Arabët e lashtë, endeshin lart e poshtë në shkretëtirat e zjarrta, në kërkim të kullotës për bagëtitë. Mes tyre, jetonte një burrë me nënën e tij të shtyrë në moshë. Ai ishte djali i saj ai vetëm. Nëna e tij, herë pas here e humbiste kujtesën dhe fliste përçart, gjë e cila e vinte në siklet të birin para njerëzve. Një ditë, njerëzit kishin vendosur për tu larguar në kërkim të një kullote tjetër. I gjendur ngushtë, burri i tha të shoqes:”Dëgjo! Kur të nisemi nesër për udhëtim, lëre nënën aty ku është! Lëri dhe ca bukë e ujë me vete, derisa të vijë dikush e ta marrë, ose të vdesë.”
E shoqja ia ktheu:”Si të urdhërosh!”
Të nesërmen, njerëzit ngarkuan kafshët dhe u nisën për rrugë. E shoqja, e la vjehrrën e saj në atë vend ku e kishte porositur i shoqi. Por, ajo bëri diçka të pabesueshme! Bashkë me vjehrrën, ajo la dhe të birin e saj, vogëlushin e saj të vetëm një vjeçar. I ati i djalit, ishte shumë i lidhur pas të birit, saqë sa herë që ulej, e kërkonte të luajë me të.
Në mes të rrugës, karvani u ndal të pushojë, kurse kafshët të kullosin. Që kur ishin nisur me lindjen e diellit, nuk kishin bërë asnjë pushim. Burri në fjalë kërkoi djalin e tij të dashur që të luajë dhe të heqë lodhjen, por e shoqja i tha:”E lashë me nënën tënde! E ç’na duhej ta marrim me vete dhe atë?!”
I shoqi brofi në këmbë dhe i tha:”Çfarë?!”
E shoqja iu përgjigj:”Po, e lashë sepse kur të rritet, do të braktisë në mes të shkretëtirës, siç braktise ti nënën tënde!”
Kjo fjalë i ra si rrufe në kokë. Nuk i tha të shoqes asnjë fjalë tjetër, pasi e kuptoi që kishte gabuar rëndë. Menjëherë i vuri shalën kalit dhe u nis drejt vendbanimit të vjetër, ku kishte lënë nënën, i kapluar nga frika se mos i kishin shqyer ujqërit e uritur. Ishte zakon që kur ujqërit i kapte uria, mësynin zonat e ish banuara për të ngrënë mbeturinat e ushqimit.
Kur mbërriti tek vendbanimi i vjetër, pa një tufë ujqër që kishin rrethuar nënën e tij me foshnjën. Të birin, nëna e mbante në kraharor, kurse ujqërit i afroheshin gjithmonë e më shumë duke dashur ta shqyejnë. Herë pas here, ajo i gjuante me gurë e ç’të mundej duke u thënë:”Mu hiqni sysh se ky është biri i filanit!”
Menjëherë beduini nxori pushkën dhe vrau disa ujqër, ndërkohë që pjesa tjetër e tufës ia mbathi nga sytë këmbët. Ai iu afrua të ëmës dhe e puthi në ballë disa herë me sytë që i rridhnin lot, i penduar për atë që kishte bërë. Mandej, u kthye tek njerëzit e tjerë dhe që atë ditë e respektonte dhe e nderonte të ëmën si asnjëherë më parë. Veç kësaj, edhe marrëdhëniet e tij me të shoqen u forcuan më shumë. Sa herë që u duhej të endeshin nëpër shkretëtirë në kërkim të ujit dhe kullotës, fillimisht ai hipte nënën e tij në kalë.
Ditën e parë që erdhe në këtë botë, tu pre tubi që të mbante të lidhur me nënën, ndërkohë që shenja e këtij tubi të mbetet gjithë jetën. Kjo, me qëllim që ta kujtosh gjithmonë njeriun e madh, i cili të ushqeu me trupin e saj. Zoti i bëftë nënat tona banore të xhenetit të Tij të amshuar! Amin!