Dhjetë rregulla rreth qëndrueshmërisë në fe

0
193

Dhjetë rregulla rreth qëndrueshmërisë në fe

Autor: Abdurrazzak ibn Abdulmuhsin el Bedr
(Allahu e ruajtë dhe na bëftë dobi me të)

Me emrin e Allahut Mëshirëplotit të Gjithmëshirshmit.

Me të vërtetë lavdërimet i përkasin vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të këqijave të veteve tona dhe prej dëmit të punëve tona të liga. Atë që e udhëzon Allahu ai është i udhëzuari, ndërsa atë që Ai e lë në humbje nuk ka për të udhëzues. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush tjetër me të drejtë veç Allahut, i Cili është i vetëm pa ortak dhe dëshmoj se Muhammedi është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij, lavdërimet dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

E më pas:
Tema e kësaj broshure është qëndrueshmëria në fe dhe ajo është vërtetë një temë me rëndësi madhështore e me pozitë të lartë. Çdonjëri nga ne e ka për detyrë të merret me të dhe t’i kushtojë asaj rëndësi dhe kujdes. Allahu i pastër nga të metat thotë: “S’ka dyshim se ata që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’ pastaj qëndruan fort në këtë besim, nuk kanë përse të frikësohen e as të brengosen. Ata janë banorë të Xhennetit, aty do të jenë përjetësisht, si shpërblim për atë që vepronin” (Ahkaf: 13, 14)
Dhe thotë i Lartmadhëruari: “S’ka dyshim se atyre që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’ pastaj qëndruan fort në këtë rrugë të drejtë, do tu zbresin engjëjt e do tu thonë: ‘Mos u frikësoni e as mos u trishtoni, dhe përgëzohuni me Xhennetin që ju premohej. Ne jemi miqtë tuaj në jetën e kësaj bote dhe në Botën Tjetër, dhe atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaj dhe aty do të gjeni atë që kërkoni. Mikpritje prej Atij që fal shumë dhe është i Plotmëshirshëm.” (Fussilet: 30-32).

Istikamja ka si shpërblim lumturinë në jetën e kësaj bote dhe në atë të botës tjetër. Prej saj varet suksesi i njeriut dhe rregullimi i të gjithë gjendjes së tij. Prandaj është me vend për atë që ia do të mirën vetes dhe që synon të arrijë lumturinë, që t’i kushtojë rëndësi të jashtëzakonshme istikames, me dituri, punë dhe qëndrueshmëri në të deri në vdekje. Duke kërkuar gjatë gjithë kësaj ndihmën e Allahut të Lartmadhëruar.

Sa të shpeshta janë pyetjet e njerëzve drejtuar njerëzve të dijes, studentëve, atyre që ftojnë për tek Allahu – i Lartmadhëruar – dhe këshilluesve, rreth istikames, realitetit të saj dhe gjërave që ndihmojnë për të qenë i qendrueshëm në rrugën e drejtë të Allahut, e të tjera pyetje që sillen rreth kësaj teme. Prandaj pashë se ishte e dobishme për veten time dhe për vëllezërit e mi mbledhja e disa rregullave të rëndësishme e gjithëpërfshirëse në këtë temë. Me shpresë se do të hedhin dritë dhe do të na sqarojnë më së miri istikamen (qëndrueshmërinë në fenë e Allahut), pasi të shpalosim fjalët e dijetarëve – Allahu i mëshiroftë – rreth saj dhe gjërave që lidhen me të. Në këtë broshurë do të sjell dhjetë rregulla madhështore në temën e istikames. Ato me të vërtetë janë rregulla shumë të rëndësishme të cilave duhet tu kushtojë vëmendje secili prej nesh.
Dhe vetëm prej Allahut e kërkoj ndihmën dhe suksesin!

Rregulli i parë

Istikamja është dhuratë hyjnore

Në shumë ajete të Librit të Allahut – të Lartësuar dhe të pastër nga të metat – Allahu i Lartmadhëruar ia atribuon Vetes së Tij rrugën e drejtë, dhe se kjo çështje është e gjitha në dorë të Tij. Ai udhëzon kë të dëshirojë dhe humbet kë të dëshirojë. Në dorën e Tij janë zemrat e njerëzve, atë që dëshiron prej tyre e drejton – i Lartësuari pa të meta – në rrugë të drejtë, ndërsa atë që dëshiron e largon prej saj. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe sikur ata të bënin atë që u këshillohet do të ishte më mirë për ta dhe më përforcuese. Dhe do tu jepnim atyre nga ana Jonë shpërblim madhështor. Dhe do t’i udhëzonim ata në rrugë të drejtë.” (Nisa: 66-68).

