Tregimi për njeriun që nuk kishte dhënë zekat

0
249

Thuhet se disa njerëz kishin shkuar tek një njeri për t’i shprehur ngushëllime për vdekjen e vëllait të tij. Ata e gjetën atë shumë të pikëlluar, vazhdimisht po qante për vdekjen e vëllait. Kur ata filluan ta ngushëllonin dhe ta porosisin për të bërë sabër – durim, ai i refuzonte të gjitha dhe nuk dëshironte t’i dëgjojë.

Ata i thanë: – A nuk e kupton se vdekja është një domosdoshmëri të cilën e përcakton Allahu dhe e cila do t’i vjen secilit prej nesh!

Njeriu tha: – Të gjitha këto i kam të qarta, por unë po qaj për vëllain tim për shkak të dënimit (azabit) të varrit që i ndodhi vëllait!

Njerëzit e pyetën: – A mos të ka zbuluar Allahu diçka nga sekretet e Tij të paarritshme për njerëzit?

Njeriu tha: – Jo, por kur i përfunduam të gjitha veprimet rreth varrimit të vëllait, dhe kur të gjithë shkuan nga varrezat, unë u ndala të qëndroj gjysmë i ulur duke menduar për vdekjen, dhe me atë rast dëgjova një zë që dilte nga varri i cili thirrte:

– Ah! Më latë vetëm ta vuaj këtë dënim të tmerrshëm dhe këto dhimbje! Edhe jam falur edhe kam agjëruar, dhe përsëri asgjë nuk po më ndihmojnë!

Pastaj – tha njeriu – i hidhëruar për shkak të vajit të vëllait, e gërmova dheun nga varri që të shoh se çka po ndodhte me vëllain tim. Kur çka të shohësh, në varr ishte i ndezur një zjarr i ashpër, kurse në qafën e vëllait tim ishte i vendosur një gjerdan prej prushi. Duke dashur ta ndihmoj, e shtrina dorën për t’ia hequr atë zinxhir nga qafa që t’i lehtësohej sado pak dhimbja, por i dogja edhe gishtat edhe dorën…

Atëherë ua tregoi njerëzve të mbledhur dorën pothuajse të djegur, të cilën po e fshihte nën rroba!

Ai vazhdoi t’u thotë atyre: – Unë pastaj shpejt e ktheva dheun në varr dhe shkova në shtëpi, kështu që si të mos qaj kur e mësova se çka e kishte gjetur vëllain tim!

Njerëzit e pyetën: – Po çka ka bërë vëllai yt në dynja?

Njeriu u përgjigj: – Edhe pse të gjitha detyrat tjera i ka kryer, ai kurrë nuk ka dhënë zekat për pasurinë e tij!

Atëherë dikush nga njerëzit tha: – Kjo pra, është konfirmim i fjalëve të Allahut të Plotfuqishëm:
“Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kiametit do t’u mbështillet në qafën e tyre…” (Alu Imran, 180)

Përshtati: Miftar Ajdini

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here