Devotshmëria e vërtetë

0
503

Ebu Sami kishte një dyqan në mes të pazarit të madh. Aty ai kalonte pothuaj të gjithë ditën, duke shitur, blerë dhe bërë pazar me klientët.

Në drekë, ai e kishte bërë zakon që të mbyllë derën dhe të veçohej në një qoshkë të dyqanit, duke u lutur dhe duke u falur.

Një ditë, Ebu Samin e viziton një i ditur, i cili i rrëfen përvojën e mrekullueshme që kishte përjetuar, teksa ishte ndjerë shumë pranë Zotit atë ditë.

Ebu Sami e pyeti:”Po mirë, si ndodhi kjo?”

I dituri:”Vajta në shkretëtirë, atje ku nuk më sheh askush tjetër përveç Zotit. U ula diku dhe fillova të meditoj rreth Zotit, madhështisë së Tij, pushtetit dhe gjithçkaje ka krijuar.”

Ebu Sami iu përgjigj:”Nëse jetoke në shkretëtirë për të qenë sa më pranë Zotit, kjo do të thotë se ti qenke shumë larg prej  Tij. Ka njerëz që jetojnë në mes të pazarit, e megjithatë, për asnjë çast nuk ndihen larg Zotit.”

Morali:

Depotshmëria nuk është në izolimin dhe distancimin prej njerëzve, por duke qenë pranë tyre, duke i motivuar për punë të mira dhe duke i duruar veprat e tyre të shëmtuara.