Kështu udhëzimi për në rrugën e drejtë është në dorën e Allahut të Madhëruar. Thotë gjithashtu Allahu i Lartësuar: “Sa u takon atyre që besuan në Allahun dhe u kapën fort pas fesë së Tij, Ai do t’i përfshijë ata në mëshirën dhe mirësinë e Tij, dhe do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë” (Nisa: 175)
Dhe thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu fton për në vendqëndrimin e paqes (Xhennet) dhe udhëzon atë që dëshiron në rrugë të drejtë” (Junus: 25)
Dhe thotë Allahu i Lartësuar: “Ata që i përgënjeshtruan argumentet tona janë të shurdhër, memecë, në errësirë. Atë që dëshiron Allahu e humbet, dhe atë që dëshiron e vendos në rrugë të drejtë” (En’am: 39)
Dhe thotë Allahu i Lartësuar: “Ai (Kurani) s’është gjë tjetër veçse përkujtim për botët mbarë. Për atë që dëshiron prej tyre që të ecë në rrugë të drejtë. Por ju nuk mund të dëshironi veçse nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve” (Tekuir: 27-29)

Ajetet me këtë kuptim në fakt janë të shumta dhe ato tregojnë se udhëzimi është në dorë të Allahut të Lartmadhëruar, ia dhuron atij që dëshiron – i Madhëruari – prej robërve të Tij.
Prandaj rregulli i parë i istikames dhe themeli i saj është: t’i lutesh me sinqeritet Allahut të Madhëruar që të ta dhurojë udhëzimin, sepse ai është në dorë të Tij, dhe është Ai – i Madhëruari Patëmeta – udhëzuesi për në rrugë të drejtë. Dhe lutja më e shpeshtë e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ishte: “O rrotulluesi i zemrave, përforcoje zemrën time në fenë Tënde” dhe kjo është qëndrueshmëria në rrugë të drejtë.
Ummu Sulejmi i tha: O i Dërguari i Allahut! A rrotullohen zemrat? – tha: Po. Nuk ka ndonjë krijesë prej bijve të Ademit veçse zemra e tij është mes dy gishtave të Allahut. Nëse dëshiron Allahu – i Lartmadhëruar – e drejton atë, e nëse dëshiron e devijon”

Pra istikamja është në dorë të Allahut. Kush dëshiron ta arrijë atë le ta kërkojë prej Allahut dhe le të përgjërohet në dua. Ka ardhur në hadithin që e transmeton Muslimi prej Aishes – Allahu qoftë i kënaqur me të – se ajo u pyet: Me çfarë e hapte namazin e tij të natës Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të? – dhe ajo u përgjigj: Kur ai ngrihej natën për tu falur e fillonte namazin me (këtë lutje) :
‘Allahumme rabbe Xhibrile ue Mikaile ue Israfile, fatiras semauati uel erd, alimel ghajbi uesh shehadeh, Ente tehkumu bejne ibadike fima kanu fihi jekhtelifun. Ihdini limekhtulife fihi minel hakki bi idhnik, inneke tehdi men teshau ila siratin mustekim’
(O i Adhuruari im, Zoti i Xhibrilit, i Mikailit dhe i Israfilit, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, njohësi i të fshehtës dhe i të dukshmes, Ti gjykon mes njerëzve rreth asaj që ata kundërshtoheshin. Prandaj më udhëzo mua – me lejen Tënde – në atë që njerëzit janë kundërshtuar rreth së vërtetës. Me të vërtetë Ti je Ai që udhëzon kë dëshiron në rrugë të drejtë)
Kjo ishte lutja e tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – që ai e thoshte çdo natë në fillim të namazit të tij të natës: “Me të vërtetë Ti je Ai që udhëzon kë dëshiron në rrugë të drejtë”
Dhe meqë kjo kërkesë – dmth të kërkuarit prej Allahut udhëzimin – është kërkesa më madhore dhe më e ndershme, Allahu i Lartmadhëruar e pa të meta – ua bëri detyrë robërve të Tij që të kërkonin prej Tij udhëzimin në rrugën e Tij të drejtë shumë herë, si një lutje e përsëritur gjatë ditës dhe natës. Dhe kjo kërkesë (lutje) bëhet në suren Fatihah (kaptina që hap Kuranin) : “Na udhëzo në rrugën e drejtë. Në rrugën e atyre që u ke dhuruar të mira, jo në të atyre që kanë tërhequr mbi veten zemërimin Tënd e as në atë të të humburve” (6-7).
Një prej dijetarëve ka thënë: Duhet tu bëhet e qartë njerëzve të thjeshtë se kjo është lutje. Kështu kur ti thua: “Na udhëzo në rrugën e drejtë” ti i lutesh Allahut me këtë lutje që Ai ta ka bërë detyrë ti drejtohesh me të 17 herë gjatë ditës dhe natës, sipas numrit të rekateve që kanë namazet e detyrueshme. Prandaj duhet që muslimani ta ndjejë se kjo është lutje.

