Cilat janë të drejtat e grave?

0
183

Përgjatë historisë, fetë dhe filozoftë kanë theksuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet burrave dhe grave. Fillimisht, Aristoteli dhe filozofë të tjerë parashtruan pikëpamje, që përgjithësisht i nënçmonin gratë.

Mes fesë abrahamike dhe feve të tjera ka një ndryshim të madh, për sa i përket mënyrës së trajtimit të grave. Islami dhe profeti Muhamed (a.s) erdhën në një kohë, kur njerëzimi kishte një përvojë të pasur historike.

Për ta kuptuar sa i madh ishte revolucioni që solli profeti (a.s) dhe prezantimin e Islamit, duhet të vlerësojmë parimet, që u parashtruan për këtë çështje dhe mënyrën si i trajtonte profeti (a.s) gratë myslimane dhe jomyslimane.

Në fenë islame gratë fituan dinjitet, respekt dhe status social. Islami i garanton gruas të drejta ligjore, ekonomike, sociale dhe qytetare dhe duke e ngritur statusin e grave si bija, bashkëshorte dhe nëna, u jep atyre të drejta dhe privilegje të njëjta me burrat.

Perceptimi që i konsideron gratë myslimane në shoqëritë lindore si grup injorant dhe të paqytetëruar, të cilit i mungojnë të drejtat vetjake, nuk është rezultat i Islamit, por kjo ka ndodhur për shkak të kushteve ekonomike, politike, sociale dhe psikologjike.

Pas vdekjes së profetit (a.s), statusi i grave u ul për shkak të konceptit të familjes patriarkale, që i kufizoi të drejtat e grave dhe kjo u shoqërua nga ndikimet e kushteve politike, mjedisore, kulturore dhe sociale. Përfundimi ka pasur ndikim në interpretimet e ligjeve./ardhmeriaonline/

Vlerësimi i statusit të grave brenda familjes dhe shoqërisë, analiza e rolit të saj dhe natyra e lidhjeve ndërmjet grave dhe burrave gjatë kohës së profetit Muhamed (a.s) tregojnë, se cili është këndvështrimi islam lidhur me gratë.

Islami i konsideron gratë si qenie njerëzore, të cilat kanë të njëjtin status si burrat dhe i përshkruan gratë të barabarta me burrat në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre si dhe në krijimin e tyre.

Në Kuran thuhet: “Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato” (2:187). Në një ajet tjetër thuhet: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin” (Teube: 71).

Gjatë hutbes së lamtumirës profeti dha këtë mesazh, ndërsa po diskutonte për të drejtat e grave dhe burrave: “O njerëz! Ju keni të drejta mbi gratë tuaja dhe ato kanë të drejta mbi ju”.

Pra, në Islam gratë kanë të njëjtën shkallë me burrat dhe ata konsiderohen të barabartë, për sa u përket të drejtave personale, ligjore dhe sociale.

Gratë kanë shumë të drejta personale si: të drejtën e trashëgimisë, të drejtën e zbatimit të detyrave fetare, të drejtën e përfshirjes në tregti dhe të drejtën e mbajtjes së parave. Të drejtat e grave mbroheshin nga ligjet, me qëllim që gratë të bëheshin të vetëdijshme për të drejtat e tyre.

Siç thuhet në Kuran, megjithëse gratë kanë të njëjtat të drejta dhe privilegje si burrat nga ana fetare dhe ligjore, është e pamundur të flasim për një barazi absolute ndërmjet gjinive (Huxhurat: 35).

Gratë kanë ndërtim të ndryshëm fizik, fiziologjik dhe biologjik. Islami i vlerëson këto funksione të veçanta, duke marrë parasysh ndryshimet ndërmjet gjinive.

Islami, duke mos qenë kundër krijimit, deklaron barazinë ndërmjet gjinive, aty ku është e mundur dhe i ndan këto gjini, kur një koncept i tillë është në kundërshtim ose qëllimin e krijimit.

Për shkak të ndryshimit të natyrës së burrave dhe grave, ka një ndryshim në natyrën e përgjegjësive të tyre; kjo ka çuar në rregulla të ndryshme në lidhje me çështjet si trashëgimia dhe martesa.

Ekzistenca e rregullave të ndryshme në rastin e trashëgimisë, fejesës ose divorcit ka kontribuar në portretizimin e gruas myslimane, si njeri që i nënshtrohet vullnetit të burrit dhe ka status dytësor.

Një prej faktorëve, që kontribuon për këtë perceptim, është se kur dikush vdes, nëse ai ka pasur dhe vajza dhe djem, sipas ligjit të trashëgimisë, vajzat marrin sa gjysma e asaj që i është caktuar djalit.

