SHKAQET QË I RIU MUSLIMAN TË KETË SUKSES

0
245

Halid Su’ud El-Bulejhid
Falënderimi i takon Allahut az-ze ve xhel-leh, ndërsa përshëndetjet ia dërgojmë Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
Çdo i ri musliman ka ambicie në jetën e tij dhe synon të ketë sukses në shoqëri, që të realizojë aspiratat dhe ëndrrat e veta. Kjo është normale nga natyra e njeriut, mirëpo arena e kësaj bote e përball njeriun me pengesa e vështirësi që pengojnë realizimin e asaj që ai kërkon. Kjo botë është plot probleme dhe vështirësi, siç thotë i Lartësuari: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në vështirësi të njëpasnjëshme.”[1] Kështu që i riu has vazhdimisht në vështirësi dhe ngushtica të kësaj bote.
Njeriu mund të arrijë (pasuri, pozitë…) në këtë botë duke qenë refuzues i botës tjetër, siç janë jobesimtarët, mirëpo kjo botë nuk ka lëvdata e as merita, ngase pasuesi i saj në fund do të jetë në shkatërrim dhe zjarr në Ditën e Kiametit, atë e ka shpejtuar kjo botë në mënyrë graduale, kurse shpëtimi, lavdërimi në arritjen e pasurisë, dhe arritjen e pozitës dhe postit për njeriun janë në bindje dhe nënshtrim ndaj Mëshiruesit, plotësimit të besimit, e biseda jonë do të jetë rreth kësaj.
Ajo që të bën të ndihesh keq në këtë kohë është kur sheh të rinjtë jobesimtarë që realizojnë të mirat e kësaj bote dhe të gjitha planet e tyre, kurse shumë të rinj muslimanë argëtohen në epshet e tyre, të pavëmendshëm ndaj realizimit të forcës dhe udhëheqjes së popullit, duke humbur mundësi të çmuara.
Ka faktorë dhe shkaqe që nëse i riu i zbaton dhe punon në bazë të tyre, me lejen e Allahut do të jenë ndihmëse për shpëtimin në këtë botë, qoftë në punë shtetërore apo private. Vëlla musliman, përmbaju këtyre këshillave që të jesh i suksesshëm në jetën tënde:
1– Mbështetja në Allahun az-ze ve xhel-leh, mendimi i mirë për Të, lidhja e zemrës me mëshirën e Tij. I riu që i mbështetet Allahut në sigurimin e furnizimit e di se Furnizues dhe Dhurues është Allahu az-ze ve xhel-leh, se Allahu ia hap dyert e furnizimit dhe e furnizon nga nuk e mendon fare. I Lartësuari thotë: “Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij.”[2] Gjithashtu Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Sikur ju t’i mbështeteni Allahut përnjëmend në çdo gjë, Ai do t’ju furnizojë ju siç e furnizon shpendin (zogun). Shkon i uritur (në mëngjes), kurse kthehet i ngopur (në mbrëmje).”[3]
Vëlla i ri, mbështetu tek Allahu që të kesh sukses në jetën tënde, e kurrsesi mos u mbështet tek mençuria jote, përpjekja dhe pasuria, se nëse vepron kështu, ke dështuar, ngase Allahu do të largohet prej teje.
2- Kujdesi në faljen e pesë kohëve të namazit në kohën e tyre, ngase namazi është çelësi i të gjitha të mirave, sjellës i çdo mirësie në jetën e muslimanit, nga shkaqet më të mëdha është bereqeti në kohë, në jete dhe në rini. I Lartësuari thotë: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.” (Ta Ha: 132). Kush kujdeset për namazet, do të gjejë ndikim të madh gjatë jetës së tij. Namazi programon kohën e të riut dhe bën që ta shfrytëzojë atë në gjëra të dobishme që e ndihmojnë në suksesin dhe pasurinë e tij, prandaj kujdesu për namazin tënd për të pasur sukses në fenë tënde dhe në këtë botë.
