Me të vërtetë ‘durimi’ është prej virtyteve më të çmuara me të cilin çdo musliman e ka për të detyrë të pajiset me të. Për më tepër, durimi është prej cilësive më madhështore të Allahut të Madhëruar.
Nëse Allahu i Madhëruar nuk do të bënte durim kundrejt robërve të Tij kur ata i shoqërojnë shok dhe kur ata bëjnë gjynahe, atëherë do t’ua përshpejtonte dënimin, mirëpo, Ai i furnizon ata nga mirësitë e Tij të shumta dhe iu lë kohë që të kthehen e të pendohen.
Durimi ka qenë prej cilësive më të rëndësishme tek të dërguarit (profetët) të cilët u përgënjeshtruan nga popujt e tyre dhe u munduan më lloj-lloj mundimesh, por ata duruan derisa u erdhi ndihma e Allahut.
Pozita dhe vlera e durimit në Islam është shumë e madhe. Nëpërmjet durimit, njeriu arrin dobi dhe përfitime të shumta në dynja dhe ahiret. Allahu i Madhëruar durimtarëve ua shumëfishon shpërblimin më tepër se kujtdo tjetër dhe i shpërblen pa hesap. Çdo pune i dihet shpërblimi, me përjashtim të durimit Për durimtarët Allahu i Madhëruar thotë:
إِنَّمَا يُوَفَّى الصَّابِرُونَ أَجْرَهُمْ بِغَيْرِ حِسَابٍ
“Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë!” Zumer: 10.
Jo vetëm aq, por durimtarët do të jenë nën kujdesin e veçantë të Allahut. Ai do të jetë përherë pranë tyre, do t’i udhëzojë, do t’i ndihmojë dhe do t’ju japë sukses. Allahu i Madhëruar thotë:
إِنَّ اللَّهَ مَعَ الصَّابِرِينَ
“Padyshim që Allahu është me durimtarët.” Bekare: 153.
Ebu Ali Ed Dekaku, ka thënë: “Durimtarët janë njerëzit më fatlum në dynja dhe ahiret, sepse Allahu i Madhëruar është me ta.”[1]
Allahu i Madhëruar na tregon në Kuran se Ai i do durimtarët:
وَاللَّهُ يُحِبُّ الصَّابِرِينَ
“Allahu i do durimtarët.” Al Imran: 146.
Natyrisht që kjo duhet të shërbejë si shtysa më e fortë për besimtarin, që të pajiset me virtytin e durimit, në mënyrë që të fitojë dashurinë e Allahut të Madhëruar.
Allahu i Madhëruar ua ka bërë të qartë robërve të Tij se ‘durimi’ është zgjedhja më e mirë që mund të bëjnë, madje këtë e ka sjellë në trajtë betimi, në mënyrë që askush të mos dyshojë për saktësinë e këtij pohimi:
وَلَئِن صَبَرْتُمْ لَهُوَ خَيْرٌ لِّلصَّابِرِينَ
“Por, nëse duroni, padyshim që kjo është më e mira (rrugë) për të durueshmit.” Nahël: 126.
Allahu i Madhëruar i veçon durimtarët me tre mirësi, të cilat nuk i gëzon të përmbledhura askush tjetër përveç tyre: Ai i bekon ata, i mëshiron dhe i udhëzon në udhën e drejtë. Allahu i Madhëruar thotë:
وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ الَّذِينَ إِذَا أَصَابَتْهُم مُّصِيبَةٌ قَالُوا إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ
أُولَٰئِكَ عَلَيْهِمْ صَلَوَاتٌ مِّن رَّبِّهِمْ وَرَحْمَةٌ ۖ وَأُولَٰئِكَ هُمُ الْمُهْتَدُونَ
“Përgëzoji durimtarët! Të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre, dhe ata janë në rrugën e drejtë!” Bekare: 155-157.
Tregohet se njërit prej muslimanëve të hershëm i kishte ndodhur një fatkeqësi e kobshme. Kur i sollën lajmin për çfarë kishte ngjarë, ai pa u ligështuar aspak, kishte thënë: “Do të duroj. E si të mos duroj, kur Zoti im më shpërblen për durimin tim me tre mirësi madhështore, ku çdonjëra prej tyre është më e dashur për mua sesa dynjaja dhe çfarë gjendet në të?! – Pastaj kishte lexuar ajetet e mësipërme.
Allahu i Madhëruar, shpëtimin në dynja dhe ahiret e ka kushtëzuar me disa çështje, ku ndër më kryesoret prej tyre është durimi.
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا اصْبِرُوا وَصَابِرُوا وَرَابِطُوا وَاتَّقُوا اللَّهَ
لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ
“O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” Al Imran: 200.
Këto ishin shkurtimisht disa nga vlerat dhe mirësitë e durimit. Do të njihemi me të tjera vlera të këtij morali të vyer kur të trajtojmë temën: “Durimi në Kuranin fisnik dhe në Traditën profetike.”
Relatat e njerëzve në lidhje me durimin
Sa i takon relatave që njerëzit kanë me durimin, ato variojnë nga njëri individ tek tjetri.
Disa e kanë të lehtë të durojnë lodhjet apo vështirësitë që mund të hasen gjatë kryerjes së obligimeve, mirëpo durimi i tyre çalon kur bëhet fjalë për t’u distancuar nga mëkatet. Ndërsa disa të tjerë, janë më të durueshëm ndaj mëkateve, por hasin vështirësi kur bëhet fjalë për të duruar vështirësitë që mund të hasen gjatë kryerjes së obligimeve fetare.
Ka edhe nga ata të cilëve u mungon durimi, si për kryerjen e obligimeve ashtu edhe për t’u distancuar nga mëkatet. Por është dhe një kategori e katërt, të cilët janë të durueshëm në kryerjen e obligimeve por edhe kur bëhet fjalë për t’u distancuar nga mëkatet.
Ka shumë njerëz që nuk e kanë të vështirë namazin e natës dhe as agjërimin e ditës, mirëpo e kanë shumë të vështirë ta ruajnë shikimin nga e ndaluara. Ashtu siç ka të tjerë të cilët e kanë të lehtë ruajtjen e shikimit nga e ndaluara, por nuk janë aspak të durueshëm kur bëhët fjalë për t’i këshilluar njerëzit për punë të mira, për t’i penguar nga mëkatet dhe për t’iu kundërvënë keqbërësve. Por natyrisht që ka edhe nga ata të cilëve u mungon durimi në të dyja rastet. Ashtu siç ka edhe nga ata të cilët janë të durueshëm në të dyja rastet, e këta të fundit janë vetëm një pakicë në mesin e njerëzve.
E tillë është gjendja e njerëzve kundrejt durimit! Pak nga njerëzit janë të prirur për të qenë të durueshëm. Kjo sepse durimi kërkon sakrificë dhe vetëpërmbajtje; kërkon që t’i japësh përparësi arsyes dhe fesë kundrejt dëshirave të epshit. Kërkon të zgjedhësh rrugën e vështirë e të mundimshme, por e cila të nxjerr në dritë dhe jo rrugën e lehtë e cila e ka përfundimin të hidhur.
Allahun e Madhëruar e lusim të na bëj prej durimtarëve!
vijon…
Përgëzoji durimtarit! – pjesa e dytë –
Përgatiti: Seksioni i Shkencave Islame pranë ‘Darul Uatan’ – Rijad
Përshtati në gjuhën shqipe: E. Ajdini
[1] “Err Rriseletu el Kushejrijeh” faqja: 257
Udha e Besimtarëve