Tefsiri i një ajeti, i bërë nga vet Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem.

0
524

Nga Ebu Seid el Khudrij përcillet se ka thënë: Isha bashkë me të Dërguarin e Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në një xhenaze dhe i Dërguari i Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem – tha:
“O ju njerëz! Ky ummet (njerëzit e tij) sprovohen në varret e tyre. Kur varroset njeriu dhe shokët largohen prej tij, i vjen një engjëll që mban në dorë një çekiç dhe e ul e i thotë: 
– Çfarë thua për këtë burrë?
– Nëse ka qenë besimtar ai thotë: Esh’hedu en la ilahe il lall llah ue enne muhammeden abduhu ue resuluh (Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush veç Allahut dhe se Muhamedi është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij).
– Atëherë ai i thotë: Të vërtetën the.- Pastaj i hapet një portë që shikon drejt Zjarrit dhe i thotë: Ky do të ishte vendi yt po të kishe mohuar Zotin tënd, por meqë ti besove ja cili është vendi yt – dhe i hapet një portë drejt Xhennetit, dhe ai bën të ngrihet e të ikë drejt tij, por ai i thotë: Qetësohu! – dhe i zgjerohet varri.
Ndërsa nëse ka qenë pabesimtar apo hipokrit i thotë atij (engjëlli) :
– Çfarë thua për këtë burrë?
– E ai përgjigjet: Nuk e di! I dëgjova njerëzit të thoshin diçka.
– I thotë: As nuk dite, as nuk lexove, e as u udhëzove! – Pastaj i hapet atij një portë drejt Xhennetit dhe i thotë: Ky do të ishte vendi yt sikur të kishe besuar në Zotin tënd, por meqë ti e mohove Atë – Allahu i Lartmadhëruar – ta zëvendësoi me këtë – dhe i hapet një portë drejt Zjarrit. Pastaj e godet një herë me çekiç, dhe atë e dëgjojnë të gjitha krijesat e Allahut përveç dy të rëndësishmëve (xhinët dhe njerëzit).
– Njëri prej të pranishmëve tha: O i Dërguari i Allahut! Nuk ka njeri që të ketë një engjëll te koka me çekiç në dorë dhe të mos i ikë mendja?!
– I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – tha (recitoi fjalën e Allahut) : ‘I forcon Allahu ata që besuan me fjalë të fortë’. (Ibrahim: 27)”
(I bën të qëndrueshëm, u jep forcë të përgjigjen drejtë).

(Sahihah: 3394)