Historia e Rohingia-ve, si po tenton Mianmari që ta fshijë ekzistencën e tyre

0
208

Ai ishte anëtar i unionit studentor Rohingia në kolegj, mësoi në një shkollë të mesme publike dhe madje fitoi një ulëse në parlament në zgjedhjet e mbajtura në Mianmar në vitin 1990.

Por sipas qeverisë së Mianmarit, Rohingia-t e U Kyaw Min-it nuk ekzistojnë.

Një pakicë muslimane e përndjekur për një kohë të gjatë, e përqëndruar në shtetin perëndimor të Mianmarit, Rakhinë, Rohingia-t janë konsideruar të padëshirueshëm dhe të rrezikshëm nga Bangladeshi fqinj. Sot, ata janë kryesisht pa shtetësi, ndërkohë që identiteti i tyre është i mohuar nga shteti budist i Mianmarit.

“Nuk ekziston diçka e tillë si Rohingia”, thotë U Kyaw San Hla, një zyrtar në Ministrinë e Sigurisë Shtetërore në Rakhine. “Është një lajm i rremë”.

Mohimet e tilla hutojnë Kyaw Min-in. Ai ka jetuar në Mianmar të 72 vitet e tij dhe historia e Rohingia-ve si një grup etnik i veçantë në Mianmar kthehet mbrapa në brezat e mëhershëm.

Tani, mbikëqyrësit e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se shumë nga provat e historisë së Rohingia-ve në Mianmar janë në rrezik të çrrënjosen nga një fushatë ushtarake, të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë emërtuar një spastrim etnik.

Që nga fundi i gushtit, më shumë se 620,000 muslimanë Rohingia, rreth dy të tretat e popullsisë që jetuan në Mianmar në vitin 2016, kanë ikur në Bangladesh, të dëbuar nga fushatat sistematike të masakrave, përdhunimit dhe zjarrvënies nga ana e ushtrisë në Rakhinë.

“Rohingya kanë mbaruar në vendin tonë”, thotë Kyaw Min, i cili jeton në Yangon, kryeqyteti tregtar i Mianmarit. “Së shpejti të gjithë do të jemi të vdekur ose të zhdukur”.

Raporti i Kombeve të Bashkuara, gjithashtu tha se dhuna në Rakhine kishte për objektiv mësuesit, udhëheqjen kulturore dhe fetare, dhe njerëz të tjerë me ndikim në komunitetin Rohingia, në një përpjekje për të zbehur historinë, kulturën dhe njohuritë e kësaj popullate”.

“Ne jemi njerëz me historinë dhe traditat tona”, thotë U Kyaw Hla Aung, një avokat Rohingia dhe ish-i burgosur politik, babai i të cilit shërbeu si nëpunës i gjykatës në Sittwe, kryeqyteti i Rakhine.

“Si mund të pretendojnë ata se ne jemi një asgjë?”, pyet ai.

Duke folur në telefon, Kyaw Hla Aung, i cili është burgosur në vazhdimësi për aktivizmin e tij dhe tani është internuar në një kamp në Sittwe, tha se familja e tij nuk kishte ushqim të mjaftueshëm sepse zyrtarët kanë parandaluar shpërndarjen e plotë të ndihmës ndërkombëtare.

Amnezia e papritur e Mianmarit rreth Rohingia-ve është aq e guximshme sa edhe sistematike. Pesë vjet më parë, Sittwe, e vendosur në një grykëderdhje në Gjirin e Bengalit, ishte një qytet i përzier, i ndarë mes një shumice budiste etnike Rakhine dhe pakicës muslimane Rohingia.

Duke ecur në pazarin e mbushur plot të Sittwe-s në vitin 2009, pashë peshkatarët Rohingyia që shisnin ushqim deti për gratë Rakhine. Profesionistët Rohingia praktikonin drejtësinë dhe mjekësinë. Rruga kryesore në qytet ishte e dominuar nga xhamia “Jama”, një kompleks arabesk i ndërtuar në mes të shekullit të 19-të. Imami fliste me krenari për trashëgiminë multikulturore të Sittwe-s.

Por që nga trazirat sektare në vitin 2012, që rezultoi me një numër të shpërpjestuar të viktimave të Rohingia, qyteti është pastruar kryesisht nga muslimanët. Në Rakhinën qendrore, rreth 120,000 Rohingia, madje edhe ata që kishin shtetësi, janë internuar në kampe, janë zhveshur nga mjetet e tyre të jetesës dhe janë privuar nga qasja në shkollat ​​e mirëfillta ose kujdesi shëndetësor.

Ata nuk mund të largohen nga geto pa autorizim zyrtar. Në korrik, një njeri Rohingia i cili u lejua për një paraqitje gjyqësore në Sittwe u linçua nga policia etnike Rakhine.

Xhamia e “Jama”-s tani qëndron e zbrazur dhe e lënë pas dore, prapa telave me gjemba. Imami i saj 89-vjeçar është i internuar.

“Ne nuk kemi të drejta si qenie njerëzore”, tha ai, duke kërkuar që të mos përdorte emrin e tij për shkaqe të sigurisë. “Ky është pastrim etnik i shtetit dhe asgjë tjetër.”

Jeta në Sittwe është përshtatur me rrethanat e reja. Në pazar, kohët e fundit, çdo banor i Rakhines me të cilin kam biseduar ka pohuar se asnjë musliman nuk kishte shitur ndonjëherë në dyqanet atje. Natyrisht, kjo nuk është aspak e vërtetë.

