Firmat e modës i prodhojnë lirë produktet e tyre të shtrenjta në Europën Lindore e Ballkan. Ligjet shkelen, rrobaqepëset marrin një rrogë që nuk mjafton për të jetuar, e qeveritë e rajonit i mbështesin praktika të tilla.
Ato janë dëshmi tronditëse nga një botë e fshehtë. „I thashë drejtorit tim, që nuk marr dot frymë me këtë makinë qepëse. Brenda në fabrikë janë 30 gradë, dhe kur punojmë në makinë temperatura rritet”, rrëfen një punëtore tekstili në Serbi. Pas kësaj drejtori i makinës e merr tubin e ajrit ia drejton në fytyrë rrobaqepëses e koleges së saj dhe thotë:“Ky është problemi juaj, e nëse ju nuk arrini dot ta përballoni, ka shumë njerëz që presin të zënë vendin tuaj. Dera është atje.”
Një tjetër rrëfen se “menaxhmenti i firmës kërkoi të mblidhnim para për një matës tensioni, sepse na ‘trajtojnë‘ vetë dhe nuk duan të thërrasim një mjek po qe se na bie të fikët”
Të dyja punëtorët duan të mbesin anonime, si shumë të tjera që patën guximin e raportuan për Studimin Europian për Tekstile të Pastra. (CCC) mbi kushtet e punës në industrinë serbe të tekstilit. Vërtet shihet si fat të gjesh një vend pune në ekonominë e tregut, në një vend ku papunësia zyrtarisht kap 16%, tek të rinjtë madje 30%.
Të trajtuar si skllevër
Në një kohë që punëtorët e industrisë së tekstilit, që i përket kryesisht investitorëve të huaj e ku punohet për tregun europianoperëndimor, duhet të durojnë kushte prodhimi nën dinjitetin njerëzor dhe arrogancën e drejtuesve të tyre. Në këtë industri sundon një atmosferë frike, rregullisht ka kërcënime për humbjen e vendit të punës. Shpesh nuk ofrohen të plota ditët e pushimeve dhe në tualet ose nuk lejohet të shkosh ose me kufizim. “Punëtoret raportojnë, se trajtohen si makineri apo skllevër, jo si njerëz. Atyre u bërtitet, edhe ngacmimi seksual është në rend të ditës”,thotë Bettina Musiolek, koordinatore e CCC për Europën Lindore dhe Juglindore në bisedë me Deutsche Wellen.
Të gjitha këto për një punë me orë shtesë të papaguara dhe një rrogë nën kufirin e varfërisë. Në Serbi zyrtarisht ekzistenca minimale kap shifrën e 278 eurove, dhe një familje me katër anëtarë ka nevojë të paktën për 652 euro që të mbijetojë. Ndërkohë punëtorët e industrisë së tekstilit fitojnë vetëm 202 euro në muaj, në industrinë e këpucëve 227 euro. Rreth 100.000 vetë janë të punësuar në Serbi në këtë sektor.
Parajsë e rrogave të ulta në mes të Europës
Por Serbia nuk përbën përjashtim. “Për markat globale të modës, vendet e Europës Lindore dhe të Ballkanit janë parajsë e rrogave të ulta”, theksojnë autorët e studimit. Mes tyre gjenden firma si Benetton, ESPRIT, GEOX apo Vero Moda, por edhe marka botërore si Armani, Calzedonia, Dolce & Gabbana e H&M. Madje edhe markat e luksit Louis Vuitton, Prada dhe Versace prodhojnë lirë aty produktet e shtrenjta.
Këto vende ofrojnë punëtorë të kualifikuar e me çmim të lirë. Rrogat mujore të punëtoreve mezi i arrijnë pagat minimale shtetërore, që variojnë nga 89 euro në Ukrainë në 374 euro në Sllovaki. Një rrogë që mjafton për të jetuar duhet të ishte katër deri në pesë herë më e lartë.
Manipulim i konsumatorit
Ndërkohë këto marka vendosin etiketën “Made in Europe” ose “Made in EU” duke i ofruar kështu konsumatorit idenë se markat prodhohen në kushte të ndershme. “Në realitet të 1,7 milionë punëtoret e tekstilit në rajon jetojnë në varfëri“, thuhet në studimin e CCC-së. “Nganjëherë as nuk kemi për të ngrënë”, thotë një punëtore ukrainase. Këto kushte janë të mundura vetëm në një ambient shoqëror tejet miqësor ndaj punëdhënësve. “Këtu bëhet fjalë kryesisht për një zonë pa sindikata, askush nuk i mbron interesat e punëtorëve“, thotë Musiolek.” Në një kohë që qeveritë japin subvencione direkte ose jo direkte për firmat e huaja. Kështu në Serbi, firma të tilla marrin subvencione të majme si dhe truall nën vlerën e tregut, nganjëherë edhe pa para, e këtyre favoreve i shtohen edhe lehtësimet tatimore apo një infrastrukturë falas.
Marrëdhënie si në kapitalizimin e hershëm
Ka një konkurrencë ekonomike të drejtuar për poshtë, thotë Stefan Aleksiq, një nga autorët e studimit në bisedë me Deutsche Wellen. “Rreth Serbisë ka vende edhe më të varfra, e të gjithë luftojnë për të njëjtat investime. Kështu krijohet konkurrenca. Kush i ofron kapitalit të huaj kushte më të mira për një prodhim të lirë.” Rezultati katastrofik.”Shtetit financon prapambetjen ekonomike”, thotë Aleksiq.
Megjithatë fushata për veshje të pastra nuk bën thirrje për bojkotim. “Punëtoret na thonë gjithmonë: Ne kemi nevojë për këto punë. Por ato duhet të paguhen si duhet dhe të përmirësohen kushtet e punës”, thotë Bettina Musiolek. Rruga deri aty është ende e gjatë. “Fillimisht duhen forcuar sindikatat. Nuk mund ta besosh se marrëdhëniet e punës aty janë si në kapitalizmin e hershëm dhe se sa të dobët janë aktorët e tregut të punës”,thekson Musiolek./DW/