Besimtarët, kanë për ta parë Zotin në botën e amshueshme

0
221

Pasuesit e Sunetit dhe xhematit (ehlus-sunneh uel-xhemah) besojnë se kënaqësia më e madhe që do përjetojnë banorët e Xhenetit është shikimi te Zoti i tyre në botën Tjetër me sytë e tyre. Ata e vizitojnë Atë, Ai do u flasë atyre dhe ata do i flasin Atij. Allahu Lartësuar thotë: “Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë dhe Zotin e tyre do të shohin.” El-Kijjameh, 22-23

Ata do e shohin Atë të Lartmadhëruarin ashtu siç shohin hënën e plotë duke mos u shtyrë në shikimin e Tij. Ashtu siç ka njoftuar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për këtë gjë. Ai ka thënë: “Ju do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç shihni hënën kur është e plotë. Nuk do të shtyheni në shikimin e Tij.” Mutefekun alejhi.

Pasuesit e Sunetit dhe xhematit (ehlus-sunneh uel-xhemah) besojnë se Allahu Lartmadhëruar zbret në qiellin e dynjasë kur ka mbetur një e treta e fundit e natës. Ai zbret ashtu siç i përshtatet Krenarisë dhe Madhështisë së Tij. Duke mos pyetur për formën dhe mënyrën se si zbret. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Zoti ynë zbret çdo natë në qiellin e dynjasë kur ka mbetur një e treta e fundit të saj (natës) dhe thotë: A ka ndonjë që më lutet që Unë t’i përgjigjem atij? A ka ndonjë që kërkon prej Meje që Unë t’i jap atij? A ka ndonjë që më kërkon falje Mua që Unë ta fal atë?” Mutefekun alejhi

Pasuesit e Sunetit dhe xhematit (ehlus-sunneh uel-xhemah) besojnë se Allahu Lartësuar vjen ditën e Kiametit dhe engjëjt radhë pas radhe për të ndarë mes robëve dhe gjykuar mes tyre. Ai vjen ashtu siç i përshtatet Krenarisë dhe Madhështisë së Tij. Duke mos pyetur për formën dhe mënyrën se si vjen. Ashtu siç e ka përshkruar Ai veten e Tij në Librin e Tij duke thënë: “Kur Toka të bëhet copë e thërrime, kur të vijë Zoti yt me engjëjt të rreshtuar radhë pas radhe.” El-Fexhr, 21-22

Dhe fjala e të Madhëruarit: “Apo mos presin[1] që t’u vijë Allahu përmes hijeve të reve bashkë me engjëjt,[2] dhe të përfundojë gjithçka?![3]” El-Bekare, 210

“El-Uexhiz fi akideh es-selefis-salih ehlus-sunneh uel-xhemah”

Abdullah bin Abdulhamid el-Etherij

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Ata të cilët përgënjeshtrojnë Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe fenë e tij, që bëjnë prishje në tokë, që ndjekin rrugët e shejtanit.

[2] Ky është një kërcënim i fortë dhe i ashpër, nga i cili zemrat dalin nga gjoksi. Allahu thotë: “A mos presin ata të cilët përgënjeshtrojnë Muhamedin dhe bëjnë prishje në tokë, që t’u vijë dita e shpërblimit për veprat e tyre, ditë në të cilën Allahu i palos qiejt dhe tokën, shpërndan planetet dhe yjet, rrumbullakos diellin dhe hënën së bashku, zbresin engjëjt dhe rrethojnë të gjitha krijesat, dhe zbret Krijuesi i Lartëmadhëruar “përmes hijeve të reve”, për të gjykuar mes robërve të Tij me gjykim të drejtë?” Ky ajet dhe të tjerë si ai, janë argument për rrugën e pasuesve të sunetit dhe xhematit, të cilët i pohojnë të gjitha atributet vullnetare të Allahut, siç është qëndrimi mbi Arsh, zbritja, ardhja, e të tjera cilësi të Allahut, për të cilat ka njoftuar Ai dhe i Dërguari i Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Pasuesit e sunetit i pohojnë këto cilësi dhe atribute të Allahut ashtu si i përshtatet Madhështisë dhe Përsosmërisë së Tij, pa i krahasuar e ngjasuar me ato të krijesave dhe pa i devijuar nga domethënia e tyre, në kundërshtim me mohuesit dhe sakatuesit e tyre të rrymave të ndryshme, siç janë xhehmijet, mutezilitë, esharitë etj. Shejh Abdurrahman es-Sadi (Allahu e mëshiroftë!)

[3] Ka përfunduar llogaria mes krijesave me drejtësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here