja e fundit hyjnore deri në ditën e Kijametit. Para Kur’anit profetët ishin më të shpeshtë, pothuajse çdo 100 vjet kishte raste kishte dy profetë njëherësh, sikurse ishte Jahja (Gjon Pagëzori) dhe Isai biri i Merjemes (Jezusi biri i Maries). Kishte raste, që babai dhe i biri ishin profetë, dy vëllezër ishin profetë e kështu me rradhë. Profeti i parafundit ishte Isai, biri Merjemes (Jezusi biri Maries). Midis atij dhe neve sot ka 2000 vjet, që nuk u vjen më profet, përveç profetit Muhamed a.s. Ky është argument për profecinë e fundit tek Profeti Muhamed a.s. Pra, kemi një ndryshim të traditës së dërgimit të profetëve në kohë, vend dhe popull me profetin e fundit. Çfarë ndodhi?Hebrenjtë dhe romakët bashkëpunuan me njëri-tjetrin për të dënuar Jezusin, gjë që sipas Kur’anit nuk ja arritën. Kështu që ZOTI ua hoqi të drejtën e profecisë dhe ia dha popullit arab si pasardhës të Ismailit, birit të Ibrahimit (Abrahamit). Zoti na tregon në Kur’an që çdo popull ka pasur profetin e tij. Por, Kur’ani si libër hyjnor universal për njerëzimin i përmblodhi shumë prej historive të profetëve, duke përzgjedhur nga vetë ZOTI mësimet më të urta të ndodhura tek profetët e mëparshëm, po duke ruajtur origjinalitetin e tyre. Humbja e gjuhës origjinale ishte defekti kryesor i feve para islame, gjë e cila çoi në një mori keqkuptimesh për shkak të përkthimeve, të cilat mbarten një mori problematikash, e që më vonë u shenjtëruan dhe nga fjalë të njerëzve, si fjalë e vetë ZOTIT. Po ashtu, edhe vendet ku erdhën këta profetë nuk ishin më qendra të mësimeve të tyre, por u zhvendosën në kultura të ndryshme. Për këtë arsye në Islam i jepet shumë rëndësi ruajtjes së origjinalitetit të gjuhës origjinale të shpalljes hyjnore. Duke ruajtur origjinalitetin gjuhësor ruhet dhe autenciteti i shpalljes hyjnore. Për këtë arsye gjuha arabe është vitale, aktuale, është e larmishme dhe me përhapje shumë të madhe në botë. Tekstet apo mësimet e mëparshme profetike në gjuhë të tjera patën deformime, por edhe gjuha e përkthimit të tyre si latinishtja, sot u bë gjuhë e vdekur, e papërdorshme. Keqkuptime të shumta ndodhen për shkak të përkthimeve, psh fjala “zotëri” u përkthye në gjuhën greke dhe latine “Zot”, sepse grekët dhe zotërisë dhe ZOT e thërrasin me të njëjtën fjalë “Theo” dhe pastaj, prej kësaj, rrodhi edhe keqkuptimi se krijesën “zotëri” mund ta bëjmë ZOT. Ndërkohë, që gjuha arabe është gjuhë korrekte. Ajo specifikon deri në detaje të hollësishme dallimet dhe kuptimet e fjalëve. Po ju jap një shembull, “Faleminderit o ZOT” në arabisht përdoret “Elhamdulilah”, që është e veçantë vetëm për ZOTIN dhe nuk përdoret për krijesat. Me këtë fjalë fillon dhe Kur’ani. “Elhamdulilahi Rabil Alemin”. (Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.) Ndërsa, fjala që përdoret për të falenderuar njerëzit është Shukren ose siç e themi në shqip ne, Shyqyr. Pra, arabishtja fjalën Hamd-Faleminderit nuk e përdor për njerëzit. Mirëpo në shqip faleminderit përdoret edhe për ZOTIN, edhe për njerëzit. Gjuha arabe ka specifikimet e saj dhe kur i drejtohet femrës në vetë dhe kur i drejtohet mashkullit në vetë dhe numër. Kjo, pra e bën atë një gjuhë