Megjithatë, sipas të njëjtin ligj islam, burrat janë përgjegjës që të furnizojnë familjen dhe kanë përgjegjësinë e përkrahjes së të afërmve të afërt apo të largët, të cilët kanë nevojë për ndihmë; ai ka gjithashtu përgjegjësi të ndryshme financiare, si detyrimin të paguajë kompensim ose dëmshpërblim.

Në krahasim me këtë, përgjegjësitë financiare të grave janë ulur. Përderisa burrat janë të detyruar të mbajnë familjen vetë, është më e lehtë të kuptosh se ata kanë të drejta më të mëdha sesa gratë, përsa i përket trashëgimisë.

Në ligjin islam, burrat e kanë të drejtën e divorcit. Sipas ligjit islam, burrat kanë më shumë të drejta gjithëpërfshirëse sesa gratë. Kjo është bërë me qëllimin e vendosjes së detyrimit ekonomik të divorcit mbi burrat dhe si rezultat të parandalojë burrat, që të mos abuzojnë me të drejtën e tyre të divorcit, apo ta përdorin atë arbitrarisht.

Nga ana tjetër, gratë të cilat dhunohen ose dëmtohen gjatë martesës, ose që nuk janë të lumtura me martesën e tyre, mund t’i japin fund martesës së tyre, duke iu drejtuar një gjykatësi, nëse bashkëshorti refuzon t’i japë divorcin.

Gjithashtu, nëse duan, ato mund të kërkojnë dëmshpërblim. Gjatë kohës së profetit (a.s), gratë kishin të drejtën e fjalës, lidhur me martesën dhe divorcin.

Për shembull Fatimja, vajza e profetit (a.s) nuk dëshironte që bashkëshorti i saj, Aliu, të merrte grua të dytë, i ati e mbështeti atë duke i thënë dhëndrit, që ose të ndahej nga Fatimja, ose të hiqte dorë nga martesa e dytë.

Kurani e pranon ekzistencën e ndryshimeve biologjike; megjithatë ato nuk konsiderohen si bazë për të mos pasur barazi. Por në disa shtete islame, mendimi i pabarazisë ndërmjet gjinive për shkak të ndryshimeve biologjike ka shkaktuar problemin që nxit “autoritetin e papërkulshëm të burrave”.

Përderisa Kurani dhe suneti nuk u perceptuan në tërësi, kjo çoi në devijim të kontekstit të haditheve, që kishin të bëjnë me bindjen e grave ndaj burrave të tyre, duke krijuar një imazh, sipas të cilit gratë janë pa përkrahje dhe nuk kanë të drejta personale.

Megjithatë gjatë kohës së profetit (a.s) ekzistonte një gjendje krejt e kundërt me këtë: statusi i grave brenda shoqërisë dhe familjes u rrit dhe qëndrimi shembullor i profetit (a.s) në lidhje me marrëdhëniet e tij pozitive me gratë e tij dhe kujdesi i madh që u kushtonte të drejtave të grave, janë fakte të vlerës së grave.

Profeti (a.s) i trajtonte me mirësjellje dhe gratë jomyslimane, ai ndihmoi një grua që shkoi nga Meka në Medinë, edhe pse ajo nuk ishte myslimane; ndërsa gjatë një fushate ushtarake, ai liroi një grua dhe bashkëshortin e saj, pasi ata i dhanë ushtrisë islame informacionin e nevojshëm.

Gjithashtu thuhet, se ai i ndihmonte gratë, që nuk ndiheshin mirë dhe u bënte vizita në shtëpitë e tyre.

Megjithëse për gratë në Islam janë përshkruar role të caktuara dhe mund të shohim, se shpërndarja e këtyre roleve nuk është tërësisht e dallueshme.

Në disa shoqëri këto role mund të jenë caktuar në një mënyrë, që është pafavorshme për disa dhe mund të kenë natyrë të paqëndrueshme. Por gratë, të cilat jetuan gjatë kohës së profetit (a.s), u përfshinë aktivisht në jetën fetare dhe sociale.

Gratë qëndronin krah për krah burrave në politikë, luftë dhe arsim. Është fakt i ditur, se profeti (a.s) i dëgjoi gratë, të cilat bënë negociata për amnistinë e të burgosurve politikë, madje vepronte në përputhje me këshillat e grave të tij lidhur me çështjet politike.

Fakti që shumë persona dëshironin, që Aishja t’i udhëhiqte, tregon se gratë luanin një rol aktiv në jetën shoqërore. Dihet se Aishja, përveç dijes lidhur me hadithet, ishte e njohur për dijen e saj lidhur me fetvatë, trashëgiminë, historinë, gjenealogjinë, poezinë, shkencën mjekësore dhe astronominë.

