Ajo është shembulli më i mirë i durimit.
“Të Allahut jemi dhe tek Allahu do
te kthehemi”, ishin fjalët që
përmbyllnin dhimbjen e saj…
Autobusi kishte edhe ca minuta për t’u nisur. “A është kjo ulëse e lirë?” – m’u
drejtua një zë i thellë gruaje. “Po” iu përgjigja. Ishte një plakë e mbajtur, me
një shami të bardhë të lidhur mbrapa.Rrudhat i flisnin shumë në fytyrën e saj
të ëmbël. Sytë e përlotur i fshihnin dhimbjen që kishte kaluar… Isha duke lexuar
një libër sa për të thyer monotoninë. Vëreja kërshërinë e saj dhe nevojën për t’i
folur dikujt. E mbylla librin dhe me zë te ulët e pyeta se ku shkonte. “Eh!… mori
frymë thellë. Do të shkoj të vizitoj djalin në spital,ka pësuar një aksident.
Mjekët kanë përmendur se më ka lindur për së dyti”. “Mirë që e paska ruajtur
Zoti” i thashë unë. “Po, elhamdulilah, mirë që nuk më shkoi edhe ky. Në luftë
ma rrëmbyen djalin nga duart, mendja nuk del nga sprovat”, vazhdoi plaka. “Pak
hapa para nesh bombardohej konvoji i njerëzve në kolonë nga NATO ja”. I mbylli
sytë, sikur iu përfytyrua e tërë ngjarja dhe prapë me një frymëmarrje të
thellë vazhdoi: “Njëzet e shtatë anëtarëve të familjes së burrit ua kam mbledhur
me këto duar tërë pjesët e shkapërderdhura të trupit dhe i kam varrosur krejt
me duart e mia. Të gjitha këto i kam përjetuar, po mendtë kishin rrënjë. Para
kësaj kam pritur në shtëpinë time mjaft njerëz të fshatrave të ndryshme. Iu
kam gatuar bukë, ua kam larë rrobat ushtarëve të lirisë, iu kam dërguar ushqim
deri afër që të mos rrezikohet jeta e tyre. Tani kam dëshirë t’i takojë të gjithë”
fliste e mallëngjyer. “I kam shikuar si djemtë e mi… Eh!!…”, u mbush frymë dhe
sytë e tradhtuan, filloi të lotonte. “Tani, belbëzoi ajo tani kam nipin jetim. Kur i
mbushi 2 vjet i vdiq edhe e ëma. E kam rritur me lot, zemra më qan për të, sa
krejt dhimbja më peshon ky djalë. Nuk janë bërë ende dy vjet kur m’i kthyen
eshtrat e djalit, edhe një sprovë tjetër. Po mirë, prapë mbasi ia di varrin
ngushëllohej ajo. Nipi nuk ishte në dijeni deri atëherë, përveç thashethemeve
që ka rastisë t’i dëgjojë.
Shfrytëzova rastin edhe e ula pranë. Shpirti i nënës, e di pse qan gjyshja?”
“Gjyshja?!” pyet djali i habitur. Deri vonë ishte mësuar të dëgjonte fjalën
nënë. Djali i shtangur priste se çka do t’i thuhej. “Babanë ta kanë rrëmbyer
gjatë luftës, tani ia sollën eshtrat”, mezi i nxjerrja fjalët nga goja. “E nëna
të ka vdekur kur ti i kishe dy vjet.
Të kujtohet ai varri që shkonim shpesh dhe i linim lule? Është varri i nënës
tënde që të ka lindur e rritur, deri sa i mbushe dy vjet” fliste plaka. “E unë
jam gjyshja jote”.
Zemra sa nuk më çahej nga dhimbja, më pikonte helm, tani edhe më shumë
për jetimin.
U mundova ta ngushëlloja gruan plakë, por lotët nuk më linin të flisja edhe
gjatë.
Mblodha forcat dhe i tregova për gjyshen time që ishte sprovuar me humbjen
e djalit në luftë, të cilin nuk e kishte parë 14 vite më parë, e veç një kohë të
shkurtër i kishte rënë të rrijë me të. Ajo është shembulli më i mirë i durimit.
“Të Allahut jemi dhe tek Allahudo te kthehemi”, ishin fjalët që përmbyllnin
dhimbjen e saj…
Ishte një udhëtim i përlotur, më bëri të kujtoj shumëçka.
A mos i harruam njerëzit që më së shumti i dhuruan Kosovës?! A mos kemi
harruar se çka përjetuam!?
A mos i kemi harruar jetimët e mbetur?! A mos harruam t’iu falim një buzëqeshje,
një përkëdhelje kokës së tyre, një copëz bukë të ngrohtë, një kulm mbi kokë…?
T’i kujtojmë me sa mundësi që kemi, të sensibilizohemi dhe të kujdesemi që të
përjetojnë të gjithë çaste gëzimi qoftë edhe me dhurata simbolike.