3- Kujdesi në lutjet drejtuar Allahut, të Mëshirshmit, Furnizuesit, dhe ndërmjetësimi tek Ai me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta. Lutja është nga shkaqet më të mëdha që sjell furnizimin dhe largon vështirësitë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem bënte lutje rregullisht. Enesi radijAllahu anhu thotë: “Lutja që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thoshte më shumë ishte: “Zoti ynë! Na jep të mira në këtë botë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit në zjarr.”[4]
Selefët, të parët tanë të mirë, i luteshin Allahut az-ze ve xhel-leh për çdo gjë, madje edhe për ushqimin e bagëtive dhe kripën për ushqim. Lute Allahun tënd për çdo gjë që ke nevojë, kërko ndihmë nga Ai, se do të shpëtosh dhe do të kesh sukses.
4- Respektimi i prindërve dhe bamirësia ndaj tyre me fjalë dhe vepra, përpjekja për t’ia plotësuar dëshirat dhe kërkesat, nderimi me një nderim të veçantë sidomos kur shtyhen në moshë, ngase respektimi i tyre është nga shkaqet më të mëdha që sjell bereqet dhe të mira në jetën e të riut. Lutja e tyre është nga shkaqet më të mëdha që të jep sukses si dhe largon zemërimin dhe fatkeqësinë. Kush e kënaq Allahun az-ze ve xhel-leh përmes prindërve, Allahu az-ze ve xhel-leh do të jetë i kënaqur me të dhe ia lehtëson të gjitha rrugët. Atëherë kujdesu për ta, jep mund për t’i kënaqur ata që të kesh bereqet në pasurinë, familjen dhe synimet e tua.
5- Kërkimfalja e vazhdueshme, shpeshtimi i tevbes (pendimit) dhe i përmendjes së Allahut, ngase kërkimfalja e të riut musliman sjell të mira, hap dyert e furnizimit (rrizkut) dhe mbi të zbrit mëshira, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Unë u thashë: Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë, Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurin dhe fëmijët, ju bënë të keni kopshte dhe ju jep lumenj.”[5]
Ebu Davudi në “Sunenin” e tij transmeton se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush bie istigfar (kërkon falje) pa ndërprerë, Allahu do t’i bëjë zgjedhje për çdo pikëllim, do t’i japë rrugëdalje nga çdo situatë dhe do ta furnizojë nga nuk e mendon fare.”[6]
O rini! Mos iu shmangni kërkimit të faljes çdo ditë, do të keni rezultate në projektet tuaja.
6- Dhënia lëmoshë të varfërve dhe nevojtarëve në bazë të mundësive që ke, qoftë kjo me ndërmjetësim, këshillë apo largim brenge, ngase lëmosha ka ndikim të madh në shtimin e pasurisë dhe shlyerjen e borxhit. Kush u bën mirë të tjerëve, Allahu az-ze ve xhel-leh i bën mirë atij. Allahu az-ze ve xhel-leh thotë: “E çka do që jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është Dhuruesi më i mirë.”[7] Gjithashtu hadithi kudsij thotë: “O biri i Ademit ti jep, Unë do të jap ty…” Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Nuk ka ditë që gdhin njeriu, vetëm se dy melekë zbresin (në tokë). Njëri prej tyre thotë: “O Allah, jepi atij që jep”, e tjetri thotë: “O Allah, mos i jep atij që nuk jep.”[8] O besimtar i ri, kujdesu gjithnjë që të japësh lëmosh, sado pak, që të kesh bereqet në synimet e tua dhe të kesh sukses në të ardhmen.
7- Planifikimi dhe vizioni për të ardhmen, vendosja e qëllimeve të qarta dhe afatshkurtra sipas çdo periudhe. Kjo është nga shkaqet kryesore për të pasur sukses në të ardhmen. Duhet që planet t’u përshtaten aftësive dhe kushteve që e rrethojnë të riun. Fillimisht i riu fillon të përqendrohet në studimet që e veçojnë atë, pastaj fillon me ndonjë projekt të vogël derisa ta gjejë veten në një fushë të caktuar.
