Historiku i namazit në Kur’an – Ligjeruesi Islam

0
239

Lavdia i takon Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Mëshirës, Muhamedin salallahu alejhi ue selem.

Padyshim që adhurimi në Islam është një nocion përmbledhës i çdo gjëje, qoftë fjalë apo vepër e dukshme apo e padukshme që kryhet me bindje e përkulshmëri dhe që Allahu është i kënaqur me të. Ibadeti në Islam është i shumëllojshëm dhe kryhet me pjesëmarrjen e tërë qenies sonë. Krijuesi Allah adhurohet me gjuhë, duke e përmendur dhe duke iu lutur, me trup, duke u falur dhe agjëruar, me zemër, duke iu frikësuar dhe duke e mbështetur shpresën tek Ai, me mendje, duke medituar për Të.

“THUAJ: “SIGURISHT FALJA IME, KURBANI IM, JETA IME DHE VDEKJA IME JANË PËR ALLAHUN, ZOTIN E ALEMINIT (NJERËZVE, XHINDEVE DHE GJITHÇKA QË EKZISTON).” (ENAM, 162)

Një ndër adhurimet (ibadetet) me rëndësi në jetën e çdo besimtari është namazi dhe, për aq sa është i rëndësishëm, mendoj se është me interes për çdo mysliman të ketë një pasqyrë të shkurtër të historikut të tij gjatë periudhave kohore.

Namazi nuk është një detyrë vetëm për umetin e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem; historia e tij e bujshme përkon me fillimet e historisë së njerëzimit. Namazi filloi me krijesën e parë të njerëzimit, filloi me Ademin, alejhis selam, dhe vazhdon deri më sot dhe me lejen e Allahut, do të vazhdojë deri në fundin e kësaj ekzistence, që mbaron me Ditën e Gjykimit. Namazi, pra, është një zinxhir lidhës i popujve besimtarë dhe nur (dritë) ndriçues, që na lidh me Krijuesin Allah deri sa të përfundojë jeta.

“KËTA ISHIN ATA MBI TË CILËT ALLAHU DHUROI MËSHIRËN E TIJ NGA MESI I PEJGAMBERËVE NGA PASARDHËSIT E ADEMIT DHE NGA ATA TË CILËT NE I MBARTËM SË BASHKU ME NUHUN, NGA PASARDHËSIT E IBRAHIMIT DHE TË ISRAILIT (JAKUBIT) DHE NGA ATA TË CILËT NE I UDHËZUAM DHE I ZGJODHËM. KUR U RRËFEHESHIN ATYRE VARGJET E TË GJITHËMËSHIRSHMIT (ALLAHUT), ATA BININ ME PËRULJE NË SEXHDE ME ADHURIM E ME LOT NË SY. POR PAS TYRE ERDHËN BREZA QË E LANË NAMAZIN (FALJEN E NAMAZIT, DUKE E BRAKTISUR ATË, DUKE MOS E FALUR SIÇ DUHET) DHE NDOQËN EPSHET E NEFSIT. SHPEJT DO TË SHIJOJNË SHKATËRRIMIN DHE DO TË HIDHEN NË XHEHENEM.” (MERJEM, 58-59)

Allahu i Lartësuar i tregon Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, mbi pasardhësit e Ademit, alejhis selam, që i shpërbleu me shumë të mira, duke i udhëzuar në rrugën e vërtetë dhe duke i zgjedhur që t’i komunikojnë fjalët e Allahut të Lartësuar. Kjo nuk ishte detyrë vetëm e atyre që janë të përmendur, me një angazhim të tillë janë ngarkuar edhe të dërguar të tjerë nga bijtë e Ademit, alejhis selam. Kështu, kur lexoheshin fjalët e Allahut, me argumente dhe fakte, përjetonin nënshtrimin dhe përuljen në sexhde dhe kjo përcillej me lot në sy. Por, më pas erdhën gjenerata që e braktisën namazin dhe u dhanë pas epsheve. Pjesa e dytë e ajetit tregon se më pas erdhën gjenerata që e lanë namazin për dallim nga gjeneratat e mëparshme, ku njerëzit tregonin kujdes dhe përkushtim në namazet e tyre.

