OBI përherë përkrah shqiptarëve shkruan Dr. Shefqet Krasniqi

0
229
Dr.-Shefqet-Krasniqi
Dr.-Shefqet-Krasniqi

Organizata e Bashkëpunimit Islamik është një nga organizatat më të mëdha islame në botë. Ajo llogaritet si organizata e dytë ndërkombëtare më e madhe në botë. Numëron gjithsej 57 shtete anëtare nga të katër kontinentet e botës, ndërsa Kosovën e kanë pranuar deri më tash 31 prej tyre. OBI ka përkrahur Kosovën moralisht dhe materialisht në rrugëtimin e saj drejt lirisë dhe shtetbërjes. Kosova ka qenë në agjendën e kësaj organizate, jo vetëm për shkak të rrethanave në të cilat kalonte (shpallja e pavarësisë, vendimi i GJND-së për pavarësinë), por edhe për faktin se këto vitet e fundit udhëhiqej nga një mik i madh i shqiptarëve, Ekmeluddin Ihsanoglu, i cili shfrytëzoi zhvillimet në fjalë për të ushtruar presion për ta njohur Kosovën edhe vendet që nuk e kanë bërë akoma atë.

OBI ose OKI (Organizata e Konferencës Islamike), siç njihej më parë, nuk është organizatë e huaj për shqiptarët. Atë e njohin ndërsa kanë përshtypje të ndryshme për të. Disa, nga urrejtja që ushqejnë për Islamin, nuk ndalen së hedhuri vrer mbi të. Ata e akuzojnë edhe sot e kësaj dite Shqipërinë për anëtarësim në të. Fakti se ajo është islame i ka bërë ata që të shfaqin në urrejtje ekstreme ndaj saj, të kundërshtojnë me ngulm raportet me të si dhe të çohen kundër atyre që duan të bëjnë një gjë të tillë. Por fatkeqësisht të atillët këtë urrejtje dhe mllef arrijnë ta transformojnë në miqësi dhe mirësjellje atëherë kur kanë nevojë që OBI t’ua financojë ndonjë projekt që nuk shkel interesin e tyre. OBI ndonëse ka faktorizuar çështjen kosovare dhe e ka futur atë në agjenda të rëndësishme ndërkombëtare, është neglizhuar nga qeveria jonë.

Vizita e kryeministrit këto ditë në Egjipt dhe marrja pjesë në konferencën e shteteve të OBI-së, mendoj se është një hap përpara në këtë drejtim dhe se strukturat tona politike kanë filluar ta kuptojnë -ani pse pak me vonesë- rolin e madh që mund ta kenë ato shtete për Kosovën dhe popullin e saj në fusha të ndryshme. E ndër segmentet më me rëndësi që mund të përfitojmë nga ato shtete është ana ekonomike, kur dihet fakti se disa nga ato shtete janë me një ekonomi shumë të lartë dhe të zhvilluar dhe se ndihma, edhe nëse nuk është dhuratë, të paktën është kredi pa kamatë. Pra, nuk është ndihmë e tipit të atyre shteteve që të japin ombrellën kur rrezon dielli ndërsa ta marrin atë kur bie shi. E them këtë ndërsa kam parasysh faktin se ndihmat e tyre janë më shumë dhurata se sa kredi. Kjo është dëshmuar me Shqipërinë dhe po dëshmohet edhe me Kosovën. Dhe jo vetëm kaq. Kosova ka interes edhe në aspektin kulturor, pasi që ndan të njëjtën fe me shtetet e OBI-të.

Se Kosova duhet të nxitojë me procedurat teknike për t’u anëtarësuar në këtë organizatë flet fakti edhe i gatishmërisë së shumë shteteve, jomuslimane, për t’u anëtarësuar të paktën si vëzhgues, për të lënë të kuptohet këtu se sa rëndësi të madhe ka anëtarësimi me të drejta të plota.

Mendoj se shteti jonë duhet të mendon seriozisht në këtë drejtim dhe  të mos e lëshon këtë shans, por ta shfrytëzon siç ka vepruar Shqipëria e cila që moti është bërë anëtare e rregullt. Në veçanti tani kur sekretar i saj i përgjithshëm është emëruar një mik tjetër i madh i shqiptarëve, saudiani  Ijad Al-Madan, e që prej tij do të pritet edhe më shumë, në veçanti kur dihet se Arabia Saudite ka një ndikim të veçantë tek shtetet anëtare të organizatës në fjalë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here