Në Universitetin e Sittwe-s, në të cilin ishin të regjistruar qindra studentë muslimanë, tani mësojnë vetëm rreth 30 Rohingia, të cilët shfrytëzojnë madje një program mësimi në distancë.

“Ne nuk kemi kufizime për asnjë fe,” thotë U Shwe Khaing Kyaw, regjistrues i universitetit, “por ata thjesht nuk vijnë.”

Kyaw Min ka dhënë mësim në Sittwe, ku shumica e studentëve të tij ishin budistë Rakhine. Tani, thotë ai, edhe miqtë budistë në Yangon ndihen të turpëruar të flasin me të.

“Ata duan që biseda të mbarojë shpejt, sepse nuk duan të mendojnë se kush jam apo prej nga vij unë”, thotë ai.

Në vitin 1990, Kyaw Min fitoi një ulëse në parlament, si pjesë e një partie Rohingia të lidhur me Lidhjen Kombëtare për Demokraci, partinë aktuale qeverisëse të Mianmarit. Por junta ushtarake e vendit injoroi rezultatet e zgjedhjeve mbarëkombëtare. Kyaw Min përfundoi në burg.

Muslimanët Rohingia kanë jetuar në Rakhine për breza. Është dialekti i tyre bengal dhe karakteristikat aziatike të Jugut, që i ka bërë ata shpesh të dallojnë nga budistët e Rakhinës.

Gjatë epokës koloniale, britanikët inkurajuan fermerët e orizit, tregtarët dhe nëpunësit civilë të Azisë Jugore për të migruar, në atë që atëherë njihej si Burma.

Disa prej këtyre të ardhurve të rinj u përzien me Rohingia-t, në atë kohë të njohur si indianë arakanë ose muslimanë arakanë. Të tjerë u shpërndanë nëpër Burma. Nga vitet ’30-ta, aziatikët e Jugut, si muslimanët ashtu edhe hindusët, përbënin popullatën më të madhe në Yangon.

Zhvendosja demografike bëri që disa budistë të ndihen të rrethuar. Gjatë udhëheqjes ksenofobike të gjeneralit Ne Win, i cili vendosi gati gjysmë shekulli të sundimit ushtarak, qindra mijëra aziatikë jugorë u larguan nga Burma për në Indi.

Rakhine, në skajin perëndimor të Birmanisë, ishte vendi ku Islami dhe Budizmi rrëshqitën në dhunë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës Rakhina mbështeti forcat e Aksit dhe Rohingia forcat Aleate.

Përpjekjet e mëvonshme të një grupi kryengritës Rohingia për të dalë nga Burma dhe për të bashkuar Rakhinën e veriut në Pakistanin Lindor, siç njihej më vonë Bangladeshi, tensionoi edhe më shumë marrëdhëniet.

Nga vitet ’80-ta, junta ushtarake ua kishte hequr shumicës Rohingia shtetësinë. Ofensivat brutale të sigurisë shkaktuan eksodin e Rohingia-ve nga vendi.

Sot, shumë më tepër Rohingia jetojnë jashtë Mianmarit, kryesisht në Bangladesh, Pakistan, Arabinë Saudite dhe Malajzi, sesa që kanë mbetur në atë që ata e konsiderojnë atdheun e tyre.

Megjithatë, në dekadat e para të pavarësisë së Birmanisë, lulëzoi një elitë Rohingia. Universiteti Rangoon, institucioni më i lartë i vendit, kishte mjaft studentë të Rohingia-ve të cilët formuar unionin e tyre. Një nga kabinetet e U Nu, kreut të parë pas pavarësisë së vendit, përfshinte një ministër të shëndetësisë i cili e identifikoi veten si musliman arakanez.

Edhe nën gjeneralin Ne Win, radioja kombëtare burmese transmetonte emisione në gjuhën Rohingia. Rohingiat, në mesin e tyre gra, ishin të përfaqësuar në Parlament.

U Shwe Maung, një Rohingia nga fshati Buthidaung në Rakhinën e veriut, shërbeu në Parlament në mes të viteve 2011 dhe 2015, si një anëtar i Partisë për Solidaritet dhe Zhvillim. Megjithatë, në zgjedhjet e vitit 2015, atij iu ndalua kandidimi.

Qindra mijëra Rohingia u zhdukën nga listat e vendvotimeve.

Distrikti zgjedhor i Shwe Maung, i cili ishte 90% Rohingia, tani përfaqësohet nga një budist Rakhine.

Në shtator, një oficer policie parashtroi një padi kundërterroriste duke akuzuar Shwe Maung për nxitjen e dhunës nëpërmjet postimeve në Facebook në të cilat kërkohej dhënia fund e ofensivës së sigurisë në Rakhine. (Operacioni ushtarak filloi pasi militantët Rohingia rrethonin postet e sigurisë së qeverisë në fund të gushtit.)

Shwe Maung, i biri i një oficeri policie, është në mërgim në Shtetet e Bashkuara dhe mohon akuzat.

“Ata duan që çdo Rohingia të konsiderohet një terrorist ose një emigrant i paligjshëm”, thotë ai. “Ne jemi shumë më tepër se kaq.”

Përgatiti: Jeton Zenuni

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here