Ka thënë dijetari i Islamit Ibnu Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë – “Kam medituar rreth asaj se cila është lutja më e dobishme dhe gjeta se ajo është kërkimi i ndihmës (prej Allahut) për arritjen e kënaqësisë së Tij. Pastaj e gjeta këtë tek Fatihaja, tek ajeti: “Na udhëzo në rrugën e drejtë” Dhe ka thënë gjithashtu: “U urdhërua njeriu që vazhdimisht t’i lutet Allahut për udhëzim në rrugën e drejtë”

Prandaj kërkohet prej teje që të vazhdosh gjithmonë t’i kërkosh Allahut të të udhëzojë dhe të të dhurojë istikamen, dhe kjo gjë gjendet në suren el Fatiha.
Hasen el Basri – Allahu e mëshiroftë – kur lexonte fjalën e Allahut – të Lartësuar: “Me të vërtetë ata që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’ pastaj vazhduan në këtë besim” thoshte: “O i Adhuruari im, Ti je Zoti ynë pra na dhuro istikamen”

Rregulli i dytë
Realiteti i rrugës së drejtë është mos-largimi nga metodologjia e saktë

Për të njohur realitetin e istikames do të sjellim për orientim disa citime të bereqetshme nga sahabët dhe nga ata që i pasuan ata në mënyrën më të mirë. Kjo për të sqaruar kuptimin dhe thelbin e saj.
I sinqerti i këtij ummeti, Ebu Bekri – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – duke komentuar fjalën e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë ata që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’ pastaj qëndruan në këtë…” ka thënë: “Janë ata që nuk i shoqërojnë asgjë/askënd Allahut në adhurim (madhërim, dhe çdo gjë që është e posaçme vetëm për Zotin)”

Transmetohet nga Umer ibnul Khattabi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – se ai e ka lexuar këtë ajet në minber “Me të vërtetë ata që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’ pastaj qëndruan në këtë…” pastaj ka thënë: “Nuk dredhojnë siç dredhon dhelpra”

Nga Ibn Abbasi – Allahu qoftë i kënaqur me të – përcillet se për fjalën e Allahut të Lartësuar: “pastaj qëndruan në rrugë të drejtë” ka thënë: “(qëndruan) Në dëshminë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut.” E ngjashme me këtë është përcjellë edhe nga Enesi, Muxhahidi, el Esued ibn Hilali, Zejd ibn Eslemi, es Suddij nga Ikrimeh dhe të tjerë.
Po nga Ibn Abbasi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: “Ishin të qëndrueshëm vazhdimisht në kryerjen e detyrimeve ndaj Allahut”

Nga Ebul Alijeh përcillet se ka thënë: “Pastaj ishin të sinqertë në fenë e tyre dhe punët e tyre”
Nga Katadeh përcillet se tek ajeti i lartpërmendur ka thënë: “Pastaj qëndruan në adhurimin e Allahut”
Këto fjalë i ka përmendur Ibn Rexhebi – Allahu e mëshiroftë – në “Xhamiul ulumi uel hikem” pastaj e përkufizoi istikamen duke thënë: “Istikamja është: ndjekja e rrugës së drejtë, që është feja e drejtë, pa devijuar djathtas apo majtas. Dhe kjo përfshin veprimin e të gjitha adhurimeve, të dukshme apo të fshehta dhe po ashtu largimin nga gjithë të ndaluarat. Kështu kjo porosi përmblodhi të gjitha porositë e fesë” mbaroi fjala e tij.

