O i pluhurosur!

0
170

O i pluhurosur!
Më shumë ujë duhet për pluhurin e shpirtit se të trupit.
Sepse pluhuri fizik dallohet vetëm kur është shumë,
Gjersa pluhuri i shpirtit nuk dallohet më kur bëhet shkumë!

Meqë të pengon në trup, i jepesh shiut a lumit, nëse uji të mungon.
Meqë nuk e sheh në shpirt, të jep Zoti fatkeqësi dhe kështu të pastron.
Prandaj, fatkeqësia është e tillë vetëm në shikimin tonë.
Në sytë e zemrës fatkeqësia është shi që të freskon.
Por ja që shirat, të gjithë, të qullosin.
Shiu nuk duhet ta lagë atë që është i strehuar,
E në shi të strehuar janë vetëm ata që s’kanë mëkatuar…

Shi nuk bie çdo ditë, po patjetër paksëpaku një herë në vit.
Po qe se nuk kemi në pranverë e verë,
Në vjeshtë kemi më shpesh e në dimër përherë.

O i pluhurosur!
Caktimet e mia për rënien e shiut mos i merr për të vërtetë të prerë.
Sepse edhe ti e di se Zoti është i Vetmi Sundimtar në çdo sferë.
Ne vetëm mund të para(gjy; shi)kojmë se kur mund e kur s’mund të bjerë.
Por Urtësia e Tij e bën pranverën vjeshtë e dimrin verë.

O njeri me pluhur!
Është e çuditshme se më shumë ne vrapojmë drejt pluhurit se ai drejt nesh.
Së këndejmi, është e padrejtë ta akuzojmë pluhurin se na ka rënë në vesh.
Ai zbaton ligjet e tij, kurse ne nuk ndjekim as parimet tona.
Një parim yni thotë që të pastrohemi kurdoherë që njollosemi,
Por papritmas na rrëmben egoja dhe pastaj prangosemi.
E ne përpos që meritojmë të quhemi të pluhurosur,
Ne me vepër herë-herë tregohemi edhe parimsosur.

Por a thua a mund të jemi gjithherë pa pluhur?
Jo. Sepse…
Edhe nëse jemi aq të kujdesshëm për ta hequr
Dhe ruhemi ku dhe kah jemi duke ecur,
Ndonjëherë valët e lumit të jetës na çojnë në shkretëtira.
Se jeta ndjek ligjin që, nëse teprohet, e keqe bëhet edhe ëmbëlsira.
Kur nuk e duam për pak të ëmblën, atëherë gjendemi ndër pluhur.
E njerëzit jo mbi pluhur, po përmbi ujë ndërtojnë urë.
Pra, kaherë nga e mira mbrohemi, së keqes i afrohemi.

Sido që të jetë, gjersa jemi në botë duhet t’i nënshtrohemi çdo ligji fizik,
E një prej tyre thotë se asnjë sendi në tokë qiellit nuk i ik.
E as ne nga pluhuri nuk mund fare të ikim, por mund ta largojmë,
Edhe terri vetë nis të ikë, kur ne nisim dritën ta kërkojmë.
Trupi mbulohet ngado me dritë, por njëherë shpirtin kah priza duhet ta kthejmë.
Detergjentet e trupit s’kanë vlerë nëse shpirtit të vetat nuk ia blejmë!

Arsim Jonuzi
(www.ajoni.net)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here