Ndryshe nga jo që është e dukshme sot në shoqëritë islame, shpërndarja e punës brenda jetës punëtore ishte më pak e dallueshme në kohën e profetit (a.s). Për shembull, Zenepja, gruaja e profetit (a.s), ishte angazhuar në tregtinë e lëkurave dhe i jepte të ardhurat e saj për bamirësi.

Profeti (a.s) i ndihmonte bashkëshortet e tij në punët e shtëpisë, arnonte rrobat e tij dhe qepte vetë këpucët e tij. Si rrjedhim, mund të kuptojmë, se gratë në Islam kanë pasur dhe kanë personalitete të pavarura, ndërsa janë dhe të pavarura ekonomikisht.

Në një hadith thuhet, se gratë nuk janë objekt që e zotërojnë burrat, por janë njerëz dhe kanë të drejta të barabarta me ta.

Kjo tani nuk mund të duket më e habitshme, por 1400 vjet më parë ishte ide revolucionare. Përveç kësaj, fakti që profeti (a.s) mori para hua nga Haula bint Amr dhe i kërkoi Duba bind el-Zubairit t’i dërgonte mish nga delja që kishte flijuar, na jep të dhëna për marrëdhëniet e tij me gratë dhe si ai i konsideronte ato.

Gjatë periudhës së profetit Muhamed (a.s) gratë jo vetëm kishin dinjitet dhe ishin të vetëdijshme për të drejtat e tyre, por ishin gjithashtu të afta të mbronin veten e tyre.

Përshkrimi i grave myslimane si njerëz me status dytësor, të shtypura nga dominimi i meshkujve, është shfaqje e praktikave të vazhdueshme të popujve myslimanë dhe të klisheve të zhvilluara në perëndim.

Fatkeqësisht imazhi negativ i grave myslimane është formuar me kalimin e kohës dhe ka një strukturë, që kundërshton praktikat e kohës së profetit Muhamed (a.s). Mund të thuhet, se nocionet negative të kulturave patriarkale në lidhje me gratë kanë një cilësi, që nxit paragjykimet e tyre.

Përgjegjësitë e burrave në jetën e përditshme bëjnë, që burrat të kenë më shumë të drejta dhe autoritet mbi gratë.

Në një ajet kuranor thuhet: “Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre”. (Bekare: 228).

Por kjo nuk do të thotë, se gratë kanë status dytësor brenda familjes ose shoqërisë, apo se atyre u mungon individualiteti. Në Islam nuk është e rëndësishme gjinia, por statusi i individit para Allahut.

Mënyra më e mirë për ta sqaruar këtë koncept është ajeti: “E s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju, është ai që më tepër është ruajtur (këqijat)” (Huxhurat: 13)

Vepra të cituara

Aydin, Mehmed Akif. “Aile (Family)”, DIA, v.2, Stamboll, 1989.

Aydin, Mehmed Akif. “Kadin (Woman)”, DIA, v.24, Stamboll, 2001.

Bolelli, Nusrettin. Kadinlarin Hadis Ýlmindeki Yeri (Roli i grave në shkencën e hadithit), Stamboll, 1998.

Ceylan, Canan. Entelektuel ve Siyasi Bir Kisilik Olarak Hz. Aise (Aishja si personalitet intelektual dhe politik), Stamboll, 2002.

Etoz, Abdulkadir. “Islam’da Kadinin Onemi ve Yeri (Roli dhe rëndësia e gruas në Islam),” Islam’da Aile ve Cocuk Terbiyesi, Stamboll, 1996.

Hamidullah, Muhammed, Islam Peygamberi, Hayati ve Eserleri (Profeti islam, jeta dhe veprat e tij), përkthyer nga Said Mutlu ve Salih Tug, v.2, Staboll, 1969.

Heykel, M. Huseyin. Hz. Muhammed Mustafa (Profeit Muhamed), Stamboll, 1948.

Ozturk, Levent. Hz. Peygamber Doneminde Saðlik Hizmetlerinde Kadinlarin Yeri (Roli i grave në shërbimet shëndetësore në kohën e profetit të shenjtë), Stamboll, 2001.

Rahman, Afzalur.  Hz. Muhammed Sallallahu Aleyhivesellem (Profeti Muhamed (pbuh)), Siret Ansiklopedisi, përkthyer nga Hakan Bayrak, v.II,  Stamboll, 1990.

Savas, Riza. “Hz. Peygamber’in Bir Kadin Konuðu: Kayle bint Mahrama (A Woman Guest of the Holy Prophet: Kayle bint Mahrama),” D.E.U. Ýlahiyat Fakultesi Dergisi,  XII (1999): 39-46.

Savas, Riza. Hz. Muhammed Devrinde Kadin (Gruaja në kohën e profetit Muhamed), Stamboll, 2004./Mesazhi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here