SHTËPIA E BESIMTARIT DHE SHTËPIA E ZULLUMQARIT

0
328

 

Allahun e falënderojmë që na krijoi në formën më të mirë dhe na dha mendjen për të menduar. E falënderojmë gjithashtu që na dërgoi të Dërguarin e Tij që të na udhëzojë dhe na e bëri të qartë atë që duhet të mbjellim dhe edukojmë në shtëpitë tona.

Shtëpitë e muslimanëve duhet të jenë qetësim dhe prehje për bashkëshortët, prindërit dhe edukuesit.

Në shtëpinë e muslimanit mbizotërojnë marrëdhënie shumë të mira mes anëtarëve të saj, ngase ajo është ndërtuar mbi bazën e urdhrave të Allahut dhe porosive të Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

Ajo është shtëpi që rigjallëron respektin ndaj Allahut të Madhëruar dhe kthimin tek Ai për çdo problem që ndodh në të, ngase kështu na ka urdhëruar Allahu kur thotë: “Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë tek Allahu (te libri i Tij) dhe tek i Dërguari.” [1]

Shtëpia e muslimanit është ajo ku i vogli mëshirohet, rrethohet me përkujdesje, dashuri dhe ndjenja,  është ajo ku respektohet i moshuari dhe përmendet shpesh fjala e Allahut: “Thuaj: “Zoti im! Mëshiroji ata të dy sikurse më edukuan mua kur isha i vogël.”[2]

Shtëpia e muslimanit është e dashur për çdo anëtar që ia do të mirën tjetrit ashtu si vetes, pasi Allahu na mëson kështu: “Ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.”[3]

Në shtëpinë e muslimanit marrëdhëniet mes anëtarëve nuk ngrihen në bazë të përfitimeve materiale, por ndërtohen mbi dashurinë, fjalën e ëmbël dhe mëshirën ndaj njëri-tjetrit.

Shtëpia e muslimanit është ajo ku respektohet burri, qoftë ai i pasur apo i varfër, i sëmurë apo i shëruar, i ri apo i moshuar, përgjegjësia i takon atij, ai është shtylla e shtëpisë dhe mbrojtës i saj, përgjegjës për gruan dhe fëmijët e tij nga devijimet në dunja dhe në ahiret, e Allahu në Kuran na tregon e thotë :” O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.”[4]

Shtëpia e muslimanit është vendi ku gruaja nderohet dhe ka pozitë të lartë, ngase me respektin ndaj saj fitohet xhenneti. Allahu në Kuran thotë: “Çoni jetë të mirë me to.”[5] Është pyetur Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nga një njeri, se kush është ai që unë duhet t’ia kushtoj kujdesin tim? Ai i tha: “Nëna jote.” Burri i tha: “Pastaj kush?” I tha sërish: “Nëna jote.” E pyeti prapë: “Pastaj kush?” I tha: “Nëna jote.”[6]

Shtëpia e muslimanit është vendi ku fjala e prindit mbrohet dhe respektohet, ku idetë e tij nuk kundërshtohen, se Allahu në Kuran thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).”[7]

Shtëpia e muslimanit është vendi ku respektohet musafiri dhe komshiu sepse praktikohet hadithi i Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem që ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit të nderojë musafirin. Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit të sillet mirë me komshiun.[8]

Në shtëpinë e muslimanit padrejtësia, urrejtja dhe zilia nuk kanë vend. Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi atij dhe prej dorës së tij janë të mbrojtur muslimanët.”[9]

Shtëpia e muslimanit është vendi ku anëtarët e saj ndihmojnë njëri-tjetrin dhe janë një trup i përbashkët. Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Muslimani për muslimanin është si një trup i vetëm, njëra pjesë forcon tjetrën.”[10]

Shtëpia e muslimanit është vendi ku të gjithë kanë të drejtat e veta, ku të gjithë gëzojnë të drejtën në trashëgimi dhe nuk lejohet të anashkalohet dikush nga pjesa që Allahu ka urdhëruar të ndahet. Allahu në Kuran ka thënë: “Meshkujve u takon pjesë nga pasuria që e lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave u takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon pjesë e caktuar (nga Zoti).”[11]

E tillë duhet të jetë shtëpia e çdo muslimani, një shtëpi e ngritur mbi baza të shëndosha, ku mbretëron lumturia, dashuria dhe respekti.

Shtëpia e zullumqarit

Shtëpia e zullumqarit është vendi ku mungon ndjenja e mirë, rehatia, mëshira, ku i vogli nuk e respekton të rriturin dhe i rrituri nuk e mëshiron të moshuarin.

