SHKAQET QË NDIHMOJNË NË BRAKTISJEN E MËKATEVE

0
223

Shkaqet që ndihmojnë në braktisjen e mëkateve[1]
Durimi ndaj gjynahut mund të arrihet me shkaqe të ndryshme, prej të cilave përmendim:
1) Njohja e shëmtisë së mëkatit, poshtërsisë dhe ultësisë së tij, duke qenë të bindur se Allahu e ka ndaluar mëkatin për ta ruajtur dhe mbrojtur njeriun nga gjërat e ulëta dhe të pahijshme, ashtu siç e mbron prindi i dhembshur fëmijën e tij nga gjërat e dëmshme. Ky shkak e nxit njeriun e logjikshëm që ta braktisë mëkatin, edhe nëse nuk shoqërohet nga kërcënimi i dënimit.
2) Ndjesia e të pasurit turp nga Allahu. Kur njeriu bindet se Zoti e shikon dhe ka një pozitë të lartë mbi të, duke qenë i publikuar vizualisht dhe akustikisht para Atij që ka cilësinë e turpit, patjetër që duhet të ndiejë turp për të mos rrezikuar zemërimin e Tij.
3) Marrja në konsideratë e mirësive dhe begative që Allahu i jep robit të Tij, duke ditur se mëkatet i zhdukin mirësitë. Sa herë që njeriu mëkaton, eliminohet një mirësi në varësi të madhësisë së mëkatit dhe nëse pendohet, i kthehet ajo mirësi apo diçka e ngjashme. Por nëse këmbëngul në mëkatin e tij, ajo e mirë e larguar nuk i kthehet. Në këtë mënyrë, mëkatet vazhdojnë t`i largojnë të mirat e tij, saqë ndoshta ia largojnë të gjitha të mirat, duke mos harruar që e mira më e madhe e njeriut është besimi: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa të ndryshojnë vetet e tyre.”[2] P.sh. mëkati i zinasë, i vjedhjes, i pirjes së alkoolit, i grabitjes, i largojnë mirësitë e njeriut. Dikush nga selefët ka thënë: “Kam bërë një mëkat, ndaj m’u pengua namazi i natës për një vit radhazi.” Një tjetër ka thënë: “Kam bërë një mëkat dhe për atë më është penguar të kuptuarit e Kur’anit.”
Në lidhje me këtë është thënë poezia:
Nëse je në një mirësi mirëmbaje atë
sepse mëkatet i shuajnë mirësitë.
Pra, në konkluzion themi se mëkatet i djegin mirësitë ashtu si zjarri djeg drutë.
E lusim Allahun që të na ruajë nga zhdukja e mirësive dhe nga ndryshimi i selametit!
4) Ndrojtja nga Allahu dhe frika nga ndëshkimi i Tij, e cila arrihet me bindjen e vërtetë në premtimin e Allahut dhe në kërcënimin e Tij, duke besuar tek Allahu, tek libri i Tij dhe i Dërguari i Tij. Ky mjet forcohet në varësi të diturisë dhe jekinit, ashtu siç dobësohet me dobësimin e tyre. Allahu ka thënë: “Ata që më së shumti i frikësohen Allahut janë dijetarët.”[3] Dikush nga selefët ka thënë: “Mjafton frika e Allahut si dituri dhe mjafton mashtrimi i vetvetes kundrejt Allahut si injorancë.”
5) Dashuria për Allahun, duke qenë shkaku më i fortë në përmbajtjen e vetvetes nga kundërshtimi i Tij, sepse i dashuri i bindet të dashurit të tij. Sa më shumë forcohet pushteti i dashurisë në zemër, aq më shumë e kërkon bindjen dhe braktisjen e kundërshtimit. Mëkati dhe kundërshtimi ndodhin atëherë kur dobësohet dashuria dhe pushteti i saj. Ka dallim të madh ndërmjet personit që braktis kundërshtimin e zotërisë të tij nga frika e kamxhikut dhe atij që e braktis mëkatin nga dashuria për zotërinë e tij. Në lidhje me këtë, Umeri radijallahu anhu ka thënë: “Sa rob i mirë është Suhejbi, edhe nëse nuk do ta kishte frikë Allahun, nuk do ta kundërshtonte Atë.” D.m.th. edhe nëse do supozohej se nuk e ka frikë Allahun, në zemrën e tij kishte dashuri për Allahun dhe madhërim për Të, të cilat janë të mjaftueshme për ta frenuar nga gjynahu.
I dashuri i sinqertë e ndien në vetvete mbikëqyrjen e të dashurit të tij, e cila mbikëqyr zemrën dhe gjymtyrët e tij. Shenjë e çiltërsisë së dashurisë është ndjesia e kësaj mbikëqyrjeje dhe të pasurit e saj pranë. Këtu kemi një urtësi që ia vlen të theksohet: dashuria e thjeshtë, e thatë, nuk arrin të shkaktojë këtë ndikim për sa kohë që nuk shoqërohet me madhërimin e të dashurit, sepse nëse do shoqërohej me madhërim dhe vlerësim, kjo do shkaktonte detyrimisht turp dhe bindje. Ndërsa dashuria e thjeshtë, e zhveshur nga madhëromi, shkakton vetëm një lloj prehjeje, qetësimi dhe përmallimi, por ndryshon në gjurmët dhe ndikimet që lë pas. Njeriu e inspekton zemrën e tij dhe gjen në të një lloj dashurie për Allahun, por që nuk është e mjaftueshme për të braktisur mëkatin; shkak i kësaj është pikërisht zhveshja e kësaj dashurie nga madhërimi. Nuk ka gjë më të rëndësishme se përjetimi me zemër i kësaj dashurie të shoqëruar me madhërimin e Allahut. Kjo është nga dhuratat më të mëdha të Allahut për robin e Tij. Kjo është mirësia e Allahut që ia jep kujt të dojë.
6) Fisnikëria e shpirtit, vlera, pastërtia dhe krenaria e tij qëndron në përzgjedhjen e veprimeve duke iu larguar shkaqeve që e ulin personalitetin, fisnikërinë, vlerën e tij dhe e bëjnë të ngjashëm apo të krahasueshëm me njerëzit e ulët.
7) Njohuria e thellë në lidhje me përfundimin e keq të mëkatit, me gjurmët e shëmtuara që lë pas dhe dëmin që shkakton, si: nxirja e çehres, errësimi i zemrës, ngushtimi dhe stresimi i saj, dhembja dhe pikëllimi, çoroditja dhe hallakatja, dobësimi në përballjen me armikun (shejtanin, etj.), zhveshja nga stolisja, dilema në zgjedhje, braktisja që i bëhet nga Mbrojtësi dhe Përkrahësi. Prej mëkatit i afrohet armiku i përbetuar, i fshihet dituria për të cilën ai ishte i përgatitur, harron ato që di ose së paku i dobësohet memoria, rrezikon të sëmuret në mënyrë të pashpresë sepse mëkatet e vdesin zemrën, poshtërohet pasi ishte krenar, robërohet nga armiqtë e tij pasi ishte zotërues i lirë prej të cilit trembeshin armiqtë, i dobësohet kontrolli mbi ata që ka nën posedim, nuk e shtrin dot më tej sundimin e tij, i këmbehet siguria me frikë sepse njerëzit më të frikësuar janë ata që bëjnë më shumë mëkate, i këmbehet prehja me vetmi, sa më shumë mëkaton aq më i vetmuar ndihet, i këmbehet kënaqësia me zemërim, i këmbehet qetësimi, siguria, strehimi me përzënie dhe largim, bie në pusin e pikëllimeve, duke ngelur gjithmonë i brengosur, sa herë që shijon një kënaqësi tundohet nga një tjetër që nuk e arrin dot dhe pa dyshim ato që nuk i arrin janë shumë më tepër sesa ato që ka mundësi t`i kryejë. Sa më shumë i shtohet tundimi dhe pafuqia për ta përmbushur atë, aq më shumë i shtohet brengosja dhe pikëllimi. Sa zjarr i rrezikshëm dhe dënues është ky lloj zjarri para se të ndëshkohet me zjarrin e Allahut, që është i ndezur fort dhe arrin deri në zemra. Nga pasojat e mëkatit është varfërimi pas pasurisë shpirtërore, sepse ai ishte i pasur me kapitalin e besimit, duke e investuar dhe fituar me të përfitime dhe shpërblime të shumta. Ndaj nëse humbet kapitalin e pasurisë së tij, shndërrohet në një të varfër të gjorë. Pra, ose do përpiqet që ta rikuperojë kapitalin e tij me pendim të pastër, me përpjekje serioze dhe angazhim ose përndryshe i ka humbur fitimet e mëdha së bashku me kapitalin e tij. Mëkati e pakëson furnizimin dhe njeriut i ndalohet risku për shkak të mëkatit. Mëkati dobëson trupin dhe shëndetin e njeriut. Ia humb njeriut autoritetin dhe ëmbëlsinë e çehres, të cilën e fitoi me adhurime, duke ia këmbyer me poshtërim dhe përçmim. Mëkati e bën njeriun të urryer te njerëzit dhe e ftoh me ta. Ia humb gjënë më të çmuar, më të vlefshme dhe të parikuperueshme: kohën. Mëkati e bën armikun (shejtanin) që ta lakmojë dhe synojë atë, madje edhe ta mposhtë , sepse kur e sheh që u bindet dëshirave me të cilat kundërshtari e urdhëron, i shtohet lakmia dhe e mendon seriozisht pushtimin dhe rrënimin e tij, duke e konvertuar në pasues të tij, që të jetë ai kujdestari mbrojtës për të dhe jo Allahu, mbrojtësi dhe kujdestari i vërtetë. Mëkati nxin dhe vulos zemrën. Sa herë që njeriu mëkaton, i shënohet një pikë e zezë në zemrën e tij, por nëse pendohet, i pastrohet zemra. E nëse mëkaton përsëri, i shënohet një tjetër pikë e zezë dhe vazhdon në këtë linjë derisa mëkatet i mbulojnë zemrën. Kjo është er-ran (nxirje dhe kllaposje e zemrës). Allahu ka thënë: “Zemrat e tyre janë nxirë për shkak të veprave që bënin.”[4] Mëkati sjell humbjen e ëmbëlsisë së adhurimit, ndaj kur njeriu e kryen atë, nuk ia ndien gjurmët e dëshiruara: ëmbëlsinë, forcën, shtimin e besimit, të logjikuarit, lakmimin e botës tjetër, ndërkohë që adhurimi i mbjell në zemër këto ndjenja patjetër. Mëkati e pengon zemrën nga shkëputja prej kësaj dunjaje duke mos e dëshiruar zbritjen në mejdanin e gjykimit. Zemra vazhdon të jetë e çoroditur, e përhumbur, derisa papritmas transferohet nga kjo dunja dhe mbërrin në ahiret, ndërsa nëse zemra transferohet paraprakisht shpirtërisht në botën tjetër, e mirëpresin flladet e suksesit dhe të përkujdesjes nga çdo anë, i përmblidhen çështjet dhe është i përqendruar, e kryen qëllimin e tij dhe e përgatit furnizimin e nevojshëm për në Ditën e Ringjalljes. Prandaj për sa kohë që nuk transferohet me shpirtin e tij në ndjesinë e botës tjetër, atëherë do përjetojë lodhje, çoroditje, përtaci, mungesë angazhimi, pasoja të pashmangshme. Mëkati shkakton braktisjen e njeriut nga Allahu, nga engjëjt dhe nga robërit e mirë. Nëse njeriu e braktis adhurimin e Allahut dhe angazhohet me mëkatet, atëherë ndëshkohet me braktisjen e Allahut, me braktisjen e engjëjve dhe njerëzve të mirë .E kundërta ndodh nëse njeriu i drejtohet Allahut, atëherë edhe Allahu i kushton atij përkujdesje dhe i bën zemrat e njerëzve që të kthehen nga ai person. Mëkati thërret nga pas një mëkat tjetër, duke forcuar njëri-tjetrin dhe më pas thërrasin një të tretë, e më pas një të katërt e kështu me radhë duke u mbuluar nga mëkatet dhe duke e rrethuar të këqijat e tij nga të gjitha anët.
Dikush nga selefët ka thënë: “Nga shpërblimi për veprën e mirë është suksesi për një tjetër vepër të mirë pas saj, ashtu si nga ndëshkimi për të keqen është veprimi i një tjetër të keqeje.” Nga pasojat e mëkatit është humbja e gjërave më të dashura dhe më të mira sesa kënaqësia e atij mëkati, sepse Allahu e ka bërë ligj që të mos i mundësojë njeriut të shijojë kënaqësitë e të ndaluarave në dunja dhe kënaqësitë e ahiretit, siç thotë i Lartësuari: “Dita në të cilën jobesimtarët do i paraqiten zjarrit dhe u thuhet: Ju i keni shpenzuar të mirat tuaja në dunja dhe i shijuat ato.”[5] Ndërsa besimtari nuk i konsumon të gjitha kënaqësitë e tij në dunja, përkundrazi lë një pjesë të mirë të tyre për në botën tjetër. Ndërsa jobesimtari, i cili nuk beson në botën tjetër, është shumë i përkushtuar që të shijojë të gjithë pjesën e tij në këtë dunja me të gjitha kënaqësitë .
Njeriu duhet të jetë i bindur se veprat e tij janë furnizimi për botën tjetër dhe mënyra për amshueshmërinë në vendbanimin e amshueshëm, e nëse furnizohet me mëkate, kjo do ta çojë në vendbanimin e mëkatarëve dhe kriminelëve, por nëse furnizohet me adhurime, do përfundojë në vendbanimin e të bindurve të Allahut dhe të atyre për të cilët ai kujdeset.
Njeriu duhet të jetë i bindur se shoqëruesi i tij në varr është vepra e tij, atë ka mbrojtës, mik që i shkakton prehje, ndërmjetësues te Zoti i tij, polemizues dhe debatues në vend të tij, ndaj nëse do, le ta ketë me vete këtë shoqërues ose nëse do të kundërtën, le ta kthejë atë kundra vetes. Njeriu duhet të jetë i bindur se veprat e mira e ngrenë lart, e lartësojnë drejt Allahut dhe në varësi të lidhjes së tij me adhurimin do të jetë dhe ngjitja e tij. Nga ana tjetër, veprat e këqija e ulin njeriun dhe e tërheqin drejt humnerës, e tërheqin që të bëjë pjesë në radhët e njerëzve më të ulët dhe në varësi të lidhjes së tij me ato vepra është dhe niveli i zbritjes. Allahu ka thënë: “Tek Ai ngjitet fjala e mirë dhe i ngre lart veprat e mira.”[6]
Dhe thotë: “Ata që përgënjeshtruan argumentet tona dhe u treguan arrogantë ndaj tyre, nuk u hapen portat e qiellit.”[7] Pra, përderisa nuk u hapën portat e qiellit për veprat e tyre, po ashtu nuk u hapen as për shpirtrat e tyre pasi ndahen nga kjo dunja.
Besimtarët, veprues të veprave të mira, i kanë të hapura portat e qiellit për të pritur veprat e tyre të mira që të arrijnë tek Allahu, ndaj janë të hapura për shpirtrat e tyre ashtu që të arrijnë tek Ai dhe të qëndrojnë para Tij, Ai i mëshiron dhe urdhëron që emrat e tyre të shkruhen në Ilijjin.
Mëkati e bën njeriun që të dalë jashtë fortifikatës së Allahut, në të cilën nuk humbet kurrë, ndërsa duke mëkatuar del nga kjo fortifikatë duke u bërë pre e hajdutëve, kusarëve dhe grabitësve. E ç’mund të pritet për dikë që del nga fortifikata mbrojtëse, ku nuk e prekte asgjë e keqe dhe ekspozohet në shkretëtirën e frikshme, e cila është vetëm strehë e hajdutëve dhe kusarëve? Si mendoni, a do i lënë gjë pa grabitur?!
Mëkati shkakton zhdukjen e bereqetit, në çdo gjë, qoftë nga të dunjasë apo ahiretit, sepse ashtu siç adhurimi sjell bereqet në çdo gjë, ashtu dhe mëkati zhduk çdo bereqet.
Pasojat e shëmtuara të mëkateve janë më të shumta se ç’mund të arrijmë t’i identifikojmë ashtu si ndikimet e mira të adhurimeve janë më të shumta se ç’mund të arrijmë t`i përmbledhim. Çdo e mirë e dunjasë dhe e ahiretit qëndron në bindjen ndaj Allahut, ndërsa e gjithë e keqja e dunjasë dhe ahiretit qëndron në mëkatimin ndaj Tij. Në disa transmetime të haditheve kudsijeh thuhet: “Kush është ai që m’u bind Mua dhe përfundoi fatkeq apo kush është ai i cili më kundërshtoi Mua dhe u lumturua?!”
8) Shkurtimi i shpresave dhe bindja se së shpejti do transferohet nga kjo dunja është si një udhëtar që hyri në një fshat duke qenë i vendosur se pas pak kohe do largohet nga aty ose si një udhëtar i cili qëndroi nën hijen e një peme derisa pushoi dhe më pas u nis përsëri duke e lënë pas atë hije. Pra, duke qenë i bindur për kohën e shkurtër të qëndrimit të tij dhe afatin e transferimit, njeriu do përpiqet të braktisë çdo gjë e cila e rëndon në këtë udhëtim të tijin apo e dëmton ose më së paku nuk i bën dobi. Ai i kushton rëndësi transferimit në mënyrën më të mirë të mundshme me kushtet që ka. Nuk ka gjë më të dobishme për njeriun sesa kufizimi i shpresave dhe nuk ka gjë më të dëmshme sesa lënia e gjërave për më vonë dhe shpresat e gjata mashtruese.
9) Shmangia e teprimit në ushqim, pije, veshje, fjetje, shoqërim me njerëzit, sepse ftesa për në mëkate buron pikërisht nga tepricat e këtyre faktorëve, të cilët kërkojnë rrugëdalje dhe shkarkim; duke u ngushtuar rrugët e së lejuarës, kalohet tek e ndaluara. Nga faktorët më të dëmshëm në këtë aspekt është koha e lirë dhe mosangazhimi me diçka të dobishme (dunjaje apo ahireti) sepse shpirti i njeriut nuk e pranon zbrazëtinë; nëse nuk e angazhon me diçka të dobishme, atëherë vetangazhohet me atë që është e dëmshme.
10) Shkaku i fundit, i cili është njëkohësisht përmbledhësi i gjithë shkaqeve, është rrënjosja dhe qëndrueshmëria e pemës së besimit në zemër. Durimi i njeriut kundrejt mëkateve është në varësi të forcës së besimit, sa më i fortë të jetë besimi i tij, aq më i plotë është durimi i tij dhe sa më shumë që dobësohet besimi, aq më shumë dobësohet durimi. Kush e përjeton besimin me mbikëqyrjen e Allahut, duke iu larguar të ndaluarave dhe duke i urryer ato dhe vepruesin e tyre, kush e përjeton besimin me shpresë në shpërblim dhe në xhennet si dhe duke iu frikësuar ndëshkimit dhe zjarrit, pa dyshim që do të frenohet dhe kjo dituri që buron nga besimi do t’i shërbejë. Kush mendon se mund të jetë i fortë në braktisjen e mëkateve pa pasur besimin e rrënjosur në zemër, e ka gabim. Sa më shumë forcohet kandili ndriçues i besimit në zemër dhe ia ndriçon të gjitha anët, aq më shumë shpërthen drita. Ajo është një dritë e cila përçohet te gjymtyrët duke i gjallëruar ato dhe duke e përshpejtuar përgjigjen e tyre ndaj thirrjes së besimit, së cilës njeriu i dorëzohet me bindje, nënshtrim, pa kurrfarë rëndese apo pakënaqësie, i kënaqur dhe i gëzuar me këtë thirrje, ashtu si gëzohet i dashuri me thirrjen e të dashurit të tij bamirëse e nderues. Pa dyshim që në këtë situatë ky njeri e mirëpret thirrjen në çdo kohë dhe është i gatshëm që t`i përgjigjet me besnikëri. Allahu përzgjedh me mëshirën e Tij kë të dojë, vërtet Allahu është dhurues i pamasë i mirësive.

Marrë nga www.sahab.net
Përshtati: Shuajb Rexha
[1] Nga thëniet e imamit Ibnu Kajjimil Xhevzijeh në librin e tij “Tarikatul hixhratejn dhe babus-seadetejn”
[2] Er-Rad: 11
[3] Fatir: 28
[4] El Mutafifin: 14
[5] El Ahkaf: 20
[6] Fatir: 10
[7] El A’raf: 40

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here