specifike, me qëllim që të mos deformohet kuptimi. SË DYTI; Gjuha arabe është gjuhë universale e faljes së miliarda njerëzve sot në botë të unisuar dhe në drejtim nga Meka. Pra, është gjuhë globale unifikuese e besimtarëve kudo, që ndodhen në botë. Pra, është gjuhë globale për muslimanët. Arabishtja e ka paraprirë anglishten në rolin e saj globalist edhe pse sot anglishtja, si pasuese e këtij roli të kopjuar, ka marrë rëndësinë e saj në botë. Por, ka dhe fjalë që përdoren në mjekësi nga latinishtja, edhe pse latinishtja është gjuhë e papërdorur, por ne sot nuk mendojmë të ndryshojmë emrat e ilaçeve. Nuk do t’i them paracetamolit, paracetamol, sepse nuk është shqip?! Riti i faljes (Namazi) është i detyruar për të qenë në arabisht dhe për këtë ka një thënie profetike për suren el Fatiha, e cila nuk mund të ndryshohet për teka nacionaliste. Ndërsa, lutjet drejtuar Zotit edhe gjatë faljes mund të bëhen në gjuhë të ndryshme, shqip, italisht, anglisht, pa asnjë problem. Pra, ne i falemi ZOTIT, duke lexuar autentikisht Kur’anin në gjuhën arabe, por duke bërë lutjet në gjuhën shqipe. Zoti i di gjithë gjuhët, por ka kërkuar të mbetet gjuhë zyrtare e Kur’anit arabishtja në ritin e faljes, me qëllim që besimtarët të unisohen dhe se Kur’ani është dhe melodioz, për shkak të cilësisë së mënyrës së zgjatjes së shkronjave gjatë recitimit të tij, gjë e cila nuk ndodh me gjuhët e tjera. Dëgjoni Kur’an në youtube dhe do ta vëreni fare lehtë melodinë e tij të artë, si shpallje hyjnore. E megjithatë, për t’u ardhur në ndihmë besimtarëve në kuptimin e Ku’ranit, ne sot kemi më shumë përkthime të plota të autorëve të ndryshëm të Kur’anit, duke filluar nga përkthime pjesore të hoxhallarëve të mëparshëm, h. Ali Korça, h. Ibrahim Dalliu, h. Abdullah Zeblaku, Ferit Vokopala, e të tjerë si; Naim Frashëri, e pastaj më shumë se 5 përkthime të plota, si ai e Muharrem Blakcorrit, Feti Mehdiut, Sherif Ahmedit, Hasan Nahit etj etj. Pra, lexuesi shqiptar mund t’i gjejë përkthimet e Kur’anit në shqip dhe t’i lexojë ato. Megjithatë, dua të shtoj se, Kur’ani është dhe unifikues i gjithë besimtarëve të rruzullit tokësor, ai ruan indetitetin e kuptimeve të sakta dhe të vërteta. Psh nëse çdo fjalë do ta shqipëronim, atëherë do të humbte indetiteti i saj dhe njerëzit nuk do ta kuptonin se për çfarë bëhet fjalë. Nëse fjalën “Muhamed” do ta përkthenim në shqip “i Lavdishmi”, atëherë njerëzit nuk do e kuptonin se për kë bëhej fjalë. Nëse fjalën “Xhuma” do ta përkthenim “mbledhje”, në shqip njerëzit do të humbnin kuptimin. Duke menduar se bëhet fjalë për ndonjë mbledhje tjetër. Pra, ruajtja e disa fjalëve në gjuhën arabe, ruan dhe autencitetin e tyre dhe kuptimin indentik dhe sinjifikues. Riti i faljes bëhet në gjuhën arabe, duke ruajtur autencitetit e vërtetë të zbritjes se librit hyjnor dhe duke unifikuar të gjithë ritet e faljeve në botë. Lutjet predikimet, librat etj, besimtarët shqiptarë i kanë të gjitha në gjuhën shqipe. Është absurde kërkesa e disa-ve që televizorit, kompjuterit e shumë sendeve dhe gjërave nuk i gjejnë zevendësime në shqip, kërkojnë të futen me këto teori te feja, kur ajo eshtë e shenjtë dhe e pacënueshme.