Këto kuptime janë të përafërta dhe shpjegojnë njëra-tjetrën, sepse istikamja është prej fjalëve përmbledhëse, ajo përfshin gjithë fenë. Ibnul Kajjim – Allahu e mëshiroftë – thotë: “Istikamja është një fjalë gjithëpërfshirëse që ngërthen në vetvete të gjithë fenë, dhe ajo është qëndrimi përpara Allahut me sinqeritet të vërtetë dhe zbatim të premtimit”

Rregulli i tretë

Thelbi i istikames është qëndrueshmëria e zemrës

Imam Ahmedi transmeton nga Enesi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Nuk është i drejtë besimi i njeriut derisa të drejtohet zemra e tij”
Pra thelbi i istikames është drejtimi i zemrës. Kur zemra përmirësohet dhe qëndron në rrugë të drejtë, e pason atë edhe trupi.
Hafidh Ibn Rexhebi – Allahu e mëshiroftë – thotë: “Thelbi i istikames është qëndrueshmëria e zemrës në njësimin e Allahut. Ashtu siç e komentoi Ebu Bekr es Siddiku dhe të tjerët fjalën e Allahut (të Lartësuar) : “Me të vërtetë ata që thanë Zoti ynë është Allahu pastaj qëndruan në këtë besim” se janë ata që nuk ia hodhën vështrimin asnjë besimi tjetër veç tij (por u përqëndruan në të). Kësisoj kur zemra drejtohet duke njohur Allahun, duke u frikësuar prej Tij, duke e madhëruar, duke e lartësuar, duke e dashur Atë, duke e synuar, duke shpresuar prej Tij, duke iu lutur, duke u mbështetur tek Ai dhe duke u larguar nga të tjerët veç Tij, drejtohen edhe të gjitha gjymtyrët në adhurimin e Allahut. Sepse zemra është mbreti i gjymtyrëve dhe ato janë ushtarët e tij, prandaj kur mbreti është në rrugë të drejtë edhe ushtarët e tij dhe populli i tij janë në rrugë të drejtë.”

Te dy “Të saktët” përcillet se Nu’man ibn Beshiri – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – ka thënë: E kam dëgjuar Profetin – sal lall llahu alejhi ue sel lem – të thotë: “Me të vërtetë në trup është një copë mishi e cila kur rregullohet, rregullohet me të edhe i gjithë trupi, e kur ajo është e prishur, prishet i gjithë trupi, ajo është zemra”

Ibnul Kajjimi – Allahu e mëshiroftë – në parathënien e librit të tij: “Ighathetul lehfan min mesaidish shejtan” (Shpëtimi i të eturit prej kurtheve të shejtanit) thotë: “E përderisa zemra është për gjymtyrët si mbreti për ushtarët, i cili mbretëron mbi ta dhe i përdor ashtu siç dëshiron, të gjitha ato (gjymtyrët) janë nën pushtetin e tij dhe prej tij e marrin udhëzimin apo devijimin, dhe e pasojnë atë në synimet e tij apo lëshimet e tij. Ka thënë profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Me të vërtetë në trup është një copë mishi e cila kur përmirësohet përmirësohet i gjithë trupi, vini re, ajo është zemra.”
Ajo është mbreti i gjymtyrëve dhe ato zbatojnë urdhërat që ajo jep dhe pranojnë dhuratat që ajo u dërgon. Dhe asnjë punë e tyre nuk rregullohet dot pa marrë miratimin dhe vendimin e saj. Dhe ajo (zemra) është përgjegjësja për të gjitha ato.”

Për këtë arsye ka thënë Allahu i Lartmadhëruar: “Ditën që nuk bën dobi as pasuria e as fëmijët. Vetëm ai që i vjen Allahut me zemër të pastër”. (Gafir: 88-89)
Dhe një nga duatë e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka qenë: “O Allah unë të kërkoj zemër të pastër”

Rregulli i katërt
Udhëzimi i drejtë që kërkohet prej njeriut është qëllimi i së vërtetës, e nëse s’mundet së paku t’i afrohet.

