Shpjegimi i hadithit “Kush shpik në këtë çështjen tonë…” Pjesa fundit

0
514

Shpjegimi i hadithit “Kush shpik në këtë çështjen tonë…” Pjesa fundit

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajttë!): Në transmetimin e dytë: “Kush punon një punë që nuk është në përputhje me çështjen tonë, ajo është e refuzuar.” Transmetimi i parë “Kush shpik” d.m.th. shpik diçka të cilën Allahu Lartësuar nuk e ka ligjësuar atë.

Transmetimi i dytë bën fjalë për personin që ndjek (pason) atë që shpik ndonjë vepër, e cila s’është në përputhje me çështjen e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Kështu ai punon me atë vepër dhe si rrjedhojë bëhet bidatçi. Ngase kushdo që vepron (punon) bidate konsiderohet bidatçi edhe pse ai s’i ka shpikur ato (bidatet). Kjo është një dobi madhore.

Në mënyrë që mos të dal dikush e të thotë: “Unë s’kam shpikur asgjë, por vetëm kam punuar atë që e kanë bërë dhe të tjerët para meje.”

Këtij i themi: Edhe nëse atë e kanë shpikur dhe kanë punuar me të të tjerët para teje, derisa ajo është bidat ty s’të lejohet ta veprosh (punosh me të).

Nëse ai thotë: “Përgjegjësia i takon atij që e ka shpikuar.”

I themi: Përgjegjësia i takon atij që e ka shpikuar dhe atij që punon me të. Bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kush punon një punë që nuk është në përputhje me çështjen tonë…” Ti e ke të ndaluar të veprosh bidate dhe -po ashtu- e di se edhe ata janë ndaluar nga ajo që kanë shpikur. Prandaj si mundesh t’u bindesh atyre dhe të veprosh veprat e tyre?

Kjo është dobia e transmetimit të dytë: Veprimi i bidateve bën që personi në vetvete të konsiderohet bidatçi edhe pse ai (vepruesi) nuk e ka shpikur atë, por dikush tjetër e ka shpikur.

Ky është hadith madhështor bashkë me hadithin “Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimeve.” Të dy këto hadithe tregojnë për kushtet  e pranimit të veprës: Sinqeritetin dhe pasimin e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

“El-Minhatu er-Rabbanijjeh fi sherh El-Erbein en-Neueuijjeh”

Përktheu:Unejs Sheme