Ajo është shtëpia ku çdo marrëdhënie mes anëtarëve lidhet me përfitime materiale të kësaj bote të shkurtër: nëse ka dobi, është i mirë, nëse nuk ka dobi nuk është i mirë dhe si rrjedhojë e kësaj raportet e tyre janë shumë negative dhe të neveritshme. Ky është gabimi që mbjell padrejtësi.

Shtëpia e zullumqarit është ajo ku prindi nuk respektohet, ku kafsha nuk mëshirohet, ku mbizotëron ligji i forcës, që jep urdhra dhe ndalesa.

Shtëpia e zullumqarit është ajo ku injorohet i dobëti, nuk respektohet gruaja, nënçmohet i sinqerti dhe nënvlerësohen veprat e të devotshmit.

Shtëpia e zullumqarit i ngjan shtëpisë së merimangës, në të cilën mungon çdo gjë pozitive, mungon dashuria, mungon ngrohja dhe modestia.

Allahu në Kuran thotë: “Rasti i atyre që zgjedhin mbrojtës të tjerë në vend të Allahut është si rasti i merimangës, që zgjedh rrjetën e vet për shtëpi. Por shtëpia më e dobët është pikërisht rrjeta e merimangës. Veç sikur ta dinin ata!”[12]

“Veç sikur ta dinin ata” rëndësinë e afërsisë, mëshirës, dashurisë, qetësisë, sigurisë, sinqeritetit, ndihmës, respektit dhe devotshmërisë!

“Veç sikur ta dinin ata” rrezikun e ftohjes dhe humbjes së marrëdhënieve të mira mes burrit dhe gruas, mes fëmijës dhe prindit, mes familjes në përgjithësi dhe komshiut!

“Veç sikur ta dinin ata”, ka kuptimin të kenë dije, por për të marrë dije duhet patjetër mësim, sinqeritet, ndihmë për durim dhe namaz.

“Veç sikur ta dinin ata” rëndësinë e përgjegjësisë që i takon burrit në shtëpinë e muslimanit, nëse me të vërtetë burri është në gjendje të kuptojë përgjegjësinë, që është përgjegjësia e kujdesit, furnizimit, mbrojtjes, marrëdhënieve të mira, qofshin ato emocionale apo shpirtërore ndaj prindërve, gruas, fëmijës dhe të gjithëve që jetojnë me ta.

“Veç sikur ta dinin ata” se prishja e programit familjar islam e kthen shtëpinë e muslimanit në shtëpi merimange, ku prindi e përzë fëmijën nga shtëpia vetëm pse praktikon Islamin, e nënvlerëson vajzën e vet vetëm pse ajo ka vënë mbulesën islame, ku fëmija vret nënën dhe babanë, ku vajza del nga shtëpia për shkak të presionit nga prindi, ku gruaja ndahet nga burri sepse nuk praktikon Islamin dhe e pengon atë të mbulohet, e shumë probleme të tjera të jetës së përditshme.

Kush dëshiron që shtëpia e tij të jetë si ajo e merimangës?!

Kush dëshiron që shtëpia e tij të jetë e brishtë në marrëdhëniet mes anëtarëve të saj?!

Kush dëshiron që në shtëpinë e tij të mungojë qetësia dhe siguria?!

Shtëpia e muslimanit duhet të jetë shtëpia që bazohet te respekti ndaj Allahut, frikë ndaj Tij, dashuria dhe mëshirë, vendi ku bashkohen dashuria dhe mëshira dhe janë si një pemë e ujitur me ngrohtësi e dashamirësi, ku trupi është lart dhe rrënjët thellë në tokë. Ky trup është i palëkundur, plot gjethe, me erë të këndshme, me lule shumëngjyrëshe, me fryte të këndshme për shikuesit, të cilëve u shton dashuri, frikë respekt, sinqeritet dhe bamirësi.

Kujdes! Shtëpia jote nuk duhet të marrë mësim nga “Shtëpia e Sfidës”, e cila sjell degjenerim, injorancë dhe mallkim, shtëpi me të cilën Allahu është i hidhëruar, shtëpi që na kthen mbrapa me një kulturë të ulët dhe larg modelit të popullit tonë, shtëpi ku përdhoset çdo vlerë njerëzore, ku më shumë përdoret alkool se ujë. A duhet të jetë kjo shtëpi model për rininë tonë dhe familjet tona?!

Unejs MURATI

___________

[1] En Nisa: 59

[2] El Isra: 24

[3] El Hashr: 9

[4] Et Tahrim: 6

[5] En Nisa: 19

[6] Buhariu dhe Muslimi.

[7] El Isra: 23

[8] Buhariu dhe  Muslimi.

[9] Buhariu dhe Muslimi.

[10] Buhariu dhe Muslimi.

[11] En Nisa: 7

[12] Ankebut: 41

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here