Kur’ani na tregon se namazi ishte dritë dhe energji në jetën e të dërguarve të Allahut, sidomos në sprova dhe vështirësi. Ibrahimi, alejhis selam, ishte porositur ta dërgonte gruan me djalin në vendin e shenjtë në Meke, ku i lë vetëm, pa dyshim që kishte dertin dhe frikën. Ata aty nuk kishin askënd përveç Allahut të Lartësuar. Kur Ibrahimi, alejhis selam, i la vetëm dhe u largua nga sytë e tyre, u ndal dhe iu lut Allahut të Lartësuar me lutjen:

“O ZOTI YNË! KAM VENDOSUR DISA NGA PASARDHËSIT E MI TË BANOJNË NË NJË LUGINË TË PAKULTIVUAR (E TË SHKRETË) PRANË SHTËPISË TËNDE TË SHENJTË (KA’BA NË MEKË), ME QËLLIM QË ATA, O ZOTI YNË, TË PLOTËSOJNË FALJEN E RREGULLT TË DETYRUAR (NAMAZIN). MBUSHI PRA ZEMRAT E DISA PREJ NJERËZVE ME DASHURI NDAJ TYRE DHE FURNIZOJI ATA ME FRUTA QË TË MUND TË FALËNDEROJNË.” (IBRAHIM, 37)

Kështu pra namazi le të jetë lidhja e fortë me tyre dhe Allahut dhe qëllimi i vendosjes ishte falja e namazit.

Ismaili, alejhi selam, ishte njëri ndër ata të cilët kishte përkushtim të veçantë ndaj namazit, ai urdhëronte familjen dhe popullin e tij për faljen e namazit. T’i lexojmë së bashku fjalët e Allahut në Suren Merjem:

“PËRMENDE NË LIBËR (KUR’AN) EDHE ISMAILIN. VËRTET QË AI ISHTE NJERI I SË VËRTETËS PËR ÇFARË PREMTOI DHE QE I DËRGUAR (DHE) PEJGAMBER. DHE AI URDHËRONTE FAMILJEN E TIJ DHE POPULLIN E TIJ PËR SALAT (FALJEN E NAMAZIT) DHE PËR ZEKAT (PAGESËN E CAKTUAR MBI PASURINË) DHE ZOTI I TIJ ISHTE I KËNAQUR ME TË.” (MERJEM, 54-55)

Të nderuar lexues!

Kalojmë te Musai, alejhis selam, kur ai pa zjarrin dhe i tha familjes: rrini këtu dhe do të shkoj të marr ndonjë gacë ose të gjej ndonjë orientues dhe me të afruar u thirr në emër:

O Musa:

“VËRTET QË UNË JAM ZOTI YT! HIQI PRA KËPUCËT, SE TI ME TË VËRTETË NDODHESH NË LUGINËN E SHENJTË TUVA. DHE UNË TË KAM ZGJEDHUR TY, PRANDAJ DËGJO ATË QË TË FRYMËZOHET TY. SIGURISHT QË UNË, VËRTET UNË JAM ALLAHU! LA ILAHE ILA ENE (NUK KA ASNJË TË ADHURUAR TJETËR MË TË DREJTË PËRVEÇ MEJE), KËSHTU QË MË ADHURO MUA DHE PLOTËSO RREGULLISHT FALJEN E NAMAZIT PËR PËRKUJTIMIN TIM.” (TAHA, 12-14)

Po ashtu, kur faraoni e shtoi zullumin mbi Musain, Harunin dhe beni israilët dhe lëshoi vendimin përfundimtar për vrasjen e Musait, alejhis selam, Allahu e porosit Musën (alejhis-selam) për namaz:

“DHE NE E FRYMËZUAM MUSAIN DHE VËLLAIN E TIJ (DUKE U THËNË): “ZINI VENDBANIME PËR POPULLIN TUAJ NË EGJIPT, I BËNI EDHE VENDE ADHURIMI VENDBANIMET TUAJA DHE KRYENI RREGULLISHT FALJET E PËRCAKTUARA. DHE PËRGËZOI BESIMTARËT.” (JUNUS, 87)

Po ashtu, edhe u përgjigj Isai, alejhis selam, që ish ende në djep: jam urdhëruar për faljen e namazit deri sa të jem gjallë.

“AI (ISAI NË DJEP) THA: “ME TË VËRTETË QË UNË JAM ROB I ALLAHUT. AI MË KA DHËNË MUA LIBRIN (INXHILIN) DHE MË KA BËRË PEJGAMBER; AI MË KA BËRË MUA TË BEKUAR KUDO QË TË JEM DHE MË KA URDHËRUAR SALATIN (FALJEN E NAMAZIT) DHE ZEKATIN SA TË JEM GJALLË.” (MERJEM, 30-31)

Merjema, kur mbeti shtatzënë me lejen e Allahut, edhe pse nuk ishte e martuar, tha: o Zot unë çka t’i them njerëzve kur ata nuk mund ta besojnë dhe ta kuptojnë një gjë të tillë?! Ajo ishte në një sprovë të madhe, por asaj nuk i mbetej asgjë veçse të përulej në ruku dhe sexhde dhe të falë namaz.

