Si ta di se cila është pjesa e 3-të e natës?

0
1877

8 847 vizita 26. Janar 2017
Pyetje: Ju lutem dua të di cila është pjesa e 3-të e natës, dhe në sa ora bëhet hapja e qiellit?
Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut ndërsa lavdërimet dhe paqja e Allahut qoftë mbi Muhamedin…
Sa i përket hapjes së qiellit, ka mundësi e keni dëgjuar nga ndonjë hoxhë atë shprehje porse qëllimi i tij ka qenë hadithi i Pejgamberit, alejhi salatu ue selam: “Zoti jonë i Madhërishëm dhe i Lartësuar çdo natë zbret në qiellin e dynjasë, atëherë kur të mbetet një e treta e fundit të natës dhe thotë: ‘Kush më lutet, t’i përgjigjem! Kush kërkon, që t’i jap! Kush kërkon falje, që t’ia falë!”[1]; pra, në këtë kohë hapen edhe më shumë dyert e pranimit të lutjeve, dhe nuk e ka pasur qëllimin se ndodhë ndonjë hapje konkrete të qiellit apo të ndonjë dere konkrete.
Siç vërejmë koha më e mirë për të falë namaz nate është pjesa e tretë e natës, ose më saktësisht të themi fillimi i pjesës tretë të natës, sepse Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Agjërimi më i mirë tek Allahu është agjërimi i Davudit: një ditë agjëronte e një ditë hante; si dhe namazi më i mirë tek Allahu është namazi i Davudit: flinte gjysmën e natës, pastaj falej një të tretën dhe pastaj flinte një të gjashtën”.[2]
Por, si llogaritet kjo?
Fillimi i natës është me hyrjen e kohës së akshamit ndërsa fundi i natës është hyrja e kohës së sabahut d.m.th. agimi i ditës (imsaku).
p.sh. nëse koha e akshamit hyn në ora 19:00 ndërsa imsaku në ora 04:00 atëherë llogarisim se nata i paska gjithsej 9 orë. Një e treta e kësaj është tre orë, kështu që pjesa e tretë e natës fillon nga ora 02:00 dhe zgjatë deri në ora 04:00.
Por nëse duam të falemi në kohën që është falë Davudi, alejhi selam, dhe që këtë e lëvdoi Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, atëherë llogaritja është kësisoj: sipas shembullit që sollëm gjysma e natës i bie të jetë në ora 23:30; që këtu fillon koha për namaz nate e deri në ora 02:30 dhe kjo është një e treta e natës; e pastaj deri në ora 04:00 apo kur të thërret ezani në xhami është kohë gjumi dhe kjo është një e gjashta e natës.
Mund të duket pak e komplikuar, por provoje këtë llogaritje sipas takvimit të vendit tënd disa herë dhe do ta vëresh se është shumë matematikë e thjeshtë.
Allahu më bëftë mua dhe juve prej atyre falin namaz nate dhe e lusin Allahun me frikë dhe me shpresë. Amin

[1] Sahihul Buhari nr. 1145
[2] Sahihul Buhari nr. 3420