Ka bashkuar Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – mes këtyre të dyjave në fjalën e tij: “Me të vërtetë feja është e lehtë, dhe nuk do të përpiqet ta mundë dikush atë veçse ajo do ta mundë, prandaj përpiquni tia qëlloni të vërtetës (në fjalë dhe vepra) ose afrojuni asaj, dhe përgëzohuni….”
Pra ajo që kërkohet në temën e istikames është qëllimi i së vërtetës dhe ajo është: të zbatosh sunetin. Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i tha Aliut – Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Thuaj: ‘O Allah më udhëzo dhe më drejto’ (pastaj) tha: “Dhe kujto tek udhëzimi orientimin tënd në udhëtim dhe tek drejtimi rregullimin që i bën shigjetës (ashtu që me të ta godasësh gjahun tënd)”
Ajo që kërkohet nga robi pra është që ai të përpiqet me veten e tij për tia qëlluar së vërtetës dhe udhëzimin e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe të ecë sipas tij. Të përpiqet me veten e tij për ta arritur këtë, e nëse nuk e arrin dot këtë, le të përpiqet t’i afrohet atij (sunetit sa të mundet), sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ecni vazhdimisht në rrugë të drejtë, ajo rrugë që ju çon tek Allahu, dhe kërkojini falje Atij” (Fussilet: 6)
Përmendja e istigfarit (kërkimit të faljes prej Allahut) pas istikames tregon se robi patjetër do të ketë mangësi sado që të përpiqet të qëndrojë në rrugë të drejtë, për këtë arsye Hafidh Ibn Rexhebi – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Dhe tek fjala e Tij – të Lartmadhëruarit: “Ecni vazhdimisht në rrugë të drejtë, ajo rrugë që ju çon tek Allahu, dhe kërkojini falje Atij”” aludohet për atë se do të ketë pashmangshëm mangësi në këtë përpjekje për të qëndruar në udhën e drejtë të Zotit për të cilën jemi urdhëruar, atë mangësi e rregullon duke kërkuar falje prej Allahut, gjë që nënkupton patjetër pendim dhe kthim tek istikamja. Kjo është si fjala e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – drejtuar Muadhit: “Ji i devotshëm ndaj Allahut kudo që të jesh, dhe të keqen pasoje me të mirë e cila do ta fshijë atë…”

Dhe Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – na ka njoftuar se njerëzit nuk do të kenë mundësi të drejtohen plotësisht në istikame, siç përcjell imam Ahmedi dhe Ibn Maxheh prej hadithit që e transmeton Theubani se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Drejtohuni dhe përqëndrohuni në rrugë të drejtë, e megjithatë nuk do tja arrini plotësisht. Dhe dijeni se vepra juaj më e mirë është namazi, dhe nuk është i vazhdueshëm ndaj abdesit veçse një besimtar”
Dhe te “Dy të saktët” përcillet nga Ebu Hurejrah – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “përpiquni tia qëlloni të vërtetës ose afrojuni asaj” Ta qëllosh të vërtetën është realiteti i istikames, dhe ajo është që të thuash të drejtën dhe të veprosh e të synosh të mirën, njësoj si ai që gjuan drejt shënjestrës dhe e qëllon atë. Dhe Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – e urdhëroi Aliun që t’i kërkojë Allahut – të Lartmadhëruar – qëllimin e së vërtetës dhe udhëzimin. I tha atij: “Dhe kujto tek udhëzimi orientimin tënd nëpër udhë dhe tek drejtimi rregullimin që i bën shigjetës (ashtu që me të ta godasësh gjahun tënd)”
Ndërsa afrimi është që të godasë afër shënjestrës nëse nuk e qëllon dot në qendër, me kusht që të këmbëngulë në synimin për ta goditur shënjestrën dhe afrimi asaj të jetë i paqëllimshëm. Dhe për këtë tregon fjala e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – te hadithi i Hakem ibn Hazen el Kulfij: “O ju njerëz! Ju nuk do të bëni dot – apo s’keni mundësi të bëni – çdo gjë që unë ju urdhëroj, por përpiquni tja qëlloni apo t’i afroheni të drejtës, dhe përgëzohuni”
Kuptimi i kësaj është: synoni tja qëlloni të vërtetës dhe të qëndroni në rrugë të drejtë vazhdimisht, sepse po tia qëllonin në të gjitha punët do të kishin zbatuar të gjithë atë që u urdhërohet”

vijon…

Përktheu: Emin Bilali

Source link

Udha e Besimtarëve

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here