A keni ju, si xhami një strategji për të afruar brezin e ri dhe për t’i bërë ata muslimanë të devotshëm?

Ne predikojmë Islamin dhe Islami është vetë i tillë që i ofron rininë dhe të gjitha moshat për t’ju bashkangjitur xhamive. Ne i duam të gjitha moshat; fëmijët, të moshuarit, moshën e pjekurisë, por rinia është vitalja. Islami është si lumi, që vazhdimisht rrjedh dhe pjesëtarët e bashkësisë se tij bëhen pjesë e ecurisë së kësaj rrjedhjeje, për të vazhduar rrugëtimin tonë për në xhenet dorë për dore e me dashuri dhe paqe, duke ndihmuar njëri-tjetrin.

Për shkaqe politike, feja islame është ngatërruar me terrorizmin. Unë e di që janë dy gjëra tërësisht të kundërta. Por juve vetë, a ju duhet shpesh të bëni dallimin, pasi hasni këtë lloj paragjykimi?

Ka dashakeqësi për t’i vendosur Islamit epitetin “terrorist”, por nga 1.5 deri në 2 miliardë muslimanë terrorizmi nuk mund të përfaqësojë këta dhe as ne. Por, e keqja e sotme është se ne nuk shikojmë pse në Lindjen e Mesme ka vazhdimisht luftëra? Kush është shkaktari? A janë shkaktarë muslimanët, apo faktorë të jashtëm? Luftërat janë planifikime të qëllimshme shumëvjeçare, apo janë çështjë rastësore? A kërkohet të ndërrohet harta e Lindjes së Mesme dhe kush janë të angazhuar për këtë? A po përplasen superfuqitë atje për influencë dhe a janë muslimanët viktima të tyre? Përgjigja e këtyre pyetjeve do ta bënte më të qartë se Islami dhe terrorizmi nuk kanë asnjë lidhje, përkundrazi muslimanët dhe Islami janë bërë viktima të asaj, që e përgatisin të tjerët dhe duke e njollosur islamin dhe muslimanët pa të drejtë.

Kur ju mbani fjalën tuaj gjatë ditës së xhuma, flisni edhe për femrat apo të drejtat e tyre, sipas fesë Islame. Por, shpesh të tjerët që nuk i përkasin kësaj feje, apo le të themi ata që nuk janë muslimanë të devotshëm, janë të mendimin se femra në Islam është e diskriminuar, për shkak se femra kosiderohet në shërbim të bashkëshortit, ajo duhet të jetë jo më e zgjuar se burri, ajo duhet të jetë e mbuluar, edhe ky konsiderohet një privim i lirisë. Ju si do ta komentonit këtë qasje të jomuslimanëve?

