TË BËSH FAMË NË EMËR TË SHARJES SË FESË!

0
269

Dr. Shefqet Krasniqi

Javën e kaluar myslimanët patën festë. U gëzuan dhe kishin arsye për tu gëzuar. I gëzoheshin përmbylljes së një muaji të tërë adhurimesh: agjërim, namaz, lexim të Kur’anit, sadaka, vizita, etj. Por, jo të gjithë iu gëzuan festës së tyre. Pati të atillë, që në vend të urimeve, sulmuan ata. Shfrytëzuan këto ditë festive për t’iu treguar se sa të pamëshirshëm, sa jotolerant, sa armiq të mëdhenj të tyre janë. Dhe kjo na e rikujtoi plagën e marr bajramin e vitit të kaluar, ku mu në këtë kohë  kuvendarët na lënduan shumë rëndë duke mos lërë gjë të keqe pa e cekur kundër fesë dhe myslimanëve. Madje, siç duket, këto ditë kishin qenë të rezervuara për këto sulme ndaj myslimanëve, ngase pamë dhe një lloj gare ndërmjet këtyre gazetarëve të tipit ‘xhejsmbondian.’ Me shkrimet e tyre ngjallën -ose thënë më mirë u munduan të ngjallin- që praktikisht është dëshmuar disa herë se janë të pavërteta. Folën për rrezikun e radikalizmit islam, madje me një ekzagjerim aq të madh, saqë në këtë kohë kur janë rritur çmimet e artikujve ushqimorë esencial dhe kur kostoja e jetës po bëhet nga dita në ditë më e papërballueshme për kosovarët, në njërën anë, dhe në anën tjetër kur vrasjet, krimet monstruoze, vjedhjet, madje edhe aso të tipit të ndonjë skenari filmash aksion –siç do të thoshte një analist, në anën tjetër, sikur Kosova nuk ka problem tjetër vetëm atë të radikalizmit. A është ajo strategjia djallëzore që politika tash e sa kohë po e përdor, që në rast se, për një pazar me shtetin, zhvendos vëmendjen e popullit duke krijuar probleme inekzistente, apo çfarë në të vërtet fshihet, nuk e di.

Një gjë që dihet, pavarësisht interpretimit të rastit, është se disa media dhe politika urrejnë fenë e komunitetit absolut në Kosovë. Në një prej këtyre artikujve, shihje se si gazetari pa fije turpi, bënte thirrje që të mos merren me ne nga frika se mos po na bëjnë reklamim të tepërt dhe sikur botën po e bindim se qenkemi kështu. Po si çka na njeh bota? A janë të shurdhër këta mjeranë dhe a shohin? E tërë bota, duke filluar nga shteti më i fuqishëm në botë, Amerika, vazhdimisht na drejtohet dhe na trajton si një shtet mysliman? A nuk ia uroi presidenti amerikan presidentes së shtetit tonë festën e bajramit dhe popullit të saj mysliman?!

Një gjë që mbetet tejet shqetësuese është provokimi që i bëhet komunitetit mysliman. Artikujt në fjalë, jo të gjithë, ishin të përkthyer edhe në anglisht, për t’iu prezantuar opinionit ndërkombëtar, ndoshta me përgjërimin për t’i ndihmuar duke ua lënë ndonjë pjatë të jargosur ta lëpijnë.

Vërtetë, këta artikuj dhe këto shkrime, të punuara nga ata, që të paktën bartin emra myslimanësh, janë një koincidencë paradoksale me atë që bota e qytetëruar perëndimore po vepron. Hamburgu, një republikë gjermane, vendosi këto ditë që tash e tutje festat fetare islame të jenë pjesë e festave shtetërore, derisa nga SHBA-të na erdhën lajme për liderë (guvernatorë e kryetarë bashkish) të cilët madje, edhe pse i përkasin një feje tjetër, shoqëruan myslimanët në festimet e tyre, madje në pjesën rituale fetare, gjegjësisht në faljen e Bajramit dhe në fjalimin e mbajtur para myslimanëve premtoi se shteti i tij do ta fus bajramin si festë zyrtare të shtetit të tij.

O Zot! Sa të mjerë janë ata njerëz që kërkojnë kënaqësinë e njerëzve dhe jo Tënden! Dhe, e vërtetë, ashtu siç na ka mësuar i Dërguari Yt, Muhammedi [alejhi selam], ata nuk do ta kenë as kënaqësinë e njerëzve, dhe, sigurisht, as Tënden!

Sa shumë do t’i falënderohej publiku autorëve të atij shkrimit gazetaresk hulumtues, sikur të hulumtonin rastet e vrasjeve, shitjes së drogës, kontrabandimit, trafikimit me qenie njerëzore, vjedhjeve, kërcënimeve, shantazhimit, dhunës familjare, sjelljeve devijante, dhe të na sillnin përqindjet se sa bëjnë pjesë në këto krime “radikalistët” myslimanë!

Kosova nuk e ka problem radikalizmin, por varfërinë, papunësinë, krimin e organizuar, nepotizmin, etj., andaj, mos humbisni kohë dhe energji duke i sulmuar pa nevojë myslimanët, por merruni me ata që duhen marrë. Konsideroj, se në këtë drejtim, ju duhet të merreni dhe me vetveten, pasi që keni shkelur mbi idealet tuaja, keni tradhtuar misionin tuaj për një “asht.”

Një gjë dua tua kujtoj se shkrimet mbesin, e historia nuk i harron gjërat, andaj është mirë që njeriu para se të flasë apo të shkruaj diç, të vërtetohet mirë se sa ka të drejt dhe sa është real në shkrimin e tij, në mënyrë që mos të mallkohet më vonë nga gjeneratat e ardhshme, ashtu siç po mallkohen përkrahësit e komunizmit, të cilët nuk lënin formë pa përdorur për t’iu futur në hatër partisë komuniste.

Këta të ashtuquajtur gazetarë profesionistë, e të cilët më së paku mund të jenë të tillë, po e përmbushin një mision të dëmshëm, i cili është në dëm të vet atyre dhe të vendit. Këta misionarë të shitur, për të cilët kemi informata se janë të paguar nga qarqe që çdo ditë punojnë në dëm të shtetit të cilin e kemi ndërtuar me shumë mund e gjak. Këta misionarë të shitur po i fyejnë myslimanët dhe Islamin, vetëm për disa përfitime personale, e nuk po mendojnë se ato përfitime shumë shpejt mund të shpenzohen e të mbeten gjithmonë të urryer tek myslimanët.

Dhe në fund krejt dua të jem i sinqertë e mos t’i bëjë padrejtësi askujt, por të themi se të tillë janë një numër shumë i vogël i gazetarëve, përndryshe pjesa dërmuese e tyre jam i bindur se nuk pajtohen me këto shkrime dhe me këto sulme ndaj popullit të tyre. E për këta lutemi që t’i ruaj Allahu, ndërsa për ata të parët që t’i drejtojë e t’i udhëzojë. Amin dhe deri javën e  ardhme! Selam alejkum!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here