NEVOJA PËR RIPËRTËRITJE

0
233
1555509_572780652803464_1259090892_n
“O ju që besuat, përgjigjuni Allahut (duke iu bindur Atij) dhe të Dërguarit kur ju ftojnë për atë që ju jep jetë (ringjallje), dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se te Ai do të tuboheni!” [Enfalë, 24]

Ajo që më së tepërmi kërkohet prej njeriut është hapja e një kaptine të re në jetë duke proceduar me ripërtëritjen e besimit në zemër. Riorganizimi i jetës në standardet e sistemit islam, harmonizon jetën e muslimanit gjatë zhvillimeve dinamike.

Rivendosja apo mirëmbajtja në shtëpi, punëtori, bibliotekë, apo kudo që vepron, pasqyron përpjekjen e një  njeriu serioz. Sa e bukur dhe e këndshme është administrimi i vetes duke vështruar me mendjehollësi çdo qëndrim, veprim dhe realizim. Kështu duhet të jetë besimtari në jetë ku në asnjë rast të mos neglizhojë rëndësinë e ripërtëritjes së besës të dhënë Allahut të Lartësuar.
Rilindja e besimit në zemër është veprim i domosdoshëm për çdo besimtar dhe kjo realizohet me veprimet e obligueshme dhe ato shtesë. Origjina e besimit të muslimanit është në trekëndëshin: bindje, shqiptim dhe veprim, pastaj imani shtohet me bindje e dëgjueshmëri, kurse pakësohet me gjynahe e mëkate.
Disa njerëz pasi që u udhëzuan parapëlqyen vendnumërimin dhe pushimin, kështu kaluan në gjumë dhe pushim afatgjatë. Kurse, Islami rekomandon dhe këshillon ripërtëritjen e imanit për çdo ditë, duke iu përgjigjur Allahut të Lartësuar dhe të të Dërguarit të tij. Feja jonë nuk përfundon vetëm me disa veprime rutinore, por çdo ditë kërkon diçka të re, dhe çdo veprim i freskët ngrit nivelin e seriozitetit tek besimtari.
Muhammed Husejn Jakubi, dijetar dhe edukator i Ummetit islam, thotë: Njëherë ishim duke biseduar me disa vëllezër dhe iu drejtova atyre duke i thënë: Shkencëtarët tregojnë se oksigjeni i prodhuar në laboratorë ndizet shumë më shpejt se sa oksigjeni prezent në ajër? Pse kjo ndodh kështu? Përgjigjja ishte se: Është i riprodhuar.
Kështu veprimet e vazhdueshme ripërtërijnë energjinë dhe fuqinë e imanit (besimit).
Mos harro se sferat e veprimit në fenë tonë janë të shumta e të ndryshme. Adhurimet janë të formave të ndryshme. Për çdo ditë realizo diçka, kështu përjeton ripërtëritjen e besimit, pengon lodhjen dhe mërzinë.
I nderuari vëlla, shpejto!
Që prej sot, programo synimet dhe besatohu se do të jesh i përpiktë në kryerjen e namazit. Po, nga ky obligim madhor fillo, do të përjetosh kënaqësinë shpirtërore dhe do ta ushqesh zemrën tënde me iman.
Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka përgëzuar atë që e falë namazin, duke i siguruar hyrje në xhenet nga ana e Allahut duke thënë: “Allahu azze ve xhel-le i ka bërë farz pesë namaze. Ai që merr mirë abdest, i falë në kohë të tyre, i plotëson rukutë dhe sexhdet e tyre dhe i falë me frikërespekt, Allahu i siguron falje të gjynaheve. Kurse, ai që nuk vepron kështu, nëse do ia falë, ose e dënon.” [Transmeton Ebu Davudi, hadithi është sahih]
I nderuari vëlla, namazi të largon dhe të pastron nga mëkatet, njëra ndër lutjet e preferuara në hyrje të namazit është: “O Zot! Largomë prej mëkateve, ashtu siç ke larguar lindjen prej perëndimit. O Zot! Pastromë prej mëkateve, ashtu siç pastrohen rrobat e bardha prej fëlliqësirës. O Zot! Laji mëkatet e mia me ujë, borë dhe breshër.” [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi]
Në pozicionin e qëndrimit në këmbë lexon “Fatihanë” thelbin e Kur’anit, kujto hadithin kudsi që transmeton Imam Muslimi, Allahu i Lartësuar thotë: “E kam ndarë namazin ndërmjet Meje dhe ro­bit Tim në dy gjysma, dhe ai (robi) do ta fitojë atë për të cilën është lutur.” Kur robi thotë: “El hamdu lil-lahi rabbil alemin”; Allahu i Lartësuar thotë: “Robi Im më falënderoi.” Kur robi thotë: “Err-rrahmanirr-rrahim”; Allahu i Lartësuar thotë: “Robi Im më lartësoi.” Kur robi thotë: “Maliki jevmid-din”; Allahu thotë: “Robi Im më lavdëroi.” Ose thotë: “Robi im më është dorëzuar.” Kur robi thotë: “Ijjake na’budu ve ijjake neste’in”; Ai thotë: “Kjo është ndërmjet Meje dhe robit Tim, dhe ai do ta fitojë atë, për të cilën është lutur.” Kur robi thotë: “Ihdinas-siratal mustekim, siratal ledhine en‘amte alejhim, gajril magdubi alejhim ve led-dal-lin”; Ai thotë: “Kjo është për robin Tim, dhe ai do ta ketë atë që e ka kërkuar.” [Transmeton Muslimi]
Në pozicionin e rukusë besimtari lartëson dhe falënderon Allahun e Lartësuar duke e thënë: Subhane Rabbijel Adhim (Qoftë i pastër prej të gjitha të metave Zoti i Madhëruar dhe i Lavdëruar).
Në pozicionin e sexhdes besimtari thotë: Subhane Rabbijel A’la, fiton mëshirën e Allahut të Lartësuar. Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: “Kur Allahu do të mëshirojë ndokënd prej banorëve të xhehenemit urdhëron melekët që ta nxjerrin atë person, i cili e ka adhuruar. Melekët e dallojnë nga gjurmët e sexhdes, ngase Allahu ia ka bërë haram zjarrit t’i djegë gjurmët e sexhdes dhe kështu dalin nga zjarri. Gjithë njeriun e djeg zjarri, përveç gjurmëve të sexhdes.” [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi]
Namazi është dritë që ndriçon rrugën e robit në dunja dhe në ahiret. Këto janë vetëm disa shkëndijëza mbi adhurimin më madhor, duhet shpejtuar për t’i fituar këto përparësi, kështu realizojmë ripërtëritjen e besimit tonë. Allahu i Lartësuar thotë: “Sigurisht që Unë, vërtet Unë jam Allahu, nuk ka asnjë të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje, pra Mua më adhuro dhe fal namazin për përkujtimin Tim.” [Ta Ha, 14]
Besimtari i vërtetë duke përkujtuar Allahun e Lartësuar përjeton një jetë të mirë e të lumtur në këtë botë: “Kushdo që bën punë të mirë, burrë apo grua, duke qenë besimtar (i vërtetë), Ne do t’i japim atij jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre më të mira që ata i kanë punuar.” [Nahl, 97]

Allahu im, ringjalle besimin në zemrat e muslimanëve, përforcoj muslimanët në Fenë e Vetme dhe e Pranuar tek Allahu që është Islami!!!
———————————————————-
/ Shkruar nga Ulvi Fejzullahu / Besimtari.com/
———————————————————-

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here