Ata që flasin për femrën muslimane duhen të njohin jetën e saj, lumturinë e saj dhe gjendjen e saj shpirtërore, pastaj të japin konkluzionet e tyre. Sepse, paragjykimet e ngritura në tymnajë kundër femrës muslimane, jo vetëm që deformojnë realitetin e kuptimit të botës së tyre, por përkundrazi shkaktojnë dhe perceptime të gabuara rreth saj. Femra në Islam nuk shikohet si shërbëtore e burrit, por si bashkëshorte dhe bashkëjetuese me burrin. Pra, është pjesë e bashkëjetesës me burrin, të lidhur të dy në një kontratë martesore legale, me pranimin dhe dashamirësinë e familjeve. Zoti e krijoi femrën e parë prej brinjës se burrit. Nuk e krijoi prej këmbës së tij, për ta shtypur ai me këmbë. As prej kokës së tij, që ajo të jetë mbi të, por prej brinjës afër zemrës, për të qenë i dashuruar ai me të. Ky është Islami dhe trajtimi i femrës në të, duke e vlerësuar atë si bijë, si bashkëshorte, si nënë, duke e konsideruar se xheneti gjendet poshtë shputave të saj, për këdo që e respekton nënën. Ndërsa, për sa i përket mbulesës, ajo i shërben ruajtjes së dashurisë së bashkëshortëve. Shamia apo mbulesa pengon depërtimin e frekuencave të femrave të huaja në format e tyre vizive, që mos depërtojnë në zemrat e dashuruarve. Ky është fuksioni i saj social. Nuk është privim nga liria, por është liri brenda saj, për të mos e shfaqur bukurinë vetëm se tek të afërmit e saj. Problemi është se femra gjithmonë shikohet në aspektin fizik apo si objekt apo lodër. E pra, femra në Islam nuk ka si qëllim konkurrencën me këdo për të qenë rruga për të një sfilatë, por ajo është vazhdimisht në përpjekje për të rregulluar brendësinë e saj shpirtërore, duke qenë e sinqertë, modeste, e moralshme, e ditur, pse jo dhe e bukur brenda kornizës së dashurisë së saj legale, etj etj.

Pra, a ekziston barazia mes femrës dhe mashkullit në Islam?

Barazia? Barazia nuk ekziston as midis dy binjakëve në krijim, qofshin te dy djem apo të femra. Kush barazon femrën me mashkullin, i ka bërë padrejtësinë më të madhe femrës. Femra si nënë nuk mund të barazohet kurrë me mashkullin si baba. Një burrë e pyeti profetin Muhamed a.s: Kush e meriton më së shumti nga njerëzit respektin tim? Profeti Muhamed a.s i tha: – Nëna. Pastaj?! – Nëna. Pastaj, tha ai. Profeti Muhamed a.s sërish përgjigjet: – Nëna. Burri pyeti: Pastaj kush vjen në renditje?! Ai përgjigjet: – Babai. Pra, 3 herë respekt NËNA. Si mund ta barazojmë femrën që e mban fëmijën 9 muaj në bark me babanë, që nuk e mban në bark, por normalisht kujdeset për të në forma të tjera. Si mund ti’ barazojmë ndjenjat dhe emocionet e një nëne me ndjenjat dhe emocionet e një burri? Është absurde. Islami nuk fton në barazi mes dy të ndryshmeve, por fton në drejtësinë mes të ndryshmeve. Aty ku emocionet e nënës bashkohen me gjakftohtësinë e babait, për të bërë të plotën e të dyve. Ne synojmë të plotën, jo ndarjen përgjysmë për të vendosur shenjën e barazisë. Prandaj, ndodhin dhe shumë prej divorceve, për shkak të moskuptimit të plotësimit të dy gjinive tek e plota, e tëra ajo që nuk ndan përgjysmë, duke krijuar konfliktin unë apo ti. Por, tek ajo që bashkon “ne të dy”. (Qesh)

Po humbja e virgjërisë së femrës para martesës si konsiderohet nga feja Islame?

Humbja e virgjërisë nëse ka ndodhur gjatë një akti legal martesor është normale. Nëse ndodh në mënyre ilegale vetë fjala ilegale e jep kuptimin logjik të saj. Në Islam, kur diskutohet virgjëria nuk është për qëllim vetëm “cipa”, por ndjenjat, ndjesitë edhe pasojat. Jeta bashkëshortore nuk duhet të shihet si një eksperiment, po një lidhje serioze me partnerin që na do. Nëse të do me të vërtetë dikush, ai kërkon të kalojë jetën me ty dhe jo vetëm një çast si një eksperiment seksual i rradhës. Pra, Islami kërkon qetësi, maturi, kërkon bashkëjetesë të gjatë, kërkon lidhje ligjore në martesë dhe jo aventura dhe eksperimente që përfundojnë me vuajtje dhe lot.

A është tolerante feja islame? A lejohet që të urosh një të krishterë për festën e tyre?