8- Nga shkaqet më madhështore të suksesit është aktiviteti dhe përpjekja për të arritur furnizimin, mosmbështetja në përtaci, në lëvdatat e të parëve tanë dhe në përfitimet e të tjerëve. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët dhe te çdonjëri ka hajr. Kujdesu për atë që të bën dobi, kërko ndihmë nga Allahu e mos u bëj pesimist. Nëse të godet ndonjë gjë mos thuaj: “Sikur të veproja kështu do të ndodhte kështu”, por thuaj: “Ky është caktimi Allahu, çfarë Ai dëshiron bën.” Vërtet fjala “sikur” hap punën e shejtanit”.[9] Si të kesh sukses gjatë jetës tënde kur tërë kohën e kalon me shokë në gjëra të kota, i kalon pushimet kot dhe humb mundësi të rëndësishme?!
9- Kujdesu që të konsultohesh me njerëz të mençur që kanë përvojë në çështjet e tregtisë dhe ideve të suksesshme që i përshtaten buxhetit dhe aftësive të tua. I riu duhet të konsultohet me prindërit e tij për zgjedhjen e profesionit apo punës që i përshtatet, ngase mendimi i prindit është i ndërtuar mbi baza të mëshirës dhe këshillës. Kurrsesi mos u mashtro që të marrësh vendim me mendjen tënde dhe të vendosësh duke menduar se logjika jote të dërgon në shkallën më të lartë, ngase mendimi i një njeriu të vetëm është i ngushtë, nuk i përmbledh të gjitha fushat, kurse moskonsultimi është argument për mangësi të mendjes dhe shkurtpamësi.
10- Kujdes! Mos qëndro me njerëz që e kalojnë kohën kot dhe ndjekin programe të ndyra, të cilat të marrin kohë dhe mund. Papunësia është nga punët e këqija dhe i riu i papunë nuk do të ketë sukses kurrë, edhe nëse posedon pasuri. Belaja më e madhe tek i riu është kalimi i kohës pa dobi. Kujdesu të vendosësh program për argëtim në kohë të caktuar, që nuk të pengon në projektet e tua.
11- Vëlla i ri, kujdes! Ruaju nga sprovat, kurthet e shejtanit, kontaktet me gra, konsumimi i alkoolit dhe vese të tjera të liga, ngase përfshirja në këto mëkate dhe varshmëria ndaj tyre shkatërron planifikimin tënd dhe humb pasurinë, siç është e ditur për të gjithë. Sa të rinj kanë arritur sukses dhe kanë realizuar ëndrrat e tyre, pastaj janë sprovuar, kanë dështuar dhe kanë humbur rininë, u janë thyer ëndrrat dhe kanë humbur shumë mundësi! Nëse bie në ndonjë sprovë të shejtanit, qëndro i vendosur në vetvete, largohu nga pasuesit e fitneve dhe mos e tolero këtë gjë asnjëherë. Argëtohu në gjëra të lejuara, që janë të pastra nga harami, në to ka mjaftueshmëri dhe s’ke pse të shkosh pas haramit. Kjo është kënaqësi e pastër për të cilën dhe do të shpërblehesh.
Vëlla i dashur, këto ishin disa këshilla dhe udhëzime për të pasur sukses në këtë botë. Kujdesu që t’i kuptosh ato dhe t’i praktikosh gjatë jetës tënde, e mos na harro nga lutjet e tua. E lus Allahun e Madhëruar që t’u japë sukses të gjithë të rinjve muslimanë dhe t’i bëjë ata superiorë mbi të gjithë popujt e tjerë!
Përshtati: Fehmi Dalipi
__________________________
[1] Kur’an, El-Beled: 4.
[2] Kur’an, Et-Talak: 3.
[3] Transmeton Ahmedi.
[4] Muttefekun alejhi .
[5] Kur’an, En-Nuh: 10-12.
[6] Transmeton Ebu Davudi.
[7] Kur’an, Es-Seb’e: 39.
[8] Muttefekun alejhi.
[9] Transmeton Muslimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here