“(PËRKUJTO) EDHE KUR MELEKËT I THANË: “OJ MERJEM! ALLAHU TË KA VEÇUAR TY, TË KA PASTRUAR TY (NGA BESIMET E KOTA E MOSBESIMI, TË KA BËRË TY TË DËLIRË) DHE TË KA ZGJEDHUR E TË KA VENDOSUR PËRMBI GRATË E ALEMIT. OJ MERJEME! NËNSHTROJU ME BINDJE ZOTIT TËND (ALLAHUT) DHE BJER NË SEXHDE DHE PËRKULU BASHKË ME ATA QË I PËRKULEN (E QË I FALEN ALLAHUT).” (ALI IMRAN, 42-43)

Po ashtu edhe vula e të dërguarve të Allahut, Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, u urdhërua për namaz.

“PLOTËSO FALJET E RREGULLTA TË PËRCAKTUARA NGA MESDITA DERI NË ERRËSIRËN E NATËS (FALJET E DREKËS, TË PASDITËS, TË MBRËMJES DHE TË DARKËS) DHE LEXO KUR’AN HERËT NË AGIM (FALJA E MËNGJESIT). ME TË VËRTETË QË LEXIMI I KUR’ANIT HERËT NË AGIM ËSHTË GJITHNJË I DËSHMUAR (I NDJEKUR NGA MELEKËT E DITËS DHE TË NATËS, TË NGARKUAR PËR MBIKËQYRJEN E NJERËZVE). DHE NË NJË KOHË NATE (PARA AGIMIT) GJITHASHTU FALU ME TË (DUKE LEXUAR KUR’AN), FALJE SHTESË KJO PËR TY (O MUHAMED, FALJE E LIRË E PËLQYER ME SHUMË VLERA TË LARTA). MBASE ZOTI YT TË NGRE TY NË GRADËN E LARTË TË PREMTUAR TË LAVDËRIMIT DHE SHKËLQIMIT. (MEKAMU MEHMUD – VENDIN E NDERIT TË NDËRMJETËSUESIT TË MADH NË DITËN E RINGJALLJES).” (ISRAË, 78-79)

Të nderuar lexues!

Nga të dhënat e lartpërmendura mësojmë se namazi nuk është diçka e re vetëm për këtë umet, por ka një histori që fillon me adhurimin madhor të njeriut të parë. Po ashtu, këto të dhëna na bëjnë të vetëdijshëm rreth faktit se namazi është boshti kryesor pas besimit dhe njësimit të Allahut të Lartësuar.

Namazi, namazi. Kur jemi në vështirësi, të drejtohemi në namaz, se ai ofron rrugëdalje dhe zgjidhje. Kur jemi në rahati, prapë të kujdesemi për namazin, sepse në këtë gjendej manifestohet përulja dhe përkushtimi ndaj Allahut të Lartësuar.

Të mirat e namazit janë të shumta e të panumërta. Namazi e afron njeriun kah Allahu dhe shndrit fytyrën dhe zemrën e besimtarit. Namazi sjell riskun dhe largon të këqijat, zbret faljen dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar. Namazi lehtëson brengat dhe vështirësitë, në momentet kritike Allahu e lehtëson gjendjen e besimtarit që fal namaz. Ai i cili kryen faljen e namazeve, e forcon vullnetin dhe është më i qëndrueshëm në sprova.

Allahu i Lartësuar i porositi dhe i obligoi të gjithë të dërguarit e Tij që të jenë të kujdesshëm në namaz, pasi është shtyllë e fesë, çelës i xhenetit. Kush kërkon lumturinë, fatbardhësinë dhe gjallërinë, e arrin vetëm në namaz dhe me namaz. Ata të cilët ende nuk e kanë përjetuar le ta provojnë, pa dyshim që nuk do të mbesin të zhgënjyer.

E përfundoj me lutjen e Ibrahimit, alejhi selam:

“O ZOTI YNË! MË BËJ MUA QË TË PLOTËSOJ FALJEN E RREGULLT TË PËRCAKTUAR, PO KËSHTU BËJI EDHE NGA PASARDHËSIT E MI. ZOTI YNË! DHE MA PRANO DUANË.” (IBRAHIM, 40)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here