Sinqeriteti i dijetarit me Allahun duke kundërshtuar sundimtarin

Sinqeriteti i dijetarit me Allahun duke kundërshtuar sundimtarin

LUTJA DHE SINQERITETI

Ka thën Omer Habib El Kadi:
“Në një rast kam marrë pjesë në një kuvend të organizuar nga Harun El Rashidi, në të cilin rreth një hadithi u zhvillua një polemikë e ashpër, dhe zërat janë ngritur shumë. Disa për hadithin në fjalë thanë se nga Pejgamberi savs e ka transmetuar Ebu Hurejre r.a. dhe ai është i saktë, ndërsa të tjerët, të njëjtin hadith e refuzuan kategorikisht, duke pohuar se ai nuk është i besueshëm.
Çdonjëri e mbronte mendimin e tij, ndërsa diskutimi vetëm po shpërthente. Çështa shkoi aq larg sa që një pjesë e të pranishmëve thanë: “Ebu Hurejre nuk i ka transmetuar hadithet në mënyrë të besueshme! Madje thanë se ai ishte gënjeshtar!“
Në gjithë këtë, unë vërejta se Harun El Rashidi anonte kah ky grupi i dytë të cilët folën keq për Ebu Hurejren r.a. dhe ai po e mbështet mendimin e tyre.
Unë atëherë thashë: “Ky hadith është i saktë dhe besueshëm është transmetuar nga Pejgamberi savs.“
Harun El Rashidi më shikoi me zemërim, kurse unë e lëshova kuvendin dhe shkova në shtëpinë time. 
Nuk kaloi shumë kohë dhe më erdhi një djalë i ri dhe më tha: “Po të thërret sundimtari. Ji i gatshëm për të vdekur, parfumosu dhe përgatite qefinin!“ 
Atëherë me një lutje të sinqertë iu drejtova Allahut të Plotfuqishëm, duke thënë:
„O Zoti im, Ti shumë mirë e di se unë e ruajta dhe mbrojta shokun e Pejgamberit Tënd savs, dhe u përpoqa të mos lejoj që shokët e tij të turpërohen, andaj të lutem që të më mbrosh prej tij!“
Ata më çuan para El Rashidit, i cili ishte ulur në karrigën e tij. I kishte mëngët e përvjelura, kurse në dorë e mbante shpatën. Para tij ishte një qilim lëkure në të cilin kryheshin ekzekutimet.
Kur më pa, ai tha:
„O Omer b. Habib! Askush nuk më është drejtuar në mënyrë të stuhishme, as nuk më ka kundërshtuar siç bëre ti!“ 
Kurse unë ju përgjigja:
„O sundimtar i besimtarëve! Fjalët që i fole, qëndrimin që e mbrojte dhe mendimin me të cilin anove dhe për të cilin u angazhove janë nënçmim dhe përqeshje me Pejgamberin savs, dhe me të gjitha ato që ai erdhi! Nëse shokët e tij të cilët na transmetuan hadithe prej tij ishin gënjeshtarë, atëherë sheriati është i pavlefshëm, detyrat islame, si namazi, dhe agjërimi, si dhe dispozitat tjera islame, si dispozitat e martesës, divorcit, sanksionet e sheriatit dhe dënimet, më nuk vlejnë dhe duhet të hidhet. O sundimtar i besimtarëve, mos e dhashtë Allahu, mos e dhashtë Allahu, që diçka të tillë të mendosh, apo nga një opcion i tillë të anosh! Ju jeni më prioritar se të gjithë njerëzit e tjerë që me xhelozi ta ruani dhe mbroni nderin dhe dinjitetin e Pejgamberit savs!“
Kur i dëgjoi fjalët e mia, papritmas erdhi në vete dhe tha: „Më ringjalle, o Omer b. Habib! Më ringjalle, o Omer b. Habib! Më ringjalle, Allahu të ringjalltë! Më ringjalle, Allahu të ringjalltë!“
(Përkthim nga Miftar Ajdini)