Feja Islame është tolerante. Përderisa ne i kemi gjithë profetët në Kur’an, nga Ademi deri tek Jezusi dhe Muhamedi a.s si profet i fundit, besoj se asnjë fe nuk e ka këtë cilësim kaq tolerant dhe gjithëpranues të profetëve të Zotit. Pra, një i krishterë e gjen Jezusin në Islam. Por, tek muslimani profeti Jezus ishte njeri, biri i Merjemes (Maries) Zoti ka zbritur një kapitull të vecacntë për nënën e Jezusit në Kur’an dhe nuk e ka bërë këtë gjë për nënën e Muhamedit a.s. Zoti ka thënë në Kur’an se Merjemja (Maria) është nga gratë më të nderuara të botës dhe nuk e ka bërë këtë Kur’ani për dikë tjetër. Pra, ne e nderojmë Jezusin dhe nënën e tij, nuk lejohet t’i ofendojmë dhe nuk na lejohet t’i hyjnizojmë, as Jezusin, e as Marien. Ne themi shpesh “Paqa Zotit qoftë mbi ta”. Islami gjithashtu lejon tregtinë dhe ushqimet e krishterëve për t’i përdorur, edhe femrat e tyre për t’u martuar. Pra, një musliman bashkëjeton normalisht me një të krishterë. Por, kjo bashkëjetesë NUK do të thotë shkrirje në një, të dy feve. Prandaj, quhet besim fundi i fundit, dialogojmë me të tjerët bindjet tona dhe themi që “Në fe nuk ka dhunë”(Kur’an) besimi dhe bindja nuk imponohet. Përzierja apo miksimi në adhurimet e njëri-tjetrit kjo nuk do të thotë më asgjë, veçse humbje indentitare.

Muslimanët, nga ana e tyre, thonë që femra muslimane është e respektuar brenda rregullave dhe se një femër trajtohet më keq, kur nuk i përket kësaj feje. A mendoni edhe ju kështu?

Jo, jo aspak. Mund të ketë raste të trajtimit të femrës shumë të mirë, por edhe të trajtimit të keq dhe nga jomuslimanët. Nuk është e prerë me thikë kjo; ka jomuslimane njerëz kavalierë dhe xhentëllmenë, që dinë ta trajtojnë një femër, siç duhet sikurse ka edhe muslimanë që e trajtojnë femrën e tyre si mbretëreshë. Por, ne nuk jemi dakord që femra të trajtohet në përgjithësi si mjet komercial.

Ka shumë familje muslimane, kryesisht shqiptarët në Maqedoni, që bëjnë dasmat, femrat veç dhe meshkujt veç. Por, i bëjnë me muzikë, kur dihet se muzika është e ndaluar nga feja islame. A është e pranueshme për ju si Hoxhë kjo gjë?

Traditat e shqiptarëve kanë edhe ato pasojat dhe relativizmin e tyre. Ka njerëz që i bëjnë dasmat me piano dhe muzikë klasike. A mund t’i paragjykojmë pse me piano, duke rënë në kundërshtim me traditën shqiptare? Ka njerëz që i bëjnë me DJ, ka njerëz që i bëjnë me orkestër, ka njerëz që pijnë dhe dehen dhe bëjnë gjëmën, duke shtirë (qëëluar me armë, shënim redaksional) dhe në dasëm, duke i kthyer dasmat në mort. Ka palogjikshmëri plot. Ka njerëz që i ka vdekur dikush dhe nuk do muzikë fare në dasëm për respekt të të vdekurit. Diku gjetkë, si në Maqedoni i bëjnë dasmat ashtu si atyre ju pëlqen, pse do t’u imponojmë atyre violinçelin, apo t’u themi vendosni Mozar-tin, apo tallava. Le t’i bëjnë si t’ju dëshirojë e bardha zemër, mjafton që ata të jenë të kënaqur dhe unë ju uroj “U trashëgofshi dhe jetë të lumtur”. Ndërsa, nëse na pyesin ne, padyshim që do të japim orientimet e duhura, që të mos shkelim mbi parimet e bukura të Islamit.

Xhamite e Tiranes

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here