Pse dhe si mbeti të thirret ezani?

0
541

Pyetje: Kush e urdhëroi dhënien e ezanit dhe prej kur filloi të praktikohet dhënia e ezanit?
Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…
Ezani është një nga adhurimet e Islamit ndërsa çdo adhurim në Fe është i urdhëruar nga Allahu i Madhërishëm, ndonjëherë nëpërmjet fjalëve të Tij në Kuran e ndonjëherë nëpërmjet fjalëve apo veprës së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam.
Dikush nga njerëzit ka thënë se ezani ka filluar të recitohet që nga Ademi, alejhi selam, të tjerë që nga Ibrahimi, alejhi selam, mirëpo për asnjërën nga këto nuk ka argument.
Ezani filloi në kohën e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, në Medinë ja kështu:
Nafiu përcjellë se Ibën Omeri, radijallahu anhu, tregonte: Kur muslimanët erdhën në Medinë, tuboheshin dhe thirrnin njëri-tjetrin për namaz por pa ndonjë thirrje të veçantë. Një ditë folën rreth kësaj, disa thanë: ta marrim kambanën siç e kanë të krishterët; të tjerë thanë: jo, le të marrim pipëz siç çifutët kanë bririn; Omeri tha: Pse nuk i thoni ndonjërit që t’i thërret njerëzit në namaz? Atëherë, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: O Bilal, çohu dhe thirr në namaz! (Buhariu nr. 569).
Në transmetim tjetër që e shënon Ebu Davudi (nr. 499) Abdullah ibën Zejdi, radijallahu anhu, thotë: Kur Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, porositi të ndreqet një kambanë që do t’i mëshohet për t’i tubuar njerëzit në namaz, mua, derisa isha në gjumë më erdhi një njeri që në dorë kishte kambanë, e unë i thash: o rob i Zotit! A ma shet kambanën?
Ç’do të bësh me të? – ma ktheu ai.
Me të do i thërrasim njerëzit në namaz – i thashë.
A do të të mësoj diçka më të mirë se kjo? – më tha.
Gjithsesi – i thashë.
(më tha) Thoni: Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber.
Eshhedu el la ilahe il-lallah, Eshhedu el la ilahe il-lallah.
Eshhedu enne Muhameden Resulullah, Eshhedu enne Muhameden Resulullah.
Hajj ales salah, hajj ales salah.
Hajj alel felah, hajj alel felah.
Allahu Ekber, Allahu Ekber. La ilahe il-lallah.
Pastaj u largua për pak e pastaj më tha: ndërsa kur të ngriteni për të filluar namazin thoni:
Allahu Ekber, Allahu Ekber.
Eshhedu el la ilahe il-lallah.
Eshhedu enne Muhameden Resulullah.
Hajj ales salah.
Hajj alel felah.
Kad kametis salatu, kad kametis salah.
Allahu Ekber, Allahu Ekber. La ilahe il-lallah.
Kur gdhiva, shkova te Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i tregova se çfarë pashë. “Kjo është ëndërr e vërtetë në dashtë Allahu” – më tha ai. “Çohu së bashku me Bilalin dhe transmetoji atij çfarë ke parë dhe ai le të thërret me ato fjalë sepse e ka zërin më të fortë se ti”. U çova me Bilalin dhe po i transmetoj fjalët ndërsa ai i thoshte ato me zë. Ndërsa Omer ibën Hatabi, derisa ishte në shtëpi i dëgjoi dhe doli me shpejtësi duke veshur ridanë (veshjen e epërme) e tij dhe thoshte: Pasha Atë i Cili të dërgoi ty me të vërtetën o Resulullah, e kam parë në ëndërr njëjtë kështu si e ka parë Abdullahu. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut”.
Ky ishte fillimi i ezanit dhe kështu mbeti sot e asaj dite. Allahut i takon i gjithë lavdi dhe falënderimi.