Njeriu i mirë – ja vlen te lexohet

0
259

Tregohet se sulltan Bajazidi, një natë dëgjoi një zë në ëndërr, zë i cili e bëri të brofë në këmbë. Ai thirri sekretarin e tij dhe i kërkoi të përgatisë disa burra se donte të shkojë diku.

Të gjithë u veshën si njerëz të thjeshtë dhe u nisën drejt vendit ku i drejtonte vetë sulltani. Mbërritën në një lagje të varfër, ku në një nga rrugët kryesore u zunë sytë një grup njerëzish të grumbulluar rreth një personi të shtrirë përtokë, i cili mesa duket sapo kishte vdekur.

Sulltani u afrua dhe i pyeti:”Si është puna?”

Ata i treguan se personi i vdekur punonte në lagjen e tyre që prej shumë kohësh. Ai ishte model i punës serioze si nallban i kafshëve njëthundrake, punë falë të cilës fitonte shumë.

Sulltani i pyeti:”Mirë, po përse nuk e varrosni atëherë?”

Ata i thanë:”Sepse nuk e dimë ku banon dhe nga vjen çdo ditë. Ka dhe diçka tjetër; ky njeri ishte i braktisur dhe i bojkotuar nga e gjithë lagjja, sepse pas punës, shihej me shishe rakie në dorë dhe në shoqërinë e femrave të përdala! Prandaj dhe kur e pamë që kishte vdekur, u betuam që ta lëmë pa varrosur.”

Menjëherë sulltani u bëri me shenjë njerëzve që ishin me të që ta largojnë kufomën që aty. Ai iu afrua sekretarit të tij dhe i pëshpëriti në vesh që ta varrosin atë njeri të huaj në bahçen e xhamisë së tij, e cila njihet sot e kësaj dite.

Zëri që i kishte folur në ëndërr, përmbante një urdhër të tillë, që i vdekuri në fjalë të varrosej në bahçen e xhamisë së sulltan Bajazidit.

Sekretari i tij u përpoq t’ia ndryshojë mendjen duke i thënë:”Lartmadhëri! Pas një jetë plot me aktivitet, do të varroseni ju vetë në atë bahçe dhe nuk e shoh të udhës që përbri varrit tuaj, të jetë dhe varri i një njeriu të panjohur si ky mavria.”

Por sulltani e ndërpreu dhe e urdhëroi ta varrosin në bahçen e xhamisë së tij dhe ashtu ndodhi, burri në fjalë u varros në bahçen e xhamisë.

Megjithatë, sulltani dukej tejet i shqetësuar dhe nuk mbyllte sytë natën. E shqetësonte çështja e atij të vdekurit i cili i ishte shfaqur në ëndërr. Ishte orvatur disa herë të nisej drejt lagjes së varfër ku ishte gjetur i vdekur, por sa herë që nisej ndryshonte mendje.

Donte të gjejë ndonjë haber rreth atij burri të mistershëm. Një herë vajti tek lagjja, i veshur si qytetar i thjeshtë. Atje gjeti një burrë që mbahej me dy paterica, i cili e njihte nallbanin tashmë të vdekur.

Nallbani i kishte ofruar ndihmë një ditë me shi dhe të ftohte për të vajtur në shtëpi. Madje, ai i kishte treguar edhe lagjen ku banonte dhe shtëpinë.

Lagjja e tij ishte në periferi të Stambollit. Menjëherë sulltani u nis drejt lagjes në fjalë dhe me të mbërritur, kërkoi shtëpinë e nallbanit. Njerëzit ia treguan dhe pasi e gjeti, trokiti në portë. Një zonjë e hapi derën dhe pasi përshëndeti pyeti:”Mos ka vdekur im shoq?!”
Sulltani i tha:”Po.”

Ajo e ftoi brenda dhe sulltani hyri në një dhomë të vogël, ku banonte zonja bashkë me fëmijët e saj. Ai mbeti i habitur nga thjeshtësia dhe varfëria në të cilën jetonte, prandaj dhe e pyeti:”Përse jetoni në kushte të tilla, ndërkohë që yt shoq nxirrte para të shumta nga zanati i tij?!

Zonja iu përgjigj:”Im shoq ishte njeri i mirë dhe i ndershëm. Ai na sillte ushqim dhe para aq sa për të plotësuar nevojat tona për ushqimin e një dite.”

Sulltani e ndërpreu me fjalët:”Burrë i mirë dhe i ndershëm?! Mua më kanë thënë se pas punës, e kanë parë shpesh herë me shishe rakie në duar dhe në shoqërinë e grave të përdala!”

Zonja buzëqeshi dhe i tha:”Im shoq, pasi përfundonte punën, nisej dhe vinte në këmbë në shtëpi. Gjatë rrugës, sa herë që shihte ndonjë person me shishe rakie në dorë, ndalonte dhe e këshillonte që të heqë dorë nga kjo rrugë. Mandej, ai ia merrte shishen, i paguante çmimin dhe rakinë e derdhte rrugës.

Ndërkohë, lidhur me gratë e përdala që thatë më parë, ai ndalej dhe i këshillonte që të heqin dorë nga ajo rrugë. Bënte vaki që i shoqëronte deri tek shtëpia e tyre dhe u paguante edhe shpenzimet e një dite, që të largohen nga rruga e ligësisë.

Herë pas here i kërkoja që punën që bënte në atë lagje, ta transferonte në lagjen tonë, por më thoshte se lagjja jonë është më e varfër, saqë askush nuk ka të paguajë për shërbimin që i bën kafshëve.

Një herë, i pata thënë:”More burrë! Po sikur të të vijë vdekja në atë lagje të varfër ku askush nuk e njeh familjen tënde?”
Ai mu përgjigj:”Zoti është me ne. Vetë sulltan Bajazidi do i marrë përsipër të gjithë gjërat, prandaj mos u mërzit. Besoj se ju zotëri, jeni vetë sulltan Bajazidi, apo jo!”

Kjo ngjarje, është një mesazh i fuqishëm i cili na thotë që të mos drejtojmë gishtin e akuzës ndaj askujt duke gjykuar aparencën.

Vetë Zoti në Kuran na urdhëron:”O ju që keni besuar! Nëse një person i papërgjegjshëm u sjell një lajm, vërtetojeni, përndryshe mund ti hyni në hak dikujt pa e ditur dhe për rrjedhojë të pendoheni për atë që bëtë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here