E do hijen, të merr hija

E do hijen, të merr hija

bp1Hija është hapësira e errët më me pak dritë pas një trupi, që nuk lë të kalojë nëpër të rrezet e diellit ose të një burimi tjetër. Gjithashtu kur flitet për hijen kemi cilësime të ndryshme si hija e plotë, e madhe, e vogël, e rëndë, hija e mbrëmjes, hije e turbullt etj..

Gjithashtu hija ka kuptimin e saj të figurshëm, që do të thotë diçka që i ul dhe i errëson vlerat dhe meritat e një njeriu dhe ia vë në dyshim sjelljen dhe qëndrimin. Ndërsa fjala e urtë “ishte bërë hija e vetvetes” do të thotë pamja e një njeriu shumë të dobësuar e të tretur nga sëmundja.

Muslimanët sot janë futur nën hije, nuk duken, nuk shfaqen dhe nuk kanë qasje me ndikim në zhvillimet globale. Muslimanët gjithashtu e kanë parapëlqyer hijen, por kur u bënë hijedashës, “i mori edhe hija”. Me hijen në fjalë kuptojmë se ata janë lënë në errësirë të pandriçuar. Allahu na ruajttë nga hija e ligë!

Umeti islam sot luftohet në besim, moral, ekonomi, familje, në të gjitha sferat e jetës. Fatkeqësisht ata prapë parapëlqejnë “hijen”! Janë disa bimë të imta që jetojnë vetëm nën hije, disa të tjera jo; nuk mund të zhvillohen, përkundrazi e kërkojnë diellin, që i jep energji dhe zhvillim me lejen e Allahut të Lartësuar. Kështu disa muslimanë janë hijedashës ashtu si disa bimë. Kjo hije e ligë i ka kapluar fatkeqësisht edhe disa më të përkushtuar në fe, edhe pse janë më të vetëdijesuar, por përsëri janë nostalgjikë ndaj hijes dhe kjo i ka lënë peng të moslëvizjes, mosangazhimit, mospërpjekjes aktive dhe pozitive në zhvillimet globale.

O besimtar!

Çfarë vlere ke ti si musliman nëse je figurë e paqartë për shkak të hijes?

Islamit dhe muslimanëve nuk u nevojitet një besimtar me përmasa të tilla. Prej teje nuk kërkohet që të jesh dijetar i madh, thirrës i kalibrit rajonal, ligjërues i famshëm, por kërkohet dhe lypet të mos jesh “pasiv” i nënshtruar dhe inert. Sado që mundësitë e tua janë të pakta dhe të kufizuara, ti duhet të veprosh dhe të jesh aktiv për t’i kontribuuar Islamit dhe muslimanëve.
Të kujtojmë së bashku sahabin Abdulla bin um Mektum, muezinin e Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, i cili ishte i verbër dhe nga ai nuk kërkohej që të merrte pjesë në beteja dhe luftëra për të përhapur Islamin. Por ai shkoi dhe mori pjesë në betejën e njohur Kadisije. Ishte i shtyrë në moshë dhe i verbër, por mendonte se edhe me këtë gjendje mund të kontribuonte dhe të ishte aktiv për fenë islame. Ai nuk ishte hijedashës. Në këtë betejë ai u tha shokëve: “Unë jam me aftësi të kufizuara, nuk shoh dhe nuk mund të iki nga fushëbeteja, kështu që ma jepni mua që ta mbaj flamurin.”
Ishte aktiv në mundësinë që kishte dhe historia dëshmoi se ai ishte njëri ndër dëshmorët e kësaj beteje. U largua nga hijesirat e kësaj bote për t’i përjetuar hijet e dendura, freskinë e përhershme në xhenetet e Allahut, që Ai ua premtoi besimtarëve dhe vepërmirëve.

U.Fejzullahu