Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një rezolutë mbi situatën në Birmani, me anë të së cilës i kërkon qeverisë së vendit të mbrojë të gjitha të drejtat njerëzore të myslimanëve rohingianë.
Në rezolutën e OKB-së shprehet kënaqësi për zhvillimet pozitive, që janë shënuar ditëve të fundit në Birmani, por theksohet shqetësim serioz për luftimet me bazë fetare ndërmjet myslimanëve dhe budistëve në provincën Arakan.
“I kërkojmë Qeverisë së Birmanisë që të vihet në veprim për të përmirësuar gjendjen e pakicës së myslimanëve rohingianë në Arakan dhe për të mbrojtur të gjitha të drejtat e njeriut të myslimanëve rohingianë, përfshirë këtu edhe të drejtën e nënshtetësisë”, nënvizohet në vendimin e Kombeve të Bashkuara.
Pasi thuhet se janë marrë në konsideratë iniciativat e rëndësishme të Qeverisë së Birmanisë lidhur me reformat politike, demokratizimin, pajtimin kombëtar dhe të drejtat e njeriut, në rezolutë shprehet edhe shqetësim i thellë për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, që vazhdojnë të konstatohen në këtë vend.
Autoriteteve birmane u bëhet thirrje gjithashtu për marrjen e masave të nevojshme lidhur me vijimin e procesit të lirimit të të dënuarve politikë, identifikimin e të burgosurve dhe heqjen e imunitetit të burokratëve, që kanë kryer vepra penale.
Duke përmendur veçanërisht emrat e myslimanëve rohingianë dhe pakicës etnike Kaçine, që i është përveshur një lufte të armatosur për të fituar pavarësinë nga Birmania, rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së kërkon nga qeveria e këtij vendi “të përshpejtojë nismat, që trajtojnë diskriminimin, shkeljet e të drejtave të njeriut, dhunën, emigracionin e shkaktuar nga dhuna dhe izolimin ekonomik, që prek pakica etnike të ndryshme”.
Si pasojë e ngjarjeve të dhunshme ndërmjet myslimanëve rohingianë dhe budistëve në provincën Arakan të Birmanisë, në gjashtë muajt e fundit kanë humbur jetën të paktën 200 vetë dhe janë detyruar të braktisin pronat mbi 110.000 të tjerë, shumica e të cilëve myslimanë.
Vala e fundit e dhunës me shënjestër myslimanët rohingianë filloi më datë 21 tetor dhe sipas një raporti të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNCHR), gjatë këtyre ngjarjeve 27.000 myslimanë janë detyruar të braktisin vendet ku jetonin prej kohësh.
Kurse Nënsekretarja e Përgjithshme e OKB-së për Çështjet Humanitare dhe Emergjente, Valeri Amos, në një prej deklaratave të saj gjatë këtij muaji, kishte njoftuar se Kombet e Bashkuara nuk arrijnë të dërgojnë prej gati 6 muajsh ndihma për 40.000 persona në provincën Kaçine për shkak se nuk lejohet hyrja në zonat e kontrolluara nga kryengritësit.