Publicistja e njohur Kimete Berisha preket dhe loton nga ligjerata e Elvis Naçit

Statusi i Plote:
Elvis Naçi m’shtini me kajt!

Ndoshta ata kanë kënduar gjithmonë, por unë nuk i kam dëgjuar.
Përditë e kam hapur dritaren, puna e parë pasi jam zgjuar herët në mëngjes, ama vetëm sot i pashë grumbull para ballkonit tim, të tubuar rreth pemës së kajsisë, dhe duke e kënduar me zë të lartë këngën e tyre të bukur, e vetmja këngë në botë që anipse është ajo e njejta prej se u krijua zogu nën këtë qiell, edhe pse kënga nuk ndryshon, nuk bëhet e mërzitshme.

Edhe kjo ditë vjeshte do të jetë një ditë pranvere. Do të lexoj pak lajme, do të shikoj pak TV, do të dal të ecë, do ta ngas bicikletën dhe do të mendoj.

Do të mendoja pak edhe për kryetarin e Hanit të Elezit. Një njeri i thjeshtë, i njerëzishëm, i urtë, i suksesshëm, që qytetarët e bëjnë kryetar pa e pyetur, që nuk bën fushatë, që nuk e reklamon punën e tij, që e falë sabahun para se të shkojë në punë, që shkon në punë para rojtarëve, që vishet si populli, që gëzon dhe vuan me secilin qytetar veç e veç, dhe, kot, askush nuk e merr për model, nuk e kopjon stilin dhe mënyrën e tij natyrore dhe spontane për të qenë edhe i mirë edhe i suksesshëm në të njejtën kohë.

Pra, ky njeri është shqiptar, dhe është fakt i gjallë që dëshmon se në këtë botë të errët është e mundur të jesh ‘i ndershëm dhe i suksesshëm në të njejtën kohë’.

Duke lexuar për ‘kompleksin’ e Ramushit për të dalë nga Kosova e për të marrë pjesë në takime rajonale e ndërkombëtare, dhe duke menduar në mos ka drojë se e arrestojnë përsëri, apo se nuk ndjehet rehat në ‘vend të huaj’, nuk e di gjuhën angleze, apo ku me ditē çfarë kompleksi tjetër mund të ketë që as në samitin e Shkupit nuk shkon vet por e çon zëvendësin e tij Behgjet Pacollin…
Në këto lexime, u ktheva dhe e mata orën me postimin e mëngjesit të Kryeministrit shqiptar.

Kur Edi Rama u uron njerëzve ‘mirëmëngjes’, e di se u bë ora 8:00.
A e ka kopjuar Kantin, s’di se ky e ‘njeh’ vetëm Volterin. Immanuel Kant, gjatë kohës së ligjeratave, kur dilte nga shtëpia, njerëzit kur e shihnin, e dinin se ora e saktë është 8:00. Pra, e matnin kohën me Kantin.

Ka shumë ngjashmëri mes Edi Ramës dhe Immanuel Kantit, përveç kur bëhet fjalë për femra, Kanti edhe pse ishte aseksual, i njihte më shumë femrat sesa Edi Rama.

Pastaj u ktheva në portale, derisa po pija kafenë turke dhe po ‘shminkohesha’ për punë, lexova për Elvis Naçin se si kishte qenë në Prishtinē mysafir në një shoë humoristik.
E paragjykova vlerën e asaj interviste shkaku i humorit me ‘killë’ që praktikohet aty, prandaj hyra në faqen e tij të Facebook-ut (që s’hyjë kurrë).

Postimi i parë më ra në sy video ‘Lutja e cila largon çdo vështirësi’.

Njëherë mirë e ndjeva veten, më pëlqente qetësia dhe mirësia e ligjeratēs së hoxhës, duke e dëgjuar e kuptova se sa shumë jam larguar nga dashuria, o Zot, sa moti s’kam qenë në Mitrovicë, më mori malli për të gjitha dashuritë…

Nuk kisha menduar ndonjëherë se Elvis Naçi mundet me më t’shti me kajt.

Ku me ditë sa kush qan nga veprimet tona në këtë moment, si për të mirë, si për të keq, e ne nuk e dimë.
Zot, falna.

Mua më pëlqenë simbolet. Shumë. Dhe aq shumë më pëlqejnë, sa mërzitem kur dikush nuk ua di kuptimin dhe i interpreton gabim, vetëm sa për t’u dukur misterioz.

Si për shembull Zakja, në një pikturë të saj, e kishte vizatuar yllin e davidit nën ‘emrin e djallit’ ‘unë jam 666’.

S’doja të besoja se sipas saj Izraeli është ‘djalli’, doja ta besoja se ajo nuk i di kuptimet e simboleve. Shyqyr që s’kemi kritikë kurrëfare, dhe s’na merr kush seriozisht, se sikur ajo pikturë të ekspozohej në galeritë evropiane, do të bëhej ‘nami’.
Në temë jam, për simbolet,

Unë e kam blerë një hallhalle me rruaza të bardha, që në mes e ka një kryq ‘pembe’. Nuk jam e krishtere, por më pëlqen simboli i kryqit, dhe derisa Elvisi më bëri të qaj, hallhallen e kisha në dorë. Do të mumd të isha duke pirë birra me Jezusin, por prap do të qaja nga fjala e urtë hoxhës, që thërret në paqe dhe mirësi, në dashuri dhe mëshirë.

Kurrë nuk e dimë nga vjen e mira dhe dashuria.
Nuk e dimë ku është hajri. Prandaj, Zotin duhet ta kërkojmë gjithkund, sidomos aty ku s’na shkon shkon mendja se mund ta gjejmë.

Kur dola nga shtëpia, me përcjelljen e këngëve të zogjve dhe vajin e bukur ‘dhuratë’ nga Elvis Naçi, u afrova te vetura dhe e pashë një ‘emoji’ të djallit që dikush e kishte ngjitur në anën e shoferit, në qoshin e xhamit, aty ku nuk pengon.

Nuk u tuta, as nuk m’u qesh, por shikova në qiell, e pyta: unë ‘djalli’?, unë që edhe turshitë kur më vijnë të mira i falenderohem Zotit…që e puthi bukën para se ta ha…
Dhe kështu, e shtyva frikën për një ditë tjetër dhe u mundova ta them lutjen për të cilën e kishte fjalën Elvis Naçi, që tha se ‘largon çdo vështirësi’, por nuk m’u kujtua.

Sepse, profeti Muhamed kur kishte filluar t’ua tregonte njerëzve ‘lutjen e cila largon çdo vështirësi’, në ato çaste, një njeri në hall i ishte afruar, e kishte kapur për dore, ‘të lutem ndihmomë, jam në hall’ i kishte thënë, dhe kështu, profeti kishte shkuar ta ta ndihmuar një njeri në hall, dhe kishte mbetur pa e thënë ‘lutjen magjike’ që do ta shpëtonte njerëzimin.

Leave a Reply