Transmetohet se Ebu Dherri r.a. ka thënë: “Më ka thënë i Dërguari i All-llahut salallahu alejhi ve selem: “O Ebu Dherr, kur të ziesh çorbë, shto në të ujë dhe kujdesu për fqinjin.”
(Transmeton Muslimi)
Në një transmetim tjetër, po ashtu nga Ebu Dherri, thuhet: “Vërtet, miku im sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem më ka porositur: “Kur të ziesh çorbë, shtoja pak ujin, e pastaj shiko familjet e fqinjëve dhe nda një pjesë prej saj.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Pasha All-llahun nuk beson, pasha All-llahun nuk beson, pasha All-llahun nuk beson!” I thanë: “Kush, o i Dërguari i All-llahut? Tha: “Ai, fqinji i të cilit nuk është i sigurtë nga të këqijat e tij!”
(Muttefekun alejhi)
Në një transmetim të Muslimit thuhet: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai, fqinji i të cilit nuk është i sigurtë prej të këqijave të tij.”
Transmetohet, po ashtu nga Ebu Hurejra r.a., se i Dërguari i All-llahut salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Kush i beson All-llahut dhe Ditës së Mbrame mos ta shqetësojë fqinjin e vet, kush i beson All-llahut dhe Ditës së Mbrame le ta nderojë mikun (musafirin) e vet dhe kush i beson All-llahut dhe Ditës së Mbrame le të flasë mirë ose le të heshtë.”
(Muttefekun alejhi)
Transmetohet nga Abdull-llah ibn Umeri r.a. se i Dërguari i All-llahut salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Shokë më të mirë tek All-llahu i Madhëruar janë ata që janë më të mirë për shokun e vet dhe fqinjë më të mirë tek All-llahu janë ata që janë më të mirë për fqinjin e vet.”
(Transmeton Tirmidhiu dhe thotë hadith hasen)