Mjerë për ata që tallen!

0
560

I Dërguari i Zotit ka thënë:

“Unë jam garant i një shtëpie… në mes të Xhenetit për atë që braktis gënjeshtrën edhe nëse këtë e bën për shaka.” (Ebu Daudi)

“Mjerë për atë që flet dhe gënjen për t’i bërë njerëzit të qeshin! Mjerë për të! Mjerë për të!” (Ebu Daudi & Tirmidhiu)

Një nga zakonet dhe traditat e këqija, të cilat janë përhapur në masë në epokën moderne, është edhe metoda tallëse, karikaturiste e denigrimit dhe uljes së tjetrit. Zakonisht kjo është një metodë e preferuar nga grupe sociale, etnike, fetare, politike dhe opozitare ndaj kundërshtarëve të tyre, siç është edhe objekt pune për ata njerëz që jetojnë dhe fitojnë para me këtë mënyrë dhe kërkojnë të tërheqin vëmendje dhe famë apo edhe thjesht për tu argëtuar. Kjo metodë në praktikë rezulton shpesh shumë efikase për të denigruar kundërshtarin edhe pse është metodë shumë e ulët, të cilës i mungojnë më së shumti argumentet. Ai që tallet në fakt nuk ka nevojë për argumente, por ndërkohë antipatinë që ka ndaj një grupimi apo individi mundohet t’ia përçojë edhe të tjerëve duke vënë në lojë objektin e tij kundërshtar, pa qenë nevoja të jetë i detyruar të paraqes argumente, gjë të cilën nuk mund ta bënte nëse kritikat do ishin në një gjuhë serioze. Shpesh sulme të tilla nuk kanë për qëllim thjesht individët, por ideologjinë, besimin, fenë, mendimin, racën e tjetrit. Në thëniet e mësipërme të Profetit (alejhi salatu ue selam) një metodë e tillë është e dënueshme. Por, pa mendoni pak nëse një gjuhë e tillë tallëse përfshin edhe elementë të fesë dhe predikuesit e saj! Nuk ka njeri të pagabueshëm në këtë botë, mes tyre edhe hoxhallarët, por të tallesh me ta apo edhe me çdo besimtarët tjetër, është tepër e rëndë dhe rrezikon jo vetëm të biesh në kufër, por edhe të bëhesh armik me Zotin, siç vetë Ai thotë në një hadith kudsij: “Kush sulmon një mikun tim, atij i kam shpallur luftë.” (Buhariu)

Kështu pra, ata njerëz që hapin faqe në FB dhe bëjnë objekte tallje elemente të fesë apo edhe hoxhallarët dhe besimtarët dhe nuk marrin këshilla, duhet të bllokohen dhe raportohen, për të mos lënë të tilla viruse të përhapen mes nesh dhe ne ndërkohë qëndrojmë indiferent ndaj tyre.

